Pandemia Covid -19 e rriti në rekorde numrin e personave që humbën jetën në vitin 2020, por sipas të dhënave të INSTAT një pjesë e madhe e tyre ndodhen në ambientet e shtëpive dhe jo në spital.
Në krahasim me mesataren 2016-2019 vdekjet në shtëpi u rritën me 28% më 2020, ndërsa vdekjet në spitale u rriten me 60 për qind, ndërkohe që shihet të kenë rënë në mënyrë të dukshme vdekjet në vende të tjera si rrugë etj.
Në vitin 2020 në ambientet e shtëpive humbën jetën 20784 persona raportoi INSTAT me një rritje 31.7% në raport me vitin 2019, ose 5,011 persona më shumë. Pjesa më e madhe e fataliteteve në shtëpi kanë për shkak pandeminë Covid-19, pasi shumë persona vendosën të trajtohen në shtëpi, për shkak të mbingarkesës në spitale, por kjo mënyrë ka rezultuar dramatike për ta.
Të dhënat mbi vdekjet shtesë në spitale tregojnë se, ato ishin më të larta se, raportimet zyrtare. Nga marsi deri në fund të dhjetorit 2020 nga të dhënat zyrtare u raportuan 1,181 vdekje nga covid-19, por gjatë kësaj periudhe vdekjet shtese në spitale ishin i 2,083 ose 76 për qind më të larta se vdekjet zyrtare të raportuara nga Covid-19.
Nga ana tjetër jetët e humbura jashtë shtëpisë dhe spitaleve pësuan rënie për shkak të pandemisë, për shkak të masave kufizuese. Në vitin 2020 në vendndodhjen “tjetër” përveç shtëpisë dhe spitaleve humbën jetën 547 persona më një rënie 67% në raport me mesataren 2016-2020. Kjo kategori përfaqëson aksidentet rrugore dhe të tjera, të cilat ishin më të ulëta në numër për shkak se pandemia i kufizoi se tepërmi lëvizjet vitin e kaluar.
Në total, në 2020-n, humbën jetën 27,605 persona, me një rritje prej rreth 26% në raport me vitin e mëparshëm, ose rreth 5,700 persona më shumë.
Pjesa dërmuese e vdekjeve shtesë në vitin 2020 u justifikuan me diagnozat e sëmundjeve të zemrës dhe shkaqe të panjohura, sipas publikimit të INSTAT mbi shkaqet e vdekjeve më 2020.
Sipas të dhënave 47 për qind e vdekjeve shtesë ishin si rrjedhojë e Grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut (+2,706), ndërsa 20 për qind vdekjeve shtesë ishte për shkaqe të panjohura ose 1,141 persona më shumë se, mesatarja e viteve 2016-2019.
Ndërsa 32 për qind e vdekjeve shtesë ishin sëmundjet e “Aparati i frymëmarrjes” që përfshin Covid-19 ose 1878 persona më shumë se mesatarja 2016-2019. Gjithsej shtesa e vdekjeve nga kjo grup sëmundje ishte 1,879.
Zyrtarisht, Ministria e Shëndetësisë deklaroi në vitin 2020 rreth 1,180 humbje jete nga Covid-19, duke shpjeguar më pak se një të tretën e shtesës së vdekjeve në 2020-n, në raport me mesataren e 2016-2019.
Sipas INSTAT, 9% e totalit të fataliteteve në vitin 2020 erdhën nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, duke e bërë Covid-19 zyrtarisht sëmundjen e tretë më vdekjeprurëse në vend pas qarkullimit të gjakut dhe tumoreve.
Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se vdekshmëria u shtua më shumë tek meshkujt sesa tek femrat, ndërsa si përqindje rritjeje, më e goditur ishte grupmosha e të rinjve (meshkuj) e grupmoshës 35-39 vjeç.
Vdekjet në shtëpi u rritën më shumë në Lezhë, Shkodër e Tiranë
Në të gjitha qarqet është konstatuar një rritje e lartë e rritjes së fataliteteve në 2020-n, në raport me vitin e mëparshëm, e lidhur me pasojat që dha direkt pandemia në shëndetin e popullatës, por edhe me ndërlikimet e mëpasshme, si goditjet cerebrale pas kalimit të sëmundjes.
Lezha (+45%), Tirana (44.7%), Shkodra (38.2%) dhe Elbasani (38.1%) janë katër qarqet që kanë shënuar një rritje më të lartë të jetëve të humbura në shtëpi. Lezha dhe Shkodra janë dy qarqet me humbjen më të madhe të jetëve në raport me popullsinë, duke rezultuar më të goditurat në vend nga pandemia e Covid-19.
Rritja e fataliteteve në shtëpi ishte më e ulëta në Vlorë (16.8%) dhe Korçë (18.7%).
Në institucionet spitalore, rekordi i rritjes së jetëve të humbura u konstatua në Elbasan (+50.4%), Fier (+42.7%) dhe Tiranë (+40.1%)./MONITOR