Organizata Pan-Shqiptare “Vatra” në SHBA e quan “masë ekstreme” vendimin e shpalljes non-grata nga DASH të ish-kryeministrit Sali Berisha. Federata Pan – Shqiptare e Amerikës Vatra shprehet se e ka ndjekur me shqetësim të madh shpalljen e Berishës, person “non grata”, nga kreu i Departamentit të Shtetit Amerikan.
Në një deklaratë të gjatë, Vatra kujton kontributin e Berishës në rrëzimin e komunizmit, arritjet në arenën ndërkombëtare si anëtarësimi në NATO, apo mundësimi i lëvizjes pa viza në zonën Shengen, si dhe marrëdhëniet e mira me drejtuesit e SHBA-ve ndër vite.
“Ne shqiptaro – amerikanët të mbledhur rreth Vatrës, kemi ngelur të habitur nga shpallja non – grata e dr. Sali Berishës, pasi deri në atë ditë tek ai ne kemi parë njeriun më të dashur të Amerikës në Ballkan”, thuhet më tej në reagim.
Ashtu si Berisha, edhe për Vatrën, vendimi i DASH erdhi si pasojë e qëndrimit të ish-kryeministrit për çështjen e Kosovës.
Organizata deklaron se do i kërkojë shpegime për vendimin administratës Biden.
“Kohët e fundit ai ishte angazhuar në një luftë të pa kompromis kundër tërë atyre që po përgatisnin ndarjen territoriale të Kosovës të cilën ai e konsideroi si një hapje të ‘Kutisë së Pandorës’ në Ballkan. Rreziku që mbarte kjo inisiative lobesh anti – shqiptare u vërtetua me urdhrin ekzekutiv që lëshoi Presidenti Biden, pak ditë më pare, dhe që shkon plotësisht në një vije me kundërshtimin që dr. Sali Berisha iu bënte planeve të tilla. Shpallja ‘non grata’ e dr. Sali Berishës për ne vatranët – shqiptaro – amerikanë, ka me vete shumë pikëpyetje. Natyrisht, si shtetas amerikanë, neve kemi arsye të besojmë tek shteti ynë këtu. Megjithatë, në situatën kur nuk jepen argumenta dhe evidenca mbi të cilat është bazuar ky vendim kjo na bën të mendojmë se më shumë sesa një masë e marrë bazuar në principe amerikane, ajo është marrë nën trysni grupesh lobiste për interesa të caktuara. Ne dyshojmë se ato interesa nuk janë as në të mirë të Amerikës tonë dhe as në dobi të Shqipërisë tonë. Akuzat ndaj një miku të shqiptaro – amerikanëve e veçanërisht të vatranëve, siç është dr. Berisha, pas tetë vitesh në pension, dhe pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë evidencë apo prove konkrete, pa asnjë akt padi të ngritur në jetën e tij, na kanë shqetësuar pa masë”, thuhet në reagim.
“Anëtarët e Federatës Pan – Shqiptare VATRA, kudo që jetojnë në të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’u kërkojnë përfaqësuesve të popullit amerikan, për të cilët ata kanë votuar, që të ngrenë këtë problem me të drejtën e tyre që kanë për t’i kërkuar shpjegime administratës së z.Biden të argumentojnë me fakte vërtetësinë e akuzave që kanë sjellë një masë të tillë kaq ekstreme. Në të kundërt ata duhet të lirojnë dr. Berishën nga barra e një përgjegjësie morale e cila nuk i përket vetëm atij dhe nuk i nderon as ata që e kanë aplikuar atë, nëse nuk kanë fakte. Në pritje të një përgjigje nga ana e autoriteteve mbetemi besimplotë se kjo çështje do të sqarohet në një të ardhme të afërt”, mbyllet reagimi.
Organizata Vatra me qendër në Nju Jork u krijua në prill 1912 në Boston, nën drejtimin e Fan Nolit dhe Faik Konicës, si bashkim i shumë organizatave më të vogla në komunitetet shqiptare, kryesisht të verilindjes amerikane. Sot, pas më tepër se një shekulli, ajo ende ekziston.
