Bankers Petroleum Ltd., kompania që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës bën të ditur sot se ka hyrë në një marrëveshje definitive me Alberta Ltd. (blerësi) dhe Charter Power Investment Limited për blerjen e të gjitha aksioneve të Bankers (“Bankers Shares”) me një çmim cash prej 2.20 USD për aksion (Bankers Share).
Blerësi dhe Charter Power janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë.
Në bazë të marrëveshjes Bankers është vlerësuar me 575 Milionë dollarë pa përfshirë detyrimet.
Çmimi për aksion C$2.20
• Marrëveshja është miratuar unanimisht nga Bordi i Drejtorëve të Bankers dhe ka mbështetjen e plotë të ekipit menaxhues të Bankers
- Blerësi sjell një fokus të ri tek investimet tek portofoli i aseteve të Bankers
- Zyrat qendrore të korporatës dhe ato teknike të Bankers do të vijojnë të jenë në Calgary, Canada me zyra operacionale në Shqipëri, Hungari dhe Rumani
Çmimi i transaksionit përfaqëson një premium prej 98% mbi vlerën e aksioneve të Bankers në mbylljen e Bursës së Toronto-s prej $1.11 në 18 Mars 2016 dhe një premium prej 109% mbi vlerën e aksioneve përgjatë tregtimit 30 ditor të fundit (deri në 18 Mars 2016) ku aksionet janë tregtuar mesatarisht me $1.05.
“Transaksioni i propozuar i jep Bankers mundësinë t’i kthejë vlerë aksionerëve tanë me një premium të konsiderueshëm ndaj vlerësimit aktual të tregut, ndërsa i ofron Bankers burime financiare shtesë për të përshpejtuar aktivitetin në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve të produktit. Ky transaksion do të gjenerojë përfitime domethënëse ekonomike për Shqipërinë dhe komunitetin lokal, ku vepron Bankers.” – deklaron David French, Presidenti dhe shefi ekzekutiv i Bankers.
Kush janë kinezët që po blejnë “Bankers Petroleum”
Geo-Jade është një nga kompanitë më të mëdha të pavarura të prodhimit dhe eksplorimit, e listuar në Bursën e Shangait, me një vlerë kapitalizimi të tregut më të madhe se 3.6 miliardë dollarë kanadez. Geo-Jade ka bërë investime të suksesshme nafte dhe gazi në mbarë botën dhe asetet e saj kryesore janë të vendosura në Azinë Qendrore, Amerikën e Veriut dhe Kinë.
Marrëveshja gjithashtu parashikon një tarifë prej 20 Milion dollarë nëse Marrëveshja ndërpritet në rrethana të caktuara. Kjo përfshin pagesën në favor të Blerësit nëse Bankers hyn në një marreveshje në lidhje me një propozim më të lartë, ose nëse Bordi i Bankers e tërheq apo e ndryshon rekomandimin e tij në lidhje me Marrëveshjen. Pagesa do të bëhet në favor të Bankers në qoftë se Blerësi nuk është në gjëndje për të përfunduar financimin e detyrimit të tij, për të blerë aksionet e Bankers ose në rrethana të tjera.
Si rezultat i kesaj Marreveshjeje, Mbledhja Vjetore e Përgjithshme e lajmëruar më parë do të shtyhet. Informacion në lidhje me Marrëveshjen do t’u dërgohet aksionerëve të Bankers në Prill për një Mbledhje Speciale që pritet të mbahet në fund të Majit.
Konflikti i Bankers me qeverinë shqiptare
Deri në fund të vitit 2014, Bankers ishte kompania më e madhe në Shqipëri, me një qarkullim vjetor prej rreth 67 miliardë lekësh. Xhiro e saj është përgjysmuar në vitin 2015 për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Në fund të vitit 2015, Bankers u përfshi në një konflikt me qeverinë shqiptare, pasi Drejtoria e Tatimeve bazuar në një raport të AKBN (Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore) nuk i njohën Bankers 303 milionë dollarë shpenzime dhe e ngarkuan me një pagesë prej 57 milionë dollarësh tatim fitimi. Kompania ka filluar ta paguajë këtë shumë me këste mujore. Në shkurt 2016, pas negociatave të zhvilluara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore me Bankers Petroleum, u arrit marrëveshja për caktimin e një eksperti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011. Bankers Petroleum është dakordësuar që të pezullojë procesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë bashkë me Bankers Petroleum kanë rënë dakord gjithashtu për nisjen e një procesi negociatash për amendimin e marrëveshjes hidrokarbure, me synim përmirësimin e termave financiare të marrëveshjes, duke korrigjuar problematikat e hasura deri më tani dhe përmirësuar procedurat për një kontroll më efikas të strukturave të shtetit.