Nga BoldNews.al
Tashmë që Parlamenti formalizoi me 104 vota shkarkimin e presidentit Ilir Meta, vëmendja e politikës është zhvendosur tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë nëse kreu i Shtetit ka shkelur apo jo Kushtetutën dhe, nëse po, a mund të jenë ato aq të rënda, sa të konfirmohet vullneti i deputetëve të maxhorancës plus “opozitës” në Kuvend.
Analiza të shumta, kryesisht në media pro-qeveritare, parashikojnë një vendim 5-2 të Gjykatës Kushtetuese në favor të maxhorancës së Edi Ramës dhe, me pasojë, largimin e Metës nga detyra e lartë shtetërore.
Ky parashikim bazohet apriori në disa indikatorë, të cilët jo domosdoshmërisht përbëjnë shkak për t’u marrë si të vërteta absolute.
Sipas analizës “së majtë”, pavarësisht se në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë mbërritur ende argumentat e maxhorancës, për shkarkimin e Metës do të votojnë Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Altin Binaj dhe Përparim Kalo.
Dhe, sipas të njëjtës prognozë, në favor të Metës do të votojnë anëtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja.
Mediat e majta, të bindura se Meta ka kryer shkelje, vlerësojnë se Xhaferllari dhe Bejtja do të votojnë pro Presidentit, pasi “janë emërime të tij”.
Nëse pranohet kjo analizë apriori, pra që dy anëtare janë “të Metës”, atëherë edhe e kundërta duhet të pranohet e vërtetë, që 5 anëtarët e tjerë janë “të Ramës”.
Por, kjo situatë, megjithëse nuk thuhet nga mediat e majta, mund të konfirmojë që qeveria kontrollon plotësisht edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të dilte shumë më e pavarur, pas Reformës në Drejtësi.
Por, argumentat e “qeveritarëve” çalojnë shumë dhe vlen të analizohet më thellësisht situata.
Peshorja e pushtetit
Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që duhet të jenë në zyrë.
Në krye është Vitore Tusha, një anëtare me mandat përtej limitit kushtetues, e vetmja që qëndroi në detyrë pas procesit të Vetingut.
Tusha nuk është zgjedhur as nga Presidenti dhe as nga Parlamenti. Ajo ka ardhur si emërim i gjyqësorit, nëpërmjet formulës së vjetër kushtetuese.
Pra, konsiderimi i saj apriori si votë kundër Metës, vetëm pse nuk është zgjedhur nga Presidenti, nuk do të thotë që ajo është pro-Parlamentit, për të njëjtin shkak, se nuk është zgjedhur nga deputetët.
Parlamenti ka emëruar 3 gjyqtarë, sipas formulës së re kushtetuese, e konkretisht; Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Altin Binaj.
Të tre këta anëtarë u përzgjodhën nga deputetët, pasi kaluan më parë në filtrin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, u miratuan prej tyre, e më pas lista i shkoi e gatshme Parlamentit.
Pra, edhe këta anëtarë, nuk mund të konsiderohen apriori “të Ramës”, pasi, në fund të fundit, u përfshinë në një garë të hapur, të gjatë dhe në fund rezultuan si kandidaturat më të kuotuara mes aplikantëve për vendet vakante në Kushtetuese.
Presidenti ka emëruar tre anëtarë; Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja.
Mediat e majta janë fokusuar tek emërimet e presidentit, më saktë tek dy prej tyre.
Sipas analistëve qeveritarë, Marsida Xhaferllari do të votojë pro-Metës dhe si shkak shohin lidhjen familjare që gjyqtarja ka me deputetin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Të njëjtët analistë kujtojnë faktin se Meta “këmbënguli” për emërimin e Xhaferllarit, madje edhe u përfshi në një përplasje institucionale me Kuvendin.
Megjithatë, analizës së tyre u mungon një element shumë thelbësor-Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit të Republikës në atë konflikt institucional, duke konfirmuar në këtë mënyrë se emërimi i Xhaferllarit ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe praktikën e mirë.
