Simone Inzagi ka dhënë dje deklaratën e parë për shtyp si trajner i Interit para një ndeshjeje zyrtare. Në pritje të debutimit në stolin e zikaltërve në kampionat, trajneri iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi ndeshjen, organikën, Lukakun dhe objektivat sezonalë.
Çfarë emocionesh po përjetoni në prag të debutimit tuaj në stolin e Interit?
Nesër (sot), si për mua, ashtu edhe për lojtarët, do të jetë një emocion i madh, pasi pas një viti e gjysmë në stadiume të zbrazëta do të takojmë më në fund tifozët. Do të jetë e bukur, emocionuese dhe mezi pres. Pastaj më vonë, pas pesë minutash emocionet do të kalojnë dhe do të fokusohemi te ndeshja.
Çfarë prisni të shihni nga ekipi?
Unë dua të shoh atë që kemi bërë në fushë në këto 45 ditë, djemtë janë stërvitur shumë mirë. Do të përballemi me një ndeshje të vështirë kundër një ekipi me një trajner shumë të përgatitur që më ka stërvitur dhe mua dhe që arrin të nxjerrë më të mirën nga të gjithë.
Cilat janë ambiciet tuaja, të ekipit, të klubit?
Kemi objektiva ambiciozë, mua nuk më pëlqejnë deklaratat, por stimujt do të bëjnë diferencën dhe djemtë më kanë treguar se janë të motivuar dhe kanë shumë për të dhënë në fushë. Kështu që unë kam shumë besim.
Por, tifozët janë të shqetësuar. A mund t’i siguroni ata se do të jepni maksimumin?
Ne e dimë se do të ketë vështirësi, por e përsëris që kam shumë besim. Jemi të përqendruar për sfidën ndaj Xhenoas. Ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer me klubin dhe një komunikim i vazhdueshëm. Ne e dimë që diçka mungon, por unë jam i lumtur me atë që kemi bërë Të gjithë e dimë se këtë vit klubi kishte probleme, ka pasur largime si ai i Hakimit. Pastaj u përballëm me problemin e Eriksenit dhe largimin e papritur të Lukakut. Por, erdhën zëvendësues shumë të fortë. Xheko ishte kërkesa ime dhe do të ishte i tillë edhe nëse nuk do të largohej Lukaku. Çalhanoglunë e njohim mirë dhe Dumfris është shumë interesant, por do të ketë nevojë të ambientohet. Dimarko është kthyer në formë shumë të mirë. Ne e dimë se do të jetë e vështirë në çdo ndeshje, aq më tepër kur do të kemi stemën trengjyrëshe në gjoks, por do të bëjmë më të mirën.
Konte ishte arma shtesë që çoi në fitimin e Skudetos. E dini që ju pret një detyrë e vështirë?
E dija se përballë kisha një sfidë por tifozët dhe mjedisi po shkojnë në një drejtim. Të gjithë e dinë që vijmë nga disa shitje të rëndësishme, të cilat u bënë për të siguruar të ardhmen e klubit. Tani është momenti për të reaguar dhe për t’u bërë ballë vështirësive. Siç ju thashë jemi të motivuar për këtë.
Si ndryshon Interi me Xhekon, në krahasim me Lukakun?
Unë jam përballur me Xhekon shumë herë në vitet e fundit, ai është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim. Ishte një kërkesë e qartë nga ana ime drejtuar klubit. Një lojtar që mund ta mbajë sulmin i vetëm. Do të mungojnë Lautaro dhe Sançez, por kemi Pinamontin dhe Satrianon të cilët janë stërvitur shumë mirë. Sensi dhe Çalhanoglu mund të luajnë para nëse është e nevojshme. Kam besim për nesër (sot) dhe për gjithë sezonin.
Ku e shikoni Interin në renditjen fillestare?
Është herët për të folur për renditjen. Janë shtatë ekipe të forta, por për momentin nuk dua të bëj asnjë deklaratë. E përsëris, Interi ka shumë ambicie, por në këtë moment e kam të vështirë të bëj parashikime. Ne do të bëjmë çmos për të mbrojtur titullin.
Ndërkohë, megjithatë, fillimi i kampionatit, të paktën në letër, duket i lehtë. Sa e rëndësishme është të fillosh mirë?
Do të jetë e rëndësishme të fillojmë me këmbën e mbarë. Kalendari na favorizon teorikisht por nuk do të jetë e lehtë. Xhenoa është një ekip i organizuar, me një trajner të shkëlqyer dhe lojtarë që do të bëjnë gjithçka për të na vënë në vështirësi. Personalisht dua shumë ta fillojmë mirë.
Për shumë është favorit Juventusi. Çfarë ka Interi më shumë se bardhezinjtë për t’u konfirmuar si kampion?
Ishte e pritshme. Pas largimit të Hakimit dhe Lukakut dhe asaj që ndodhi me Eriksenin, është normale që të shohin ekipe para nesh. Por, ju thashë që janë shtatë ekipe që do të synojnë vendin e parë qysh në fillim. Ne duhet të kemi ambicie dhe një frymë të mirë grupim, por jam i qetë nga ajo që kam parë në stërvitje. Fundja një trajner duhet të mbështetet në atë që sheh gjatë javës dhe djemtë kanë qenë shumë të mirë në këtë aspekt.
Nuk është një sekret që Interi po kërkon një tjetër sulmues. Ekipit i shërben më shumë një me tiparet e Lukakut apo një me më shumë teknikë dhe kreativitet?
Për këtë bëhet një punë e përditshme nga Marota e Auzilio. Ata janë shumë të zotë në këtë drejtim, ndërsa unë jam i përqendruar vetëm te ndeshja. Pas ndeshjes me Xhenoan, do të kemi disa ditë për të menduar, por shqetësimi im i vetëm është përballja e parë e kampionatit.
Si u përpoqët ta bindnit Lukakun për qëndrimin dhe çfarë humbet Interi me largimin e tij?
Ishte një largim i papritur dhe i paplanifikuar. Unë, Marota dhe Auzilio u përpoqëm ta bindnim. Pata mundësinë ta shihja në stërvitje dhe atëherë kuptova pse e vlerësonin aq shumë, dhe pse do të paguhej me ato shifra te Çelsi. Pastaj kur një lojtar vendos… Romelu erdhi në fillim tek unë, është një djalë i shkëlqyer dhe parimor. Ai më tha se Çelsi ishte ëndrra e tij, se ai kishte bërë zgjedhjen e tij dhe pas kësaj u përpoqëm ta bindnim për një ditë e gjysmë, bashkë me drejtuesit, por në fund ndodhi ajo që ndodhi. Gjithsesi, e përballuam në mënyrën e duhur, mbërriti Xheko dhe do të vijë dhe një sulmues tjetër që do të kompensojë humbjen që pësuam me largimin e Romelusë.