***
Reagimi i plotë
Federata Pan – Shqiptare e Amerikës, Vatra, e ka ndjekur me shqetësim të madh shpalljen e dr. Sali Berishës, person “non grata”, nga kreu i Departamentit të Shtetit Amerikan. Kjo për arsye se në fundin e viteve ’90 ishte dr. Sali Berisha ai që u ngrit kundër regjimit komunist i cili kishte ekzekutuar, burgosur dhe internuar me mijëra shqiptarë, thjesht dhe vetëm pse ne, të afërmit e tyre, kishim ikur nga diktatura dhe ishim vendosur këtu në Amerikë. Ishte dr. Sali Berisha ai, që iu priu protestave të studentëve shqiptarë në dhjetorin e vitit 1990 e më pas luftoi me guxim e trimëri për përmbysjen e regjimit gjakatar komunist dhe vendosjen e demokracisë.
Ishte lidershipi i dr. Sali Berishës që e ktheu Shqipërinë nga vendi më armiqësor ndaj Amerikës në popullin më mik të saj. Sot, shumica absolute e shqiptarëve e shohin Amerikën si vendin e tyre të dytë, më të dashur në botë. Ishte dr. Sali Berisha, si lider i opozitës demokratike të asaj kohe ai, që priti Sekretarin e Shtetit James Baker në krye të një mase qindramijëshe, në Marsin e vitit 1991, kur u ri-vendosën marrëdhëniet diplomatike, të ndërprera prej vitit 1939.
Ishte po ai që, në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në vitin 1992, shkeli për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë. Aty, ai mori mbështetje nga Presidenti George H Bush për mos – prekjen e kufijve të Kosovës nga Milosheviçi si dhe statusin e Kombit më të Favorizuar në Tregëti me Amerikën. Ishte po ai, që u prit në Shtëpinë e Bardhë edhe nga Presidenti Clinton në vitin 1995. Në vitin 1997 ai doli në opozitë dhe pas 8 viteve, në vitin 2005, ai u kthye përsëri në krye të qeverisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe ai arriti të ndërpriste rrugët e trafiqeve të paligjshme, të instalonte shtetin e së drejtës, t’i jepte hapësirë të plotë shtypit dhe sipërmarrjes së lirë dhe të ndërtonte një infrastrukturë moderne në bashkëpunim me kompanitë amerikane, në Shqipërinë e rrënuar nga komunizmi.
Mbi të gjitha ai arriti të plotësonte të gjitha kushtet që Shqipëria të bëhej anëtare e organizatës më të madhe politike ushtarake, NATO – s. Anëtarësimin e saj në këtë organizatë e deklaroi vetë Presidenti Amerikan George W Bush, në Tiranë, me datën 10 qershor 2008. Ai e ruajti miqësinë edhe me Presidentin Barack Obama dhe Sekretaren e Shtetit zonjën Hillari Clinton, e cila e vizitoi Shqipërinë në kohën kur ai ishte Kryeministër, në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Gjatë termit të dytë si KM të dr. Berishës, shqiptarët për herë të parë morën statusin e lëvizjes së lirë në zonën evropiane Shengen, ndërkohë që Shqipëria hapi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Bazuar në një proces zgjedhor demokratik, të lirë dhe të ndershëm, të cilit ai vetë i kishte prirë për vite të tëra, ai i humbi zgjedhjet e vitit 2013 dhe bëri kalimin e butë të pushtetit nga qeveria e partisë së tij demokratike tek ajo socialiste.
Që prej asaj dite, ai nuk ka mbajtur asnjë post ekzekutiv. Asnjë nga anëtarët e familjes së tij nuk kanë mbajtur ndonjëherë poste në zyra qeveritare, në asnjë qeveri të Shqipërisë.
Si opozitar, ai u kthye në zërin e njerëzve të thjeshtë të atij populli duke denoncuar vazhdimisht keqbërjet dhe korrupsionin galopant të qeverisë së sotme socialiste.
