Nga Boldnews.al
Kur Ylli Manjani deklaroi në mars 2017, se vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, në fund të vitit 2016 ishte bërë pa u mbledhur fare qeveria, shumëkush e konsideroi si “shpërthim tipik” të ish-ministrit të Drejtësisë pas largimit nga detyra.
Më tej, edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, duke denoncuar aferën e inceneratorëve në shkurt të vitit 2021, deklaroi se disa vendime qeveritare për këtë çështje janë ndërmarrë pa u mbledhur aspak Këshilli i Ministrave.
Sërish heshtje.
Tashmë është Gjykata Kushtetuese që konstaton vendime “në ajër” të Këshillit të Ministrave. Dhe jo vetëm kaq.
Në çështjen për shkarkimin e ish-kryebashkiakut të djathtë të Vaut të Dejës, Zef Hila, shqyrtimi në Kushtetuese zbuloi se Këshilli i Ministrave ka “manipuluar” me aplikimin e atyre që i ka konsideruar në mënyrë abuzive si “informacion i klasifikuar sekret shtetëror”.
Në një plan më të përgjithshëm, kjo çështje tregon se përse e kishte të nevojshme dhe se si e ka shfrytëzuar qeveria “Rama” mungesën e Gjykatës Kushtetuese për rreth 3 vite, për të arritur qëllimet e tij propagandistike dhe të pabazuara ligjërisht.
Shkarkim i padrejtë
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë fundjavë vendimin e marrë në maj të këtij viti, ku u konstatua se në procesin e shkarkimit të Zef Hilës, në qershor 2019, “nuk janë respektuar në nivelin minimal e drejta për t’u njoftuar dhe e drejta për t’u dëgjuar”.
Vendimi ka ndarë 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në të paktën tre mendime pakice, në shumatore të të cilave gjithësesi u arrit kuorumi i nevojshëm për të vendosur në favor të kërkuesit Zef Hila sa i përket shkarkimit të padrejtë.
Ngjarja
Në 27 qershor 2019, tre ditë para zgjedhjeve lokale të atij viti, përfaqësues dhe aktivistë të opozitës së djathtë organizuan në Vaun e Dejës një protestë, për të kundërshtuar vendimin e maxhorancës së Edi Ramës për të mos pranuar dekretin e Presidentit të Republikës, i cili vendosi shtyrjen e procesit elektoral për shkak të mungesës së opozitës.
Protesta u shoqërua me djegien e materialeve zgjedhore. Qeveria konsideroi kryebashkiakun e djathtë në detyrë në atë kohë, Zef Hila, se ishte organizator i atyre që i konsideroi si “protesta të dhunshme”.
Hila u procedura penalisht nga Policia e Shtetit, e cila referoi materialet në Prokurorinë e Shkodrës për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës”, “dëmtimit të materialit zgjedhor” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë”, megjithëse nuk kishte asnjë provë se ai ishte përfshirë drejtëpërdrejtë në këto veprime.
Një ditë më pas, në atë që e konsideroi si “kushtet e urgjencës”, Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Brendshëm, ka marrë vendimin nr. 445, datë 28.06.2019 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë Vau i Dejës, z. Zef Hila”, me motivacionin “për shkak të shkeljeve të rënda”.
Vendimi u parapri nga një deklaratë e Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Sandër Lleshaj, si edhe nga një vendim i shpallur, por ende i pamiratuar nga Këshilli i Ministrave, i kryeministrit Edi Rama në rrjete sociale.
Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 02.07.2019, ndërkohë që rezulton se i është njoftuar Hilës në 21 korrik të po atij viti.
Pas këtij vendimi, Zef Hila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar rrëzimin e këtij vendimi. Në kërkesën e tij, ai argumenton se vendimi është marrë në kundërshtim me procesin e rregullt ligjor, pasi nuk është dëgjuar dhe nuk ka dhënë argumentat e tij.
Gjithashtu, Hila pretendoi në kërkesë se ai nuk është përgjegjës për veprimet e atribuuara nga Këshilli i Ministrave, pasi prokuroria e Shkodrës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal ndaj tij.
Rasti “Hila” u mor në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese rreth dy vjet me vonesë, për shkak të mungesës së gjyqtarëve.
Shkeljet
Shqyrtimi gjyqësor në Kushtetuese konstatoi se nuk ka asnjë të dhënë zyrtare se Këshilli i Ministrave ka zhvilluar mbledhje të rregullt për të marrë vendimin ndaj Zef Hilës.
