Një sondazh i kompanisë “IDRA”, financuar dhe mbështetur nga OSBE dhe ambasada gjermane, nxorri se rreth gjysma e të pyeturve vlerësonin figurën dhe kontributin e Enver Hoxhës.
Sondazhi u kritika ashpër për rezultatet që dha, ndërkohë që ish kryeministri Berisha tha se ai ishte financuar nga Edi Rama dhe shprehu keqardhjen për pjesëmarrjen në aktivitet të ambasadorit të OSBE¬së. Sot, në një shkrim të botuar në gazetën “Panorama” me titull “Media, analistët dhe një anketë”, drejtori ekzekutiv i “IDRA”, tregon detajet e këtij sondazhi kaq shumë të debatuar.
NGA AURON PASHA
Anketa e realizuar nga IDRA, e mbështetur nga prezenca e OSBE¬se në Shqipëri, ia arriti që të sjellë në axhendën e diskutimit publik çështjen e debatit dhe përballjes me të kaluarën komuniste. Nga kjo pikëpamje mund të quhet mision i arritur. Ky ishte një objektiv themelor i projektit për ta sjellë këtë debat në shoqërinë e sotme shqiptare, që po përjeton një demokracitë paarrirë. Nga ana tjetër, qartazi u dukën keqkuptime e deri keqinterpretime (të qëllimshme apo të paqëllimshme) në trajtimin që iu bë çështjeve dhe rezultateve të dala nga studimi.
Nuk dua të trajtoj këtu elemente që kanë të bëjnë me politizimin e çështjes (që vështirë t’i shmangesh në Shqipëri edhe kur bie puna, të flasësh për temperaturat e motit), por dua të ndalem në disa pika të qasjes analitike që dolën gjatë trajtimit të rezultateve nga mediume dhe analistë të ndryshëm. Për të hedhur pak më shumë dritë, në elemente teknike dhe përmbajtjesore që do të ndihmonin në një analizë më të vlefshme.
1. METODOLOGJIA DHE KAMPIONIMI– PËRMENDET SHUMË, POR KUPTOHET PAK…
Elementi i parë që “sulmohet” zakonisht kur diskutohen të dhënat e një ankete është metodologjia e saj. Dhe këtu ka keqkuptime dhe mosnjohje të madhe të çështjeve, që e përbëjnë një metodologji të përzgjedhjes së një kampioni përfaqësues të popullsisë. Pa u futur në elemente teknike të thelluara do të trajtoj përkitas dy tregues: (a) Madhësinë e kampionit dhe (b) Përzgjedhjen e të anketuarit. Në lidhje me madhësinë e kampionit pati komente që shprehnin dyshime mbi rezultatet sikur kampioni i anketës (995 intervista të suksesshme) nuk ishte i mjaftueshëm (pra: ishte i vogël).
Ka një parametër të përcaktuar, i cili thotë se sa i pranueshëm është një kampion, nga pikëpamja e madhësisë (duke presupozuar se mënyra e përzgjedhjes është rastësore, e tillë, që u jep të gjithë njerëzve shansin për t’u përzgjedhur). Ky parametër është e ashtuquajtura “toleranca e gabimit”, që ka një mënyrë statistikisht të matshme bazuar në madhësinë e kampionit. Dhe rritja përtej një shkalle të caktuar të madhësisë së kampionit, nuk sjell përfitime të mëdha në uljen e “tolerancës se gabimit”. E thënë shumë thjesht, nëse toleranca e gabimit për rezultatet agregate të anketës së IDRA-s me këtë madhësi kampioni (995 intervista) është ±3.2% (që do të thotë se nëse e bëjmë 100 herë këtë anketë në 95 raste, rezultatet nuk do të lëvizin me shumë se ±3.2%), kjo tolerancë e gabimit, nëse e rrisim kampionin ne 3000 veta (rritje trefish), arrin në vetëm ±2%. Ky është një përfitim i ulët nga një rritje kaq drastike e kampionit. Prandaj, kampionet në nivele kombëtare janë të nivelit 1000¬1200 persona, edhe për vende të cilat janë dhjetëra herë më të mëdhenj se Shqipëria në popullsi. Sekreti qëndron te përzgjedhja e të anketuarit.
