Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela prezantoi sot raportin e Prokurorisë së Përgjithshme në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020.
Ai tha se “viti që kaluam ishte mjaft i vështirë për shkak të pandemisë, e cila krijoi probleme edhe në funksionimin e sistemit të prokurorisë, me ndikim në uljen e performancës efektive të prokurorive”.
“Gjatë vitit 2020, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 58466 materiale kallëzimi, që përbën një ulje prej 2,37 % në krahasim me vitin 2019, prej të cilëve 840 kallëzime janë nga nëpunës publik, që përbëjnë ulje prej 41,59 % krahasuar me vitin 2019. Janë ndjekur gjithsej 44834 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,23 % në krahasim me vitin 2019, nga të cilat 27890 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,29 % në krahasim me vitin 2019 dhe 640 procedime penale të rifilluara, që tregon rritje prej 9,59 % në krahasim me vitin 2019. Janë mbartur në vitin 2020, 16304 procedime penale me një rritje prej 25,83 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2019. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 13632 referime dhe kallëzime penale, me një rritje prej 12,61 % në krahasim me vitin 2019. Edhe në vitin 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 31,74 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Prokuroritë e tjera me shifrat më të larta janë: -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës ka regjistruar 9 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi, -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka regjistruar 7,69 % të numrit total të procedimeve të regjistruara”, tha Çela.
Në vijim, Çela tha se “përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2020 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë për vitin 2020 e ka qarku Gjirokastër me 14,03 %, ndërsa qarqet Kukës e Dibër kanë koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që rezulton me rritje në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë”.
“Sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale (krimeve dhe kundërvajtjeve), bazuar në statistikat e vitit 2020, rezulton se 78,24 % e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 21,76 % i përkasin kundërvajtjeve penale. Krahasuar me vitin 2019, 4,76 % e këtij raporti ka ulje në procedimet për krime dhe rritje në procedimet për kundërvajtje penale. Sa i përket raportit të grupveprave sipas strukturës së Kodit Penal me numrin total të procedimeve, ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë, evidentohet se vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara, me 31,24 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve penale të regjistruara në prokurori për vitin 2020, por me ulje 9,96 % krahasuar me vitin 2019. Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike që përbëjnë 26,46 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, kanë ulje 4,81 % krahasuar me vitin 2019; -veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës me 6,28 %, por kanë ulje 8,38 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2019; -veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes me 4,88 %, dhe kanë një rritje prej 9,12 % në krahasim me vitin 2019; -veprat penale shkatërrimi pronës me 4,10 %, dhe kanë një ulje prej 9,22 %; -veprat penale kundër sekretit dhe kufijve me 3,15 %, dhe kanë një ulje prej 39,88 %; – veprat penale kundër shëndetit me 3,09 %, -po me 2,70 % deri 2,25 % rezulton pesha edhe falsifikimi i dokumenteve, krimet kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit, krimet kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik dhe mashtrimet, të procedimeve të regjistruara në prokurori gjatë vitit 2020. Gjatë vitit 2020 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10000 procedime penale (ulje prej 4,05 % në krahasim me vitin 2019) me 11530 të pandehur (ulje prej 5,41 % në krahasim me vitin 2019). Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 11741 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal (ulje 0,44 % në krahasim me vitin 2019)”, tha ai.
Po ashtu, Çela shtoi se “Prokuroritë pranë gjykatave të apelit kanë përfaqësuar akuza në emër të shtetit shqiptar për 1070 ankime për çështje themeli (ulje prej 58,58 % në krahasim me vitin 2019) dhe 2521 ankime për masat e sigurimit personal (rritje prej 13,51 % në krahasim me vitin 2019).
“Në vitin 2020 në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është urdhëruar ekzekutimi i 5222 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë ose me ulje 52,41 % krahasuar ne vitin 2019. Përgjatë vitit 2020 janë ekzekutuar 2990 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 1875 vendime, të cilët sipas llojit të dënimeve të pa ekzekutuar janë: 5 dënime me burgim të përjetshëm, 277 vendime me burgim, 736 vendime për dënimin me gjobë, 29 dënime plotësuese dhe 829 dënime alternative. Ndër vite gjithsej, janë 3820 vendime penale të mbetur pa u ekzekutuar, të cilët sipas llojit të dënimeve janë: 7 dënime me burgim të përjetshëm, 1039 vendime me burgim, 1543 vendime për dënimin me gjobë, 57 dënime plotësuese dhe 1198 dënime alternative”, tha ai.