“Ndonëse iu kërkua nga Gjykata, subjekti i interesuar (Këshilli i Ministrave) nuk ka paraqitur të dhëna dhe as dokumente për të dëshmuar thirrjen e kësaj mbledhjeje, rendin e ditës, vendin e zhvillimit të saj ose pjesëmarrësit në të, duke pretenduar se aktet që përmbajnë këto të dhëna ekzistojnë, por nuk mund të paraqiten për shqyrtim në Gjykatë, pasi janë të mbrojtura nga konfidencialiteti”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave në procesin gjyqësor deklaruan se qeveria mund të përdorë edhe mediume të tjera për të zhvilluar mbledhjet, përfshirë ato on-line, megjithëse përcaktimet ligjore parashikojnë rregulla strikte për organizimin e tyre.
Pavarësisht këtij qëndrimi, Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur të krijojë bindjen dhe të sigurojë prova për zhvillimin e mbledhjes.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave ka parashtruar se vendimi për shkarkimin e Hilës është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave dhe në kushtet e urgjencës për shkak të situatës së krijuar në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës.
Për të mbështetur këtë pretendim, Këshilli i Ministrave ka parashtruar fillimisht se dispononte informacion të klasifikuar sekret shtetëror që tregonte cënimin e interesit publik.
Pasi iu dha koha e nevojshme nga Gjykata për të deklasifikuar informacionin, “Këshilli i Ministrave e paraqiti në gjykim dhe nga përmbajtja rezultoi se bëhej fjalë për një raport të hartuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me të njëjtën përmbajtje faktike që ishte pasqyruar në relacionin shoqërues të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kërkuesit, i cili nuk ishte klasifikuar asnjëherë si sekret shtetëror”.
Në vijim, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe pretendimin e Këshillit të Ministrave se shkarkimi i kryebashkiakut të Vaut të Dejës kishte karakter urgjent.
Qeveria pretendoi se me shkarkimin e Hilës synohej parandalimi i veprave penale që ishin në zhvillim.
Por, Gjykata Kushtetuese çmon se, duke qenë se faktet që iu atribuuan Zef Hilës ishin penale, parandalimi të tyre nuk varej nga vijimi ose jo në detyrë i tij, por nga veprimtaria e organeve ligjzbatuese.
“Procedura urgjente e shkarkimit nga detyra nuk sillte ndikim jo vetëm në drejtim të administrimit të Bashkisë së Vaut të Dejës, por as në drejtim të ndërprerjes dhe parandalimit të veprave penale në territorin e kësaj bashkie, për të cilat vepron një mekanizëm i ndryshëm institucional, sipas rregullave ligjore të tjera”, thotë Gjykata Kushtetuese.
Dhe, duke argumentuar se vendimi për shkarkimin e Zef Hilës nuk ishte në kushtet e emergjencës, Gjykata Kushtetuese u rikthehet elementëve të procesit të rregullt ligjor.
Në shqyrtim, u konstatua i drejtë pretendimi i ish-kryebashkiakut të Vaut të Dejës se ai nuk është pyetur dhe nuk ka realizuar mbrojtje efektive, duke iu hequr e drejta të parashtrojë faktet e tij.
Shumica e anëtarëve të Gjykatën Kushtetuese, e përbërë nga Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja, vlerëson se “në procesin e shkarkimit të kërkuesit nuk janë respektuar në nivelin minimal e drejta për t’u njoftuar dhe e drejta për t’u dëgjuar, edhe pse nuk rezulton të ketë pasur shkak ligjor për të mos respektuar këto të drejta”.
Vendim i copëzuar
Dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Altin Binaj dhe Elsa Toska, kanë mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga shumica.
Sipas “mendimit të pakicës” së tyre, që shoqëron vendimin, Këshilli i Ministrave ka ndjekur rigorozisht procedurat dhe ka përdorur si duhet parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative për standartin e arsyetimit të vendimit.
Gjithashtu, vendimi shoqërohet edhe me një “mendim pakice” tjetër, të nënshkruar nga gjyqtarët Altin Binaj dhe Fiona Papajorgji. Ata kundërshtojnë në pjesën më të madhe vendimin e shumicës, por gjithësesi bien dakord se Këshilli i Ministrave nuk ka respektuar parimin e “arsyetimit të urgjencës” për shkarkimin e Zef Hilës.
Ndërkohë që konstatoi proces të parregullt ligjor, Gjykata Kushtetuese nuk arriti kuorumin e nevojshëm prej 5 anëtarësh për të pranuar kërkesën e Zef Hilës, sipas të cilës është shkarkuar nga detyra në mungesë të “shkeljeve të rënda” gjatë ushtrimit të detyrës, siç pretendohet nga Këshilli i Ministrave.
Gjykata informon se për këtë pikë votat janë ndarë 4-3. Në favor të kërkesës së Hilës janë shprehur 4 anëtarët Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Përparim Kalo.
Ndërsa, kundër kësaj kërkese janë shprehur Altin Binaj, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.