Që në vitin 2013 qeveria socialiste vazhdon të qëndroje në pushtet, bazuar në elementët anti demokratike siç janë manipulimi dhe vjedhja masive e votave, (2017, 2019, 2021) bashkëpunimi me krimin e organizuar, trafikun e qenjeve njerëzore dhe drogave, zgjedhjet pa opozitë, ndarjen e parasë publike me oligarkët, kontrollin e mediave dhe drejtësisë, etj. Të gjitha këto janë vënë re nga organizmat ndërkombëtare përfshirë edhe vetë Departamentin e Shtetit Amerikan, i cili raporton çdo vit rënie drastike të Shqipërisë në listën e vendeve më të korruptuara në botë. Kundërshtari më I vendosur I tërë këtyre keqbërjeve ka qenë vetë dr Sali Berisha, tanimë në opozitë dhe në pension.
Federata Pan – Shqiptare e Amerikës, rreth së cilës mblidhen qindra mijëra shqiptaro – amerikanë, e kanë konsideruar dr. Sali Berishën si mikun e tyre të vërtetë, si njeriun që e hapi Shqipërinë ndaj perëndimit dhe në veçanti ndaj Amerikës; Tek dr. Berisha neve kemi parë mikun e Amerikës dhe për sa kohë ai ka qenë në pushtet mikun e të gjithë presidentëve me radhë, Geroge H. Bush, Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama.
Ne shqiptaro – amerikanët të mbledhur rreth Vatrës, kemi ngelur të habitur nga shpallja non – grata e dr. Sali Berishës, pasi deri në atë ditë tek ai ne kemi parë njeriun më të dashur të Amerikës në Ballkan. Kemi parë njeriun që bëri aq shumë për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar, e në veçanti për Kosovën. Kohët e fundit ai ishte angazhuar në një luftë të pa kompromis kundër tërë atyre që po përgatisnin ndarjen territoriale të Kosovës të cilën ai e konsideroi si një hapje të “Kutisë së Pandorës” në Ballkan. Rreziku që mbarte kjo inisiative lobesh anti – shqiptare u vërtetua me urdhrin ekzekutiv që lëshoi Presidenti Biden, pak ditë më pare, dhe që shkon plotësisht në një vije me kundërshtimin që dr. Sali Berisha iu bënte planeve të tilla.
Shpallja ‘non grata’ e dr. Sali Berishës për ne vatranët – shqiptaro – amerikanë, ka me vete shumë pikëpyetje. Natyrishit, si shtetas amerikanë, neve kemi arsye të besojmë tek shteti ynë këtu. Megjithatë, në situatën kur nuk jepen argumenta dhe evidenca mbi të cilat është bazuar ky vendim kjo na bën të mendojmë se më shumë sesa një masë e marrë bazuar në principe amerikane, ajo është marrë nën trysni grupesh lobiste për interesa të caktuara. Ne dyshojmë se ato interesa nuk janë as në të mirë të Amerikës tonë dhe as në dobi të Shqipërisë tonë.
Akuzat ndaj një miku të shqiptaro – amerikanëve e veçanërisht të vatranëve, siç është dr. Berisha, pas tetë vitesh në pension, dhe pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë evidencë apo prove konkrete, pa asnjë akt padi të ngritur në jetën e tij, na kanë shqetësuar pa masë.
Antarët e Federatës Pan – Shqiptare VATRA, kudo që jetojnë në të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’u kërkojnë përfaqësuesve të popullit amerikan, për të cilët ata kanë votuar, që të ngrenë këtë problem me të drejtën e tyre që kanë për t’i kërkuar shpjegime administratës së z. Biden të argumentojnë me fakte vërtetësinë e akuzave që kanë sjellë një masë të tillë kaq ekstreme. Në të kundërt ata duhet të lirojnë dr. Berishën nga barra e një përgjegjësie morale e cila nuk i përket vetëm atij dhe nuk i nderon as ata që e kanë aplikuar atë, nëse nuk kanë fakte.
Në pritje të një përgjigje nga ana e autoriteteve mbetemi besimplotë se kjo çështje do të sqarohet në një të ardhme të afërt.