A i jepet e njëjta mundësi çdo personi të popullatës që të përzgjidhet në këtë anketë? Për këtë IDRA përdor një metodologji shumë strikte të provuar tashmë, që e ndan Shqipërinë në njësi të vogla gjeografike kampionimi, të bazuar në zonat që përcaktohen nga qendrat e votimit.
Çdo qendër/ zonë gjeografike shtresëzohet sipas pozicionit urban apo rural dhe ka një algoritëm që përzgjedh të gjitha pikat e kampionit në mënyrë rastësore, në të gjithë Shqipërinë. Brenda asaj zone gjeografike që përzgjidhet (100 pika të rastësishme në të gjithë hapësirën e Shqipërisë) ka një metodologji tjetër se si procedohet në terren, se kujt dere i trokitet dhe se cili person brenda familjes përzgjidhet për t’u anketuar. E gjitha kjo për të thënë që procedurat sigurojnë në maksimumin e mundshëm që përzgjedhja të jetë rastësore. Prandaj, nuk ka asnjë kuptim të flitet “se varet nëse anketa ka përfshirë persona që kanë pasur nostalgji për periudhën komuniste, apo persona që nuk e kanë dashur atë sistem etj., etj.”. Anketa ka sjellë një fotografi të opinionit të një kampioni
PËRFAQËSUES të popullsisë.
Ky kampion është përfaqësues nga pikëpamja e gjinisë, moshës, edukimit, statusit të punësimit etj. Po kësilloj, ai është plotësisht i mjaftueshëm nga pikëpamja statistikore për të nxjerrë të dhëna në nivel kombëtar.
2. PERIFRAZIMI I REZULTATEVE– RREZIK I DEFORMIMIT TË MESAZHIT TË VËRTETË
Është e vërtetë që nuk mund t’i shmangesh dot perifrazimit që u bëhet rezultateve të një ankete. Media për të tërhequr sa më shumë audiencë krijon tituj bombastikë perifrazues, por këta të fundit, për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, përfundojnë të jenë i vetmi informacion përmbajtjesor mbi anketën. Kësisoj, çdo gjykim, nga kjo pjesë e popullsisë, fillon e formohet vetëm nga një titull që ka perifrazuar (shpesh edhe në mënyrë tërësisht jokorrekte) një rezultat të dalë nga anketa. “Shqiptarët duan Enver Hoxhën!”, “Sa e duam Enver Hoxhën?” ”XX% e shqiptarëve duan Enver Hoxhën”. Tituj të tillë janë dëgjuar këto ditë. Sa korrekte është kjo? Së pari, një pyetje e tillë nuk ka qenë pjesë e anketës. Është një gjë të pyesësh se “A e doni Enver Hoxhën”, dhe një gjë tjetër “Si e vlerësoni rolin e tij në historinë e Shqipërisë?”. Këto nuk janë pyetje që kanë prerje të njëjtë. Së dyti, ne jemi treguar shumë të kujdesshëm që të formulojmë pyetje që shmangin pasinqeritetin në përgjigje. Qëllimi ka qenë të nxirren sa më shumë ngjyrime nga opinionin publik për këto çështje të së kaluarës. Pra, të mos ngelet gjykimi vetëm i vështrimit “bardhezi”, por të zbulojmë sa më shumë shtresa nga “opinioni” i përballjes me të kaluarën; e që kjo të mos jetë një çështje sipërfaqësore, por një çështje që jep mundësi gjykimi nga shumë kënde. Për këto arsye, perifrazimi duhet shmangur, ose më e pakta, të ndodhë pasi është kuptuar tërësia e rezultateve të anketës.
