Zhurma e zgjedhjeve të fundit lokale, të kontestuara që prej fillimit, vijon t’i përhapë valët saj e të dëgjohet edhe sot.
“Të zgjedhurve” në këtë garë me vetveten, iu zbuluan kohë pas kohe histori të cilat ia kishin fshehur votuesve atëherë kur i kërkonin t’i besonin drejtimin e fateve të tyre.
Sot, jo pak, por 5 bashki, nuk udhëhiqen më prej kryetarëve të përzgjedhur në garën e vitit 2019. Së fundmi pritet edhe shkarkimi i kryetarit të Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, i cili ka rezultuar i dënuar në mungesë në Greqi me 3 vite burg për përleshje dhe rrahje me persona të tjerë. Ndërkohë, në Vlorë vijon të jetë e tensionuar marrëdhënia mes kryetarit të Bashkisë, Dritan Lelit dhe kryeministrit Edi Rama.
Rasti i Mallakastrës
Pas denoncimit nga Partia Demokratike kundrejt kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj se ka gënjyer dhe falsifikuar formularin e dekriminalizimit, pritet edhe shkarkimi i tij,
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Qerim Ismailaj është dënuar në Greqi nga Gjykata e Chios me 3 vite burg në mungesë për veprën penale “Konflikti dhe përleshje”. Kjo vepër penale në Kodin tonë Penal korrespondon me veprën “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga ne 90/1 e cila sanksionon vetëm dënim me gjobë, vepër që nuk e prek ligji i dekriminalizimit. Por Ismailaj ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke mos e shkruar këtë dënim dhe për këtë ai akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Raste të ngjashme me atë Mallakastrës janë ndeshur edhe më parë. Bëhet fjalë për ish-kryetarët e bashkive të Vorës dhe të Shkodrës, të cilët dolën fitues në zgjedhjet lokale, unikale për periudhën e demokracisë në Shqipëri.
Rasti i Vorës dhe ai i Shkodrës
Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku u shkarkua me vendim të KQZ-së në formë unanime, me 5 vota pro.
Organi i akuzës konkludoi se gjyrmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve) të Kajmakut përputheshin me të “Jorgo Totos”, emër i përdorur prej tij gjatë qendrimit në Greqi. Kajmaku akuzohej për falsifikim të Formularit të Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave fallco. Pas konfirmimit të Prokurorisë, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.
Nga ana tjetër, përkundër pretendimit të ngritur nga PD-ja, Kajmaku deklaronte për mediat se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek dhe sipas tij, këto akuza kishin sfond politik.
Sot në krye të kësaj bashkie është vendosur një i emëruar dhe jo i zgjedhur, Gentian Picari.
Prej një tjetër denoncimi të ardhur nga selia blu për ngjarje që lidhnin kryebashkiakët e sapoemëruar me krimin, në qendër të vëmendjes mediatike u vu edhe rasti i Valdrin Pjetrit.
PD pretendonte se ai prekej nga ligji i dekriminalizimit pikërisht për shkak të ndalimit të tij në Itali në harkun njëvjeçar 2001-2002, duke shtuar se pas kthimit në Shqipëri, ai nuk kishte udhëtuar më në drejtim të shtetit fqinj për tetë vjet me radhë. Por, në formularin e vetëdeklarimit që kryebashkiaku i porsaemëruar i Shkodrës kishte dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk përmendte ndonjë dënim të dhënë ndaj tij nga autoritetet italiane.
“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër.
Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë!”, shkruante ai në momentin e dorëheqjes.
Voltana Ademi, ndonëse me mandat të përfunduar kushtetues prej gati dy vjetësh, vijon të jetë timonjere e kësaj bashkie.
Rasti i Rrogozhinës
Ish-kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare si pasojë e një infarkti. Ai po konsumonte kafe në një lokal në Peshkopi, ku ndodhej për të parë ndeshjen Korabi-Egnatia. Sot kjo bashki drejtohet nga nipi i tij, Edision Memolla, i cili mësohet se nuk ka mbajtur më herët ndonjë post në këtë bashki.
Dibër
Për Dionis Imerajn, të vendosur në krye të bashkisë së Dibrës, dorëheqja qe e detyrueshme pasi u angazhua në garën për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo është një taktikë që do të ndiqej me vonë edhe me homologun e tij në Vlorë, por ndryshe nga ai, Imeraj e priti me gëzim momentin e lënies së stafetës.
“Siç tanimë jeni informuar, kam vendosur t’i bashkohem padiskutim ekipit fitues të Partisë Socialiste për qarkun Dibër në zgjedhjet e 25 Prillit e të përfaqësoj Dibrën në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruante ai në rrjetet sociale.
Aktualisht kryetar në detyrë i kësaj bashkie është Shkëlqim Murrja.
Gafat që çuan në dorëheqjen e ish-kryetares së Bashkisë së Durrësit
Valbona Sako dha dorëheqjen pas zhurmës mediatike me të cilën u përball, shkaktuar prej dy gafave të saj në lidhje me pasojat që la pas tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të 2019-ës. Fillimisht, ndërsa fliste për mënyrën se si po zgjidhej çështja e akomodimit për banorët e Durrësit të mbetur jashtë shtëpive të dëmtuara, në një mënyrë që tingëllonte cinike ajo u shpreh se ata dërgoheshin në hotele me 5 yje, të cilat nuk do të mund t’i paguanin në rast pushimesh.
Gafa e dytë qe ajo që i dha një goditje edhe më të fuqishme, pasi u shpreh me doza optimizmi të tepruar për numrin e viktimave, që sipas përllogaritjeve të saj mund të kishte qenë edhe më i madh.
“Duhet të jemi të kënaqur edhe me 50 viktima, sepse në raste të tjera kanë qenë mbi 1000 viktima”, përçartej ajo asokohe.
Pas dorëheqjes së saj, në të njëjtën karrige u vendos Emirjana Sako.
Nën shënjestër për t’u shkarkuar, këtë herë prej vetë Partisë Socialiste është edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli i cili pati një marrëdhënie të tendosur fillimisht me drejtuesin politik të Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknurin dhe më pas me vetë kryeministrin, Edi Rama.
Leli është braktisur nga këshilltarët bashkiakë dhe prej pjesës dërrmuese të socialistëve prej rezistencës që ka bërë kundrejt urdhërave “të pakundërshtueshme” të ardhura nga lart.
Ai nuk iu përgjigj as ftesës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit, që ishte një mënyrë e tërthortë për ta bërë kurban e për ta larguar prej postit që mban në bashkinë e qytetit të tij. Emri më i lakuar që mendohet se mund t’i zërë vendin është ai i Afrim Qendros, krahut të djathtë të Damian Gjiknurit.
Më 23 qershor Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë padinë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019. Në nenin 61 të ligjit për vetëqeverisjen vendore përcaktohet qartë procedura që ndiqet pas përfundimit para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reflektim për zgjedhjet më atipike në historinë e demokracisë shqiptare, i cili do të mund të shprehet përmes një gare të re të parakohshme, që duket se është krejt e nevojshme në një kohë kur 10% e bashkive janë të boshatisura. /Lapsi/