Nga Athina kryeministri Edi Rama “sulmoi” edhe një herë BE-në, por edhe Bullgarinë për shtyrjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
“Nuk na intereson më dasma me BE-në, vafshi në djall,” tha kryeministri.
Ish ministri i financave, Arben Malaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora u shpreh se kryeministri mban një qënddrim përçmues në të gjitha konferencat kundrejt Kosovës.
Malaj i bëri thirrje publike Ramës që mos synojë të zvogëlojë për përfitime personale lidershipin aktual që përfaqësojnë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi , pasi kjo nuk është produktive.
Malaj: “Lidhur me deklaratat e Ramës, e para që dua të theksoj është qëndrimi përçmues që ai mban ndaj Kosovës në të gjitha konferencat. Edhe në këtë rast ai e identifikoi Kosovën si pjesë të problemit dhe si mungesë të dëshirës së lidershipit politik kosovar në procesin e integrimit. Në mënyrë publike thirrja ime publike për Ramën është mos synoni që për përfitime personale të imazhit të zëvendësoni, të zvogëloni dhe pengoni lidershipin aktual që përfaqësojnë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi duke marrë ju autorësinë e përfaqësimit të kombit shqiptar. Kjo nuk është produktive. ”
Në fjalën e tij, zoti Malaj tha se ka njolla të errëta në dëshirën reale të kryeministrit për ta lehtësuar integrimin evropian të Shqipërisë.
Malaj: “Angazhimi konkret i Ramës ka njolla të errëta në dëshirën e tij reale për ta lehtësuar integrimin evropian të Shqipërisë, ku rasti më i keq ishte rasti kur u bllokua procesi i integrimin evropian me pretekstin e rezultateve të votimeve në Rruzhdie të Fierit. Pra Shqipëria humbi një rast vetëm sepse nuk përkonte me madhështinë e kontributeve të Ramës. E dyta është pikërisht fakti që nuk duhet, jo vetëm Rama, por edhe liderët e opozitës dhe politikanët shqiptarë të ndërtojnë një strategji për Ballkanin Perëndimor ku marrin autorësinë e babait të gjithë shqiptarëve dhe e quajnë të natyrshme të drejtën e tyre që ata të kushtëzojnë apo të ndikojnë në mënyrën e sjelljes së liderëve të zgjedhur në Kosovë, Maqedoni, në Malin e Zi. Unë jam totalisht kundër që BE të aplikojë veto duke penguar avancimin e proces integrimit për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Duhet të kemi lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve, parasë dhe të kapitalit njerëzor. “