Redon Mihana dhe Mario Gjata janë objekti kryesor i Partizanit në merkato. Emrat e dy futbollistëve të Apolonisë janë lakuar për mundësinë e një transferimi jashtë Shqipërisë, por pista e tregut të huaj thuajse është sfumuar tërësisht dhe ndaj tyre është shtuar interesimi i klubeve elitare.
Në “pole” qëndrojnë të kuqtë, kur të paktën edhe tri skuadra të tjera kanë paraqitur ofertat në klubin fierak. Ndonëse Mihana është vetëm 22 vjeç dhe Gjata 21, ata kanë plot 4 vjet përvojë tek ekipi i parë i Apolonisë. Duke llogaritur të dyja kompeticionet, Kupë dhe kampionat, Mihana numëron 7860′ në 101 ndeshje dhe 28 gola të shënuar, ndërsa Gjata 5779′ në 95 ndeshje dhe 33 gola të realizuar.
Ndriçim Kashami është trajneri që i aktivizoi për herë të parë tek Apolonia në sezonin 2017-2018, kur skuadra fierake luante në Kategorinë e Parë.
Në një opinion për “Panorama Sport”, trajneri flet me superlativa për të dy futbollistët e Apolonisë. “Të dy lojtarët i kemi spikatur edhe nga politikat e klubit në lidhje me të rinjtë. Duke parë talentin e tyre, i afrova dhe i mbështeta fort tek ekipi i parë. Mihanën e kam evidentuar si talent dhe mund ta quaj ‘basti’ im i fituar, sepse e kam aktivizuar si qendërsulmues pas largimit të Blerim Krasniqit, pasi edhe ai ishte një lojtar polivalent. Mihana shënoi shumë gola. Zhdërvjelltësia e tij ka qenë në nivele të larta dhe përshtatej shumë mirë në sulmin e shpejtë dhe kundërsulmin që ne e kishim në stilin tonë të lojës në atë kohë. Sot mendoj se Mihana i ka të gjithë parametrat për të luajtur edhe në Evropë”, tha ai për Mihanën.
Nuk mungonin fjalët e mira as për Gjatën, ndërsa kujton kur e aktivizoi për të parën herë. “Mario Gjatën e kam aktivizuar zyrtarisht për herë të parë në mënyrë të qëllimshme në një ndeshje kundër Tiranës (18 nëntor 2017), për të kuptuar edhe peshën e futbollit. Atë takim ne e humbëm 2-0, por unë fitova një sulmues si Mario Gjata. Qëllimi im ishte që ta rrisja dhe forcoja përballë presionit të emrave të kundërshtarit, që ai vetë të kuptonte se asgjë nuk ishte e pamundur dhe se mund të matej me këdo. Madje, mund të luante edhe më mirë se ata. Mario Gjata sot është pa frikë një sulmues ‘race’. Kuptohet, po të luajë në nivele më profesioniste, do të jetë akoma më i fortë, edhe pse do t’i duhet më shumë punë. Ndërkohë, mendoj se duhet të ‘izolohet’ duke iu përkushtuar tërësisht vetëm futbollit. Ai mund të bëhet shumë shpejt një sulmues dhe goleador kalibri. Si Mihana, ashtu edhe Gjata meritojnë të luajnë jo vetëm me skuadrat më elitare të Superiores, por, pse jo, edhe në Evropë. Kanë qenë dy ndër lojtarët që i kam pasur dobësi dhe kënaqësi që i kam stërvitur”, përfundoi Kashami, i cili aktualisht drejton ekipin e Besës.