Një automjet i blinduar aksidenton një punonjës policie, si dhe godet dy automjete po të Policisë së Shtetit, që ndodheshin në një pikë kontrolli.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm në zonën e njohur si “Pallati me Shigjeta” në Tiranë.
Ndërkohë që policia nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen, mësohet se makina është arritur të bllokohet pranë Gardës së Republikës.
E gjithë ngjarja ndodh në një kohë kur zyrtarisht nga Policia e Shtetit raportohen çdo ditë suksese dhe masa për të parandaluar ngjarje kriminale, apo për të disiplinuar qarkullimin, për kapjen e personave në kërkim apo kontrolle ndaj atyre me precedentë kriminalë.
Dhe paralelisht me njoftimet që jepen zyrtarisht nga Policia e Shtetit e drejtuar nga Ardi Veliu, janë denoncimet e qytetarëve që po publikisht, i kërkojnë strukturave policore që të veprojnë pikërisht ndaj të “fortëve” apo posejduesve të automjeteve të blinduara.
Pak ditë më parë në rrjetet sociale ishte publikuar një video ku shfaqeshin dy punonjës policie që pothuajse me përulësi i kërkonin një të riu, që ndodhej në një automjet luksoz të ndalonte. I riu i dha gaz makinës dhe nuk i përfilli aspak punonjësit e policisë.
Duket se pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë, e cila është mbajtur e fshehtë nga Policia, duket se rastet kur uniformat blu duken të pafuqishme përballë individëve të tillë, nuk janë thjesht të izoluara apo sporadike.













