Pritjet inflacioniste në ekonominë shqiptare ngelen të dobëta, pavarësisht se ekonomia duket të ketë hyrë në një cikël të ngadaltë përmirësimi pas krizës së pandemisë.
Anketimet e Bankës së Shqipërisë në anketën e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve treguan se pritshmëritë për nivelin e çmimeve në të ardhmen ngelen negative për shumicën e sektorëve, me përjashtim të sektorit të ndërtimit.
Pritshmëria për çmimet është veçanërisht negative në sektorin e industrisë. Për majin, treguesi që tregon balancën e pritjes së çmimeve për të ardhmen ishte negative me 23.2 pikë përqindje, në rënie të mëtejshme nga niveli 17.4% i muajit prill. Megjithatë, ky tregues është në nivele disi më të përmirësuara krahasuar me tremujorin e fundit 2020 dhe atë të parë të këtij viti, kur rënia kishte qenë më shumë se 30 pikë përqindje.
Edhe në sektorin e shërbimeve pritshmëria për rritje të çmimeve është e dobët. Për majin ky tregues ishte lehtësisht pozitiv, me 0.2 pikë përqindje, por në rënie të ndjeshme krahasuar me tre muajt e mëparshëm. Megjithëse ndodhemi në prag të sezonit turistik, ky element nuk është reflektuar në pritshmëritë e bizneseve të shërbimeve për ecurinë e ardhshme të çmimeve.
Ndërtimi vazhdon të ketë diferenca të mëdha me sektorët e tjerë për sa i takon pritshmërisë për çmimet, fakt që ndikohet kryesisht nga ecuria e tyre faktike në vitet e fundit.
As pandemia nuk solli frenim të rritjes së çmimeve në këtë treg, ndërsa pritshmëritë e bizneseve ngelen sërish në territor të rritjes pozitive. Megjithatë, për majin pritshmëria e rritjes zbriti në 6.9%, në nivelin më të ulët që prej muajit janar. Në fund të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë vlerësonte se çmimet e banesave ishin në rritje dyshfrore, me 11.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Pritjet e bizneseve janë një faktor që monitorohet nga bankat qendrore për qëllimet e politikave monetare, sepse ato kanë një ndikim në ecurinë e inflacionit në të ardhmen e afërt. Inflacioni ka shfaqur një tendencë të lehtë rritëse në muajt e parë të këtij viti, por ai ngelet ende nën intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë, prej 2%.
Treguesi i inflacionit bazë, që e zhvesh rritjen e çmimeve nga komponentët afatshkurtër dhe me luhatshmëri të lartë, për tremujorin e parë të vitit ishte në nivelin 1.5%. Banka e Shqipërisë nuk pret që inflacioni të rikthehet në objektiv para fundit të vitit 2022 dhe e ka shprehur qartë që kursi i politikës monetare duhet të vazhdojë të jetë stimulues, pavarësisht optimizmit për kthimin e rritjes ekonomike duke filluar që nga ky vit./ MONITOR/