Nga Genc Pollo
1-Surpriza e Kushtetueses
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese javën e shkuar mbi kompetencat e Kryeministrit e të Presidentit në emërimin e shkarkimin e ministrave ishte disi surprizues për mua. Qëkurse është në fuqi kjo procedurë kushtetuese, tashmë prej fiks 30 vjetësh, sipas të cilës kryeministri propozon emërimin e shkarkimin e ministrave, kam pasur përshtypjen se roli i Presidentit në të është konceptuar si përgjithësisht ceremonial.
Ndryshimet politike pas 1997, si dhe fryma e germa e Kushtetutës së v.1998, vetëm sa e përforcuan më shumë përshtypjen time. Por Gjykata, pasi shqyrtoi precedentin e vendosur nga Presidenti Meta, i cili në janar 2019 i refuzoi Kryeministrit Rama emërimin e Ministrit për Evropën e Punët e Jashtme (si dhe në një masë më të vogël atë të kushtëzimit për emërimin e Ministrit të Brendshëm në nëntor 2018) konkludoi se roli i Presidentit në këtë proces është substancialisht kontrollues e me tagra të një refuzimi të arsyeshëm e të mirëarsyetuar. Deri diku si Kuvendi, aktori i tretë e përfundimtar në këtë procedurë i cili, ndryshe nga Presidenti, mund të refuzojë dekretin edhe për arsye partiako-politiko dhe nuk detyrohet të japë shpjegime.
Surpriza ime me vendimin e Gjykatës apo edhe fakti që rolin e Presidentit për sa më lart e konsideroja njëlloj si Edi Rama (bazuar në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës) nuk janë motivi i këtij shënimi edhe sepse nuk përbëjnë interes publik. Por legjitimimi kushtetues i një roli aktiv të Presidentit në formimin e Këshillit të Ministrave është jo vetëm një zhvillim interesant në praktikën kushtetuese por edhe një fije e hollë përmirësimi në rrethanat e shtetit të kapur keq nga partia në pushtet.
2-Kapja e shtetit përballë checks and balance
Kapja e shtetit ka qenë shqetësim edhe më parë. Por as PS në pushtet deri në 2005 e as PD në pushtet deri në 2013 nuk është fajësuar as nga më dashakeqët për blerje industriale votash e për aleancë kapilare me krimin e organizuar e për kontroll të plotë të mediave kryesore siç e dëftejnë për PS e v. 2021 edhe shumë raporte vendase e ndërkombëtare. Për më tepër PS, ndryshe nga ciklet tetëvjeçare të pushtetit më parë, po fillon edhe një katërvjeçar të tretë në qeveri; kjo pashmangshmërisht e rrit në katror shtet-kapjen duke e bërë atë problemin madhor të vendit: të gjitha problemet e tjera nga shkeljet e të drejtave të njeriut tek mirëqenia ekonomike janë derivate.
Kapja e shtetit është kontrolli informal i gjithë institucioneve kushtetuese nga një qendër unike pushteti që në rastin tonë si person është shefi i qeverisë e i mazhorancës, e si grupim është partia e tij. Ndarja e pushteteve e kufizimi reciprok i tyre dhe kontrollet e balanca në shtet të përkufizuara famshëm nga filozofi frëng i shekullit 18 Montesquieu e nga Etërit Themelues të ShBA-së po atë shekull, synonin të linin pas pushtetin absolut të monarkëve. Kapja e shtetit në ditët tona operon me kushtetuta demokratike të paqortueshme në germë e frymë por të përmbysura në zbatimin real.
E megjithatë e vlen që ato të rishikohen. Arkitektura e organeve kushtetuese të Republikës tonë sipas Dispozitave Kushtetuese (1991) e ajo aktuale Kushtetutës (1998) janë që të dyja një model i mirë evropiano-perëndimor; e megjithatë sot përballemi me shtet-kapjen. Prandaj është shumë me vend që përsëri ajo të rishikohet në këtë prizëm.
