Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Europë në raport me mesataren e BE, por nga ana tjetër niveli i çmimeve në vendin tonë është në nivelet më të larta Rajonale pasi i afrohen më shumë mesatares së BE-së për vitin 2020.
Ndërsa në disa artikuj si komunikimi dhe ushqimet niveli i çmimit është i krahasueshëm me Bashkimin Europian madje edhe më i lartë.
Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri ishte sa 58 për qind e mesatares së BE-së me 2020. Maqedonia fqinjë e kishte këtë tregues 50%, Mali i Zi 57%, Bosnja 55%, Rumania 38%. Serbia i kishte nivelin e çmimeve sa 58% e mesatares së BE-së, i njëjti nivel sa me Shqipërinë.Por në Shqipëri çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Europës.
Eurostat përllogariti se më 2020 çmimet e artikujve ushqimore në Shqipëri ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu niveli më i lartë në Rajon. Kjo ecuri vërtetohet edhe me konsumin e brendshëm kur 42 për qind e shpenzimeve të përgjithshme mujore të shportës së mallrave shkojnë për blerjen e ushqimeve, niveli ma i lartë në Rajon (në shtetet e tjera arrin maksimumi ne 35% në Kosovë) dhe BE (ku vetëm 13% e shpenzimeve totale shkojnë për ushqime). Gjithashtu Shqipëria është e shtrenjta në Rajon edhe për veshjet. Çmimet e tyre i afrohen mesatares së BE-së me 96.2 % më 2020.
Në shërbimet e transportit dhe të komunikimit Shqipëria është më e shtrenjta. Tarifat e komunikimit janë më të larta se mesatarja e BE-së (108%). Ndër më të lirat janë çmimet e hoteleve dhe restoranteve (45.8% e mesatares së BE) duke lënë pas vetëm Turqinë dhe Maqedoninë që i kanë më të lira.
Europa
Sipas Eurostat në vitin 2020, nivelet e çmimeve për mallrat dhe shërbimet e konsumit ndryshuan shumë në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së.
Danimarka kishte nivelin më të lartë sa (141% e mesatares së BE), pasuar nga Irlanda dhe Luksemburgu (të dy 136%), Suedia (130%) dhe Finlanda (126%), ndërsa nivelet më të ulëta të çmimeve u gjetën në Rumani (55% ), Bullgaria (56%) dhe Polonia (58%) e mesatares së BE-së.
Në përgjithësi, nivelet e çmimeve për mallrat dhe shërbimet e konsumit në BE ndryshonin me pothuajse në të gjithë vendet anëtare.
Në vitin 2020, diferenca e nivelit të çmimit për restorantet dhe hotelet ishte tre herë më i lartë nga ë vendi më i shtrenjtë, në atë më të lirë. Nivelet e çmimeve varionin nga 46% të mesatares së BE në Bullgari, e ndjekur nga Rumania (53%) dhe Hungaria (56%), deri në 154% të mesatares në Danimarkë, përpara Suedisë (138%) dhe Finlandës (131%).
Alkooli dhe duhani renditen të dytët për sa i përket ndryshimit të nivelit të çmimeve, me nivelet më të ulëta të çmimeve të regjistruara në Bullgari (61%), Hungari (69%) dhe Poloni (70%) dhe më të lartat në Irlandë (187% të mesatares së BE) , e ndjekur në distancë nga Finlanda (158%), Suedia (136%) dhe Franca (133%). Ky ndryshim i madh i çmimeve është kryesisht për shkak të ndryshimeve në taksimin e këtyre produkteve midis Shteteve Anëtare.
Ushqimi dhe pijet joalkoolike ishin më të lira në Rumani (66% të mesatares së BE) dhe Poloni (68%), ndërsa ato ishin më të shtrenjtat në Danimarkë (129% të mesatares), Luksemburg (126%) dhe Austri (125%).
Veshjet janë një grup produktesh ku çmimet ndryshonin më pak midis Shteteve Anëtare, duke filluar nga 73% e mesatares në Hungari në 130% në Danimarkë. Pajisjet personale të transportit gjithashtu regjistruan një pabarazi më të vogël të çmimeve midis Shteteve Anëtare, me Poloninë (80% të mesatares së BE) më të lirë dhe Danimarkën (137%) më të shtrenjtë. Dallimet në çmime ishin gjithashtu të kufizuara për elektronikën e konsumit, nga 87% e mesatares në Poloni në 112% në Holandë dhe në Maltë./Monitor