Nga Boldnews.al
Nuk e kishe babain e pasur, madje ishe jetim. Doje punë dhe punë gjete, doje jetë më të mirë, por jetën ta morën, në ditën e parë të punës tënde. Të vranë, ashtu shtrirë në rërë e atij plazhi që nuk do e shkelësh më kurrë. Të vrau një kriminel, por armën “ja mbushi” shteti, ja dha pushteti me apatinë e tij, ia “vajisi” kryepolici me arrogancën idiote nga gradat e varura prej Rilindjes. Maskër po quhet ngjarja në Velipojë ku nga përplasja me armë mes dy familjesh biznesmenësh mbetën të vrarë katër persona, mes tyre edhe Myzerin Zeneli, 20 vjeç, kamarier i hotelit ku ndodhi tragjedia.
Ti kryepolic bëre një shëtitje edhe pranë kufomës së 20 vjeçarit, mërmërite me vartësit e tu sesa plumba u qitën, për ty është një statistikë, për familjen e tij është kob, për ne të gjithë është zi. Sa familje shqiptare i kanë fëmijët kamarierë? Sigurisht ti jo, as ata që të emëruan ty, as ata drejtorë pushteti që nëse Myzerini do jetonte do i thirrnin me arrogancë: “Kamarier, hajde këtu, mos ta them dy herë sille porosinë, se…”.
Ai e pranoi që edhe mund të fyhej në punën e tij, (të “rëndomtë” do e quajë sorollopi yt i Rilindjes), por pas fyerjes dhe lodhjes do fuste në xhep pak të holla që të mbente të paktën veten. Po Myzerini nuk jeton më
Ty ligji nuk ka për të zënë kurrë, aq sa Rama të jetë në pushtet, e ndoshta nuk do shkarkohesh kurrë, po aq sa Rama të jetë në pushtet, vetëm ni paç prishur imazhin, aty aty stë fal, për imazh ka për borxh të t’i shkulë nga supi ato spaleta që i more në kundërshtim me ligjin, këtu e tre vite më parë nga dyshja jote e idhujve: Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj.
Ligji i Rilindjes s’do të të kapë kurrë, por haku po, mëkati një ditë lahet, edhe nëse shkon në botën e përtejme pas shumë e shumë vitesh ku të pret 20-vjeçari Myzerin dhe mjaft të pafajshëm të tjerë që ikën nga kjo jetë sepse u vranë nga bandat dhe krimi i organizuar që ti lejove të lulëzojë, nga paaftësia jote, apo edhe “aftësia e tyre” sepse janë të lidhur me pushtetin që t’i mbron.
Sot duhet edhe moral. Po qoftë edhe një fije. Në fakt është shumë pak që të japësh dorëheqjen, duhesh shkarkuar. Duhet, por nuk do të ndodhë, vetëm nëse i prish imazhin atij… E di vetë zoti kryepolic se kush është ai… Me të mbaje mirë sikurse e ke mbajtur deri më tani. Vriten në rrugë, vriten në plazh, qëllojnë dhe ikin atentatorët e ti sërish je “gatitu” për çdo rast për të bërë paradën në vendet e krimit, sepse e ke kuptuar se nuk është nevoja të jesh kryepolic, por kryemjeshtër për të kthyer strukturat drejtuese të policisë në mbrojtës të pushtetit dhe jo të shtetit.
Më të fundit kujto Myzerinin. Ai nuk është vetëm një statistikë, as arsye që zotrote bashkë me atë idhullin tënd të shërbejë si formë për të dhënë shfaqje se këtu do të punohet. Është jetë edhe pse i varfër, është jetë, edhe pse jetim, është jetë, edhe pse pa përkrahje, është jetë.., të cilën ai morën minimalisht nga paaftësia jote!