3. “KONTRADIKTAT” E PËRGJIGJEVE TË PUBLIKUT DHE “TERRITORE PËRJASHTUESE’ TË OPINIONIT
Një element tjetër që u vu re në disa diskutime mediatike kishte të bënte me të ashtuquajturat “kontradikta” të rezultateve të studimit. Përgjithësisht, këto komente bëheshin për shkak se studimi nuk ishte lexuar si duhej dhe vlerësimi bëhej aty për aty me copëza rezultatesh. Pra, nuk dukej të ishte marrë ndonjë kohë e duhur për të “përtypur” rezultatet në tërësi. Është e rëndësishme që të përmend një parim të rëndë- sishëm, i cili duhet mbajtur parasysh në këto raste. Pyetjet që “duken se japin kontradikta” në gjykim janë pikërisht aty për të hedhur më shumë dritë mbi opinionin, me qëllim që të mos jetë kjo një çështje thjesht përgjigjeje “po” apo “jo”. Kësilloj, nëse shqiptarët në masë të madhe thonë se: “tani jetojnë me mirë se në kohën e komunizmit” është një gjetje e rëndësishme për të analizuar edhe faktin/faktorët sepse një pjesë e tyre e vlerësojnë rolin e Enver Hoxhës si “pozitiv” për Shqipërinë. Këto nuk janë territore tërësisht të shkëputura, ku personi duhet të bëjë pjesë me përgjigjen e tij vetëm në njërin territor ose në tjetrin.
4. BOSHTI I REFERENCËS SË GJYKIMIT TË PUBLIKUT–I LIDHUR ME TË TASHMEN
Këtu po dal pak jashtë trajtimit klinikosteril të çështjes së rezultateve të anketës dhe po ofroj edhe një vlerësim personal për sa i përket mënyrës së analizës së shumë prej të dhënave që kanë të bëjnë me perceptimin e së kaluarës komuniste. Përgjithësisht mediat, por edhe politikanët, kur diskutojnë të shkuarën e bëjnë këtë “për të shpjeguar të tashmen” dhe në njëfarë mënyre “për të parashikuar të ardhmen”. Pra, ka një lloj narrative që mundohet të vendosë një lidhje shkakësore midis ngjarjeve të së shkuarës, së tashmes dhe asaj që pritet të ndodhë. Është e pashmangshme që edhe publiku i gjerë, kur i kërkohet të “rindërtojë të shkuarën”, ta bëjë këtë duke u nisur nga perspektiva e së tashmes. Prandaj është më se e qartë që shumë nga dimensionet që kërkohet të vlerësohen për të kaluarën kalojnë në filtrin e vlerësimit të së tashmes se tyre. Kjo është një kambanë e rëndësishme për politikën dhe politikanët.
5. MESAZHET E TJERA TË RËNDËSISHME TË ANKETËS
Së fundmi, anketa kishte shumë gjetje të rëndësishme, të cilat pothuajse u anashkaluan nga media, analistët dhe sidomos nga politika. Kështu, anketa tregoi se publiku qartazi ka një ndjesi të fortë lustracioni për figurat publike të lidhura me të shkuarën. Rreth 78% e publikut të anketuar pohon se “Figurat/zyrtarët publike aktuale duhet të japin dorëheqje nga pozicioni i tyre publik, nëse rezulton se “kanë qenë të lidhur me Sigurimin e Shtetit”. Po kësilloj shprehen në shifra të larta (75%) se “informacioni për lidhjet e figurave publike të sotme me Sigurimin e Shtetit duhet të bëhet publik”. Njerëzit gjithashtu vlerësojnë (rreth 70%) se “hapja e dosjeve” është një proces shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Megjithatë, mësimi kryesor që del nga anketa është se informacioni, diskutimi, debati për periudhën komuniste, është shumë i mangët. Kemi fshehur “kokën në rërë si struci” dhe shoqëria nuk po përballet si duhet me këtë periudhë të errët të historisë sonë. Shpresoj që anketa ia arriti të ndezë disa shkëndija për t’u parë mirë në pasqyrë dhe për të reflektuar. *Drejtor ekzekutiv i IDRA¬s