Gjykata Administrative ka rrëzuar vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksionave, që i hoqi gjobën 750 mijë lekë (të vjetra) kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Gjoba u vendos nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për promovimin e aktiviteteve të ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve.
Veliaj u gjobit me gjithsej 75 000 lekë me argumentin se kishte shkelur rregullat në zhvillimin e aktiviteteve elektorale pas ankesës së LSI-së.
Vendimi i KAS për ta anulluar gjobën erdhi pas apelimit nga përfaqësuesit e Veliajt, të cilët theksuan se kryebashkiaku nuk ka kryer asnjë shkelje gjatë takimeve të kryera në Tiranë.
Kryebashkiaku Veliaj u gjobit nga KQZ për mosdeklarim dhe promovim të aktiviteteve, pas denoncimit të LSI për vizitat e kryebashkiakut në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Anëtarët e KAS pranuan argumentet e përfaqësuesit ligjor se Bashkia Tiranë e ka nisur raportimin e të dhënave për aktivitetet e saj menjëherë me krijimin të dhënave në faqen e KQZ-së dhe se shtëpitë e inspektuara për shkak të detyrës si Kryetar Bashkie, janë buxhetuar para 24 dhjetorit 2020, datë kur ka hyrë vendimi në fuqi që ndalon buxhetime të tilla.
Vendimi i KAS u dërgua në Gjykatën Administrative e cila riktheu gjobën ndaj Kryebashkiakut.