Një tentativë e tillë u bë nga shefi i opozitës në mars të vitit të shkuar. Idetë e paraqitura ishin krijimi i Senatit (i diskutuar edhe më parë), një qeverie kujdestare para zgjedhjeve parlamentare, (gjetiu i aplikuar ad hoc në raste krizash), kufizimi i një kryeministri me jo më shumë se dy mandate ((e thënë më vonë) normë sui generis në një republikë parlamentare moderne) si dhe propozime për reformën zgjedhore. Ndonëse jo shteruese, besoj se këto ide do të shërbenin pozitivisht nëse do të realizoheshin.
Problemi i tyre ishte se u shpallën si propozim personal në sallën e Teatrit Kombëtar; anëtarët e forumeve drejtuese e anëtarësia e Partisë Demokratike i dëgjuan këto ide po atë ditë nga TV e Facebook-u; më tej nuk pati as informime, as konsultime e as diskutime e aq më pak votime që mund ta pasuronin platformën dhe, më e rëndësishme, ta bënin atë pronë e angazhim të gjithë demokratëve. E njëjta gjë vlen edhe për publikun e gjerë. Në fushatën e 25 prillit kjo reformë madhore kushtetuese u përmend vetëm një herë kalimthi dhe hiq pak vëzhgues me interes për këtë temë zor se gjen njeri që të dijë për këto ambicie të larta të opozitës. Gjithsesi me rezultatin e 25 prillit kjo çështje duket e arkivuar.
Mënyrë tjetër për të eliminuar shtet kapjen është rotacioni i pushtetit. Edhe pse shtet kapja synon në radhë të parë pengimin e rotacionit prapë ka ndodhur që partia në pushtet, edhe pse gati parti-shtet, ka humbur në zgjedhjet parlamentare ose të paktën ka humbur kryeqytetin e qytetet e mëdha si prelud i rotacionit në pushtetin qendror. Por, fatkeqësisht, ky nuk është rasti ynë dhe druaj se duhet të kemi shumë durim në këtë pikë.
3-Salvare il salvabile
Përpjekja për të shembur godinën historike të Teatrit Kombëtar e për të ndërtuar aty “teatro e kulla moderne” sipas meje ka qenë dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit në këto vite; si dhe akti më i shëmtuar në çdo aspekt i kësaj qeverie mujshare. Ligji përkatës u votua plot tre herë nga deputetët e mazhorancës; ndonjë syresh që e njoh prej kohësh e që ishte kundra nismës më tha privatisht se e ndjente veten si “copë m…” kur e votonte! Por prapë e votoi! Nuk e di a ndjeu veten po ashtu drejtori i Institutit të Ndërtimit tok me teknikët e tij që në 2018 firmosën raportin se ndërtesa e teatrit me doemos duhej shembur duke kthyer përmbys raportin e tyre të katër viteve më parë. Fundja kur e ha atë gjënë mazhoranca e organit qendror të shtetit pse të bëjë naze një agjenci vartësie e ministrisë.
Por përtej atyre që ishin në anën e shëmtuar të kësaj meseleje është me dobi aktuale të kujtojmë ata që luftuan në anën tjetër. Nuk po merrem me opozitën që e denoncoi e para nismën anti teatër as me Lëvizjen Pro Teatrit që dëshmoi se shoqëria jonë nuk e ka humbur nervin qytetar. Por po listoj institucionet shtetërore që sipas detyrës funksionale e me argumente ligjorë ju kundërvunë deri në fund kësaj meseleje: Presidenti i Republikës, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Avokati i Popullit. Jo se e penguan të keqen, po e kundërshtuan, e vonuan dhe e demaskuan në sytë e vendit e të botës. Dhe kjo nuk është gjë e vogël po të mendojmë se ka keq por ka edhe më keq.
Sot që flasim e shkruajmë janë po këta të tre që vazhdojnë të rezistojnë; edhe për pak vjet deri ne fund të mandatit të tyre.
Por njërin syresh, Presidentin e Republikës, pushteti po rreket ta zëvendësojë para kohe. Me një besnik të Ramës “por që mundësisht të jetë i pëlqyeshëm për opozitën” thonë shakaxhinjtë e qeverisë.