Nga ana tjetër, “analistët majtistë” rendisin edhe gjyqtaren tjetër, Sonila Bejtja, në radhën e “pro-Metës”, për faktin se ajo është emëruar nga kreu i shtetit dhe se është bashkëshortja e Andi Bejtjas, një analist mediatik që nuk ka pranuar kompromisin me qeverinë “Rama”.
Edhe në rastin e Bejtjas, mediat e majta anashkalojnë në mënyrë të qëllimshme disa detaje. Sonila Bejtja ishte në garë për një post vakant në Gjykatën Kushtetuese, së bashku me 9 aplikantë të tjerë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, një strukturë e përbërë nga një miks gjyqtarësh e prokurorësh, vendosi në fund vetëm kualifikimin e saj, pasi u eliminuan të gjithë aplikantët e tjerë, vendime që u konfirmuan edhe nga Gjykata Administrative e Apelit për të gjithë rastet e ankimimeve.
Pra, gjyqtarja Bejtja u dekretua nga Meta, në përfundim të një procesi të gjatë, i shoqëruar edhe nxitjen e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, për të përmbyllur procedurat dhe rikthimin në funksionalitet të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim, ka një emër, të cilin në mënyrë aspak diplomatike, mediat e majta e përjashtojnë në analizën e tyre-Përparim Kalo.
Avokati Kalo u emërua në Gjykatën Kushtetuese me dekret të Presidentit të Republikës. Sipas logjikës së analistëve të majtë, edhe ai, njëlloj si Xhaferllari dhe Bejtja, duhet të renditeshin pro-emëruesit të tyre.
Por, për rastin e Kalos, mediat e majta e vendosin atë në listën e gjyqtarëve “anti-Meta”.
Për cilën arsye?
Nëse pranohet i vërtetë ky opsion, i cili, megjithatë, deri më tani nuk ka ndonjë bazë reale ku të mbështetet, mund të ngrihen më së paku dy hipoteza-Kalo ka integritet dhe nuk e mbështet qëndrimin e tij ligjor në varësi të organit që e ka emëruar. Ose ai ka bërë “pakt” me maxhorancën, për të goditur presidentin, i cili vuri firmën në dekretimin e tij.
Megjithatë, cilado qoftë arsyeja që analistët qeveritarë e rreshtojnë gjyqtarin Kalo në radhën e atyre që do të mbështesin maxhorancës, emri i tij u prish “skemën e parapërgatitur”.
Pasi, nëse pranohet apriori se “emërimi i Metës”, Kalo, do të votojë kundër emëruesit të tij, atëherë edhe e kundërta mund të pranohet, që ndonjë ose të gjithë të emëruarit nga Kuvendi, mund të votojnë pro-Metës.
Analiza “apriori”, e përcjellë mediatikisht nga analistët e majtë këto ditë nuk duket se ka një bazë jo thjesht logjike, por as faktike.
Gjykata Kushtetuese është kthyer në funksionalitet në Janar të këtij viti dhe deri më tani, vendimmarrja e saj është karakterizuar nga profesionalizmi dhe integriteti, në përgjithësi, i anëtarëve të saj.
Vendimet e kohëve të fundit janë të mirë-strukturuara, të argumentuara dhe nuk kanë lënë shteg për përcaktimin si me anësi politike.
Ndaj, rasti i kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Meta pritet që, me shumë mundësi, të kalojë në hullitë e Kushtetutës, ligjit dhe praktikës ndërkombëtare.
Natyrisht, kjo çështje përbën jo vetëm diçka tërësisht të re për jetën institucionale shqiptare, por do të shërbejë edhe si precedent për vitet e mëpasshme.
Ndaj, do të dukej tërësisht e dëmshme që vendimi për shkarkimin ose jo të Metës, të kalonte paraprakisht nga korridoret politike.
Gjithçka mbetet e hapur dhe e vërteta gjendet mes letrave, dokumentave, Kushtetutës dhe ligjit.