Përsa i përket eficencës, Çela tha se “gjatë vitit 2020 janë përfunduar 26169 çështje që përbën ulje prej 7,14 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2019, prej të cilave: 38,11 % janë dërguar për gjykim, 22,62 % janë pushuar, 35,93 % janë pezulluar dhe 3,34 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
“Janë dërguar në gjykatën e shkallës së parë 10000 çështje me akuzë ndaj 11530 të pandehurve. Krahasuar me vitin 2019 rezulton një ulje prej 4,05 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,41 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Sipas llojeve të gjykimeve të posaçme gjendja e kërkesave dhe zgjidhjeve në gjykatat paraqitet si më poshtë: Janë dërguar 410 kërkesa për miratim urdhri penal, me 432 të pandehur ose krahasuar me vitin 2019 me ulje 44,59 % të kërkesave dhe ulje 43,23 % të pandehurve, ndërsa nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të urdhrit penal në 12 raste ose krahasuar me vitin 2019 me ulje 40 % të rasteve që është vendosur nga gjykata refuzimi i miratimit të urdhrit penal. Kjo rënie do të jetë pjesë e një analize të thelluar gjatë vitit 2021. Janë dërguar 740 kërkesa për miratim marrëveshje fajësie, me 749 të pandehur, pothuaj në nivelet e një viti më parë, ndërkohë nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të marrëveshjes në 45 raste, shifër pothua e njëjtë me 2019. Është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 252 çështje me 252 të pandehur, krahasuar me vitin 2019, përbëjnë rritje prej 14,55 % të numrit të çështjeve dhe 8,62 të numrit të të pandehurve për të cilët është kërkuar ky lloj gjykimi.Gjatë vitit 2020, janë dërguar në gjykatë për pushim 4647 çështjeve ose me rritje 53,16 % e krahasuar me vitin 2019, prej të cilëve 2252 çështje janë pushuar për mungesë fakti, që përbëjnë 48,46 % të çështjeve të pushuara. Nga të dhënat rezulton se për 233 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me rritje 8.88 % krahasuar me vitin 2019, ndërsa në 5 çështje ka vendosur kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës, tregues në ulje krahasuar me 12 vendime të tilla në vitin 2019. Gjatë vitit 2020, gjithashtu, është vendosur pezullimi i hetimeve për 9400 çështje për shkak se autori nuk njihet apo nuk është zbuluar autori i veprës penale ose me ulje prej 6,81% e çështjeve të pezulluara në krahasim me vitin 2019.Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore në vitin 2020 rezulton se janë dënuar 8022 të pandehur dhe për 152 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2019 me ulje 8,96 % e numrit të pandehur të dënuar dhe ulje 19,15 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm”, tha ai.
Përsa i përket veprat penale të trafiqeve të paligjshme, në vitin 2020, Çela tha se treguesi i efektivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 31,25 % dërguar gjyqit dhe 68,75 % të pushuara.
“Ndërkohë nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2020 ka një ulje prej 12,54 % të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të trafiqeve të paligjshme në krahasim me vitin 2019. Sa i përket veprave penale lidhur me narkotikët, edhe pse në vitin 2020 ka një rritje prej 17,80 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë grupveprash penale në krahasim me vitin 2019, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 58,42 % e çështjeve janë dërguar gjyqit, ndërsa 41,58 % e çështjeve janë pushuar. Në vitin 2020 për “Krime kundër jetës të kryera me dashje” janë dërguar për gjykim 31,66 % e çështjeve dhe janë pushuar 68,34% e çështjeve. Në këtë grupveprash, duke veçuar veprën penale të kanosjes që zë 88% të çështjeve të pushuara. Për veprat penale të vrasjes me dashje efektiviteti është, përkatësisht 63,81 % dërguar gjyqit dhe 36,49 % pushuara. Efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me dhunën në familje, për faktin se 83,02% e çështjeve janë dërguar në gjyq dhe 16,98% e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, në vitin 2020, çështjet e regjistruara paraqesin rritje prej 9,74 % krahasuar me vitin 2019. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në këtë grup veprash penale për vitin 2020 është 92,53 %, pothuaj e njëjtë me vitin 2019. Ecuria e kësaj vepre penale në pesë vite, tregon se është arritur ulje në masën 7,68 % në numrin e procedimeve të regjistruara në vitin 2016 krahasuar me vitin 2020. Në analizë të të dhënave, rezulton se: Profili i të pandehurve: 92,71 % janë meshkuj madhorë, 59,87 % janë me arsim deri 9-vjeçar, 72,49 %, janë të papunë, 2,13 % janë përsëritës për të njëjtën vepër dhe 9,33 % janë të dënuar për vepra të tjera”, tha ai.
Çela tha se “lufta kundër pastrimit të parave, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore, për vitin 2020 ka qenë objektiv prioritar institucional, dhe në kuadrin e zbatimit të rekomandimeve të BE-së dhe planit të veprimit të ICRG/FATF, me Shqipërinë”.
“Rezultati i këtyre masave është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të parave të parashikuara nga nenet 287 e 287/b të Kodit Penal, pasi të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2020, për veprat penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, numri i procedimeve të regjistruara është rritur me 20,19 %, numri i të pandehurve të regjistruar është rritur 103,1 % dhe numri i personave të dënuar është rritur 11 % krahasuar me vitin 2019”, tha ai
Përsa i përket luftës kundër terrorizmit, Çela tha se “janë regjistruar 12 procedime penale nga 10 procedime të regjistruar në vitin 2019 ose me rritje rreth 20 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këto vepra penale. Ndërkohë, për “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” sipas nenit 232/a të Kodit Penal janë dërguar për gjykim 2 procedime penale me 2 të pandehur dhe 1 person është dënuar për këtë vepër penale.
Ndërsa, përsa i përket prioriteteve të vitit 2021, Çela theksoi se “objektivi ynë është goditja e krimit”.