Çështja e shkarkimit të Presidentit ka ngjallur debate interesante. Njoh njerëz që janë kritikë sa dhe unë ndaj regjimit Rama por me kollajllëkun më të madh thonë se gëzohen po të qërohet Meta nga presidenca. Duket açik që ata motivohen nga antipatia personale e partiake. Unë në po atë kandar do të vija edhe ithtarët e Ilirit, për të cilët Meta do të mbetej një Skënderbe i Dytë që mblodhi Kuvendin e Lezhës në 2 mars 2020 edhe sikur ai të dënohej një ditë në Hagë për krime si Ratko Mladiç.
Asnjë nga këto palë nuk tenton të verifikojë nëse vërtet Presidenti i Republikës vërtet ka konsumuar “shkelje të rëndë të Kushtetutës” apo “krim të rëndë” siç mendojnë 104 deputetë të shumicës rilindisto-jeniçere që dy javë më parë votuan pro shkarkimit të tij. Ata argumentin moral, negativ apo pozitiv, e absolutizojnë ndërkohë që pushtetet e ndara e të kufizuara siç u konceptuan nga mendimtarët perëndimorë kanë të bëjnë më shumë me vullnetin e pushtetarëve e më pak me moralitetin e tyre.
Dhe aq më pak debatohet se çfarë do të thotë për kapjen e shtetit emërimi i një rilindisti në Presidencë.
Unë kam lexuar me njëfarë kureshtje por edhe me shumë durim të tërë raportin 92 faqesh ku deputetët paraqitën provat e tyre. Aty gjen një potpuri të vërtetash, gjysmë të vërtetash e të pa vërtetash që mund të thonë shumë për të akuzuarin e për akuzuesit përfshi edhe qortime me vend.
Por asgjë në raport nuk dëshmon për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose krim të rëndë të kryer nga Presidenti. Gjithsesi Gjykata Kushtetuese do të japë vendimin e saj dhe unë uroj shumë që të mos surprizohem si në rastin e mësipërm. Këtë e them jo vetëm nisur nga sensi i drejtësisë e druajtja nga precedenti problematik. E them sepse roli i Presidentit Meta ka qenë i spikatur, konsistent e argumentativ në denoncimin e korrupsionit legjislativ të pushtetit rilindist. Dekreti i tij së fundmi për kthimin për rishqyrtim të ligjit mbi rentën minerare, për këdo që ka lexuar arsyetimin, dëften se ligji është shkruar me abuzimin e favorizimin në mendje. Po kështu dekrete të tjerë kanë nxjerrë zbuluar ligje jo-kushtetuese por përherë të prerë me masë për të kënaqur me bollëk interesat e X apo të Y gjithmonë në kurriz të interesit publik.
Nëse dikush me nihilizëm do të thoshte se ç’ vlerë ka kjo kur këto dekrete rrëzohen pa një e dy nga shumica rilindiste, do të bënte mirë të mendonte se çfarë përfitimi ka një shoqëri kur mbetet injorante për abuzimet ndaj saj. Jo më kot Komisioni i Venecias kur u pyet në v. 2019 mbi tentativën e parë për shkarkimin e Metës ishte i mendimit se vendimmarrësit duhet të konsiderojnë nëse i bëhet mirë apo keq synimit të kontrolleve e balancës së pushtetit në një situatë kur parlamenti e tërë bashkitë dominohen nga një parti (serve or frustrate the goal of mutual checks and balances in a situation where Parliament and all municipalities are dominated by one party).
Prandaj në këto rrethana jo të mira për demokracinë e shtetin ligjor motoja mbetet “salvare il salvabile” (të shpëtojmë të shpëtueshmen) siç e thonë me humor të zi italianët. E nëse këndojnë sirena hakmarrëse dhe emocionale, për ta thënë me një metaforë nga Odiseu i Homerit, dylli në vesh të marinarëve kushtetues do të ishte përgjigja e duhur.