Gazeta e njohur amerikane, “Washington Times”, i ka dhënë një hapësirë të gjerë vendimit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, për shpalljen “non grata” në SHBA të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij.
Shkrimi ka analizuar në detaje situatën për publikun amerikan, duke vendosur kryesisht fokusin tek raportet antagoniste të Berishës me Fondacionin “Soros”, një mbështetës i hapur i Edi Ramës, kryeministri aktual në Shqipëri.
“Ka zero fakte. Nuk kanë asnjë provë konkrete, të bazuar në fakte”, citohet Berisha për vendimin e Departamentit të Shtetit në “Washington Times”.
“Unë do t’u jem mirënjohës që të më tregojnë një fakt të vetëm për përfshirjen time në korrupsion”, hedh sfidën ish-kryeministri shqiptar, i cili deklaron se njoftimin e sekretarit Blinken e ka mësuar nga media.
Berisha thotë se mban mend që ka qenë “tepër i lavdëruar nga qeveria e SHBA” më 2005, kur qeveria e tij mbikëqyri ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit për zyrtarët e korruptuar. Lëvizje që ndihmoi në tërheqjen e investimeve të huaja të domosdoshme për vendin.
Por çfarë ndodhi që administrata amerikane ndryshoi qëndrimin për Berishën
“Kam bindjen e thellë se kjo deklaratë kundër meje është bazuar tërësisht në informacion të gabuar që zoti Sekretar i Shtetit Antony Blinken ka marrë nga një proces lobimi i korruptuar që përfshin Edi Ramën dhe George Soros, të cilët janë miq të afërt”, tha Berisha.
“Ata nuk kanë fakte. Asnjë fare. Sikur të bënin të ditur ndonjë, do t’u isha mirënjohës. Por ata nuk kanë prova konkrete të bazuara në fakte, jo në manipulime e shpifje”, shprehet Berisha.
Berisha, i cili deklaroi pafajësinë në një letër drejtuar zotit Blinken, foli me “The Washington Times” rreth një javë pasi Sekretari i Shtetit e deklaroi politikanin 76-vjeçar shqiptar – Presidenti i parë post-komunist i vendit në fillim të viteve ‘90 dhe më pas kryeministër nga 2005 deri në 2013 — persona non grata.
Ndërkohë, siç raporton gazeta prestigjioze, “Departamenti i Shtetit nuk ofroi detaje për të mbështetur akuzat për korrupsion kundër zotit Berisha. Ai refuzoi edhe të bënte komente për deklaratën e zotit Berisha se vendimi për ndalimin e tij të hynte në SHBA ishte bazuar mbi informacion të rremë të dalë nga organet e medias të financuara nga Soros”.
Madje, “Washington Times” citon edhe burime “anonime” nga Departamenti i Shtetit, për një vendim që gjithësesi është publik.
“Një zëdhënës i Departamentit që dëshiroi të mbetej anonim tha për The Times se ‘kur Sekretari i Shtetit siguron informacion të besueshëm se një zyrtar është përfshirë direkt ose indirekt në korrupsion sinjifikativ apo në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, atëherë Sekretari është i detyruar (nga ligjet e SHBA) ta përcaktojë apo identifikojë atë zyrtar dhe anëtarët e afërt të familjes”.
Askush nuk thotë se cilat janë këto informacione dhe për më tepër se nga është preajrdhja e tyre.
Berisha pretendon se është viktimë e një fushate përbaltjeje të orkestruar nga një rrjet organizatash joqeveritare që operojnë në Shqipëri dhe vende të tjera ballkanike me mbështetjen e Fondacionit për Shoqëri të Hapur të Sorosit.
“Unë kam qenë kritik i hapur i George Soros dhe mikut të tij të afërt Edi Rama, dhe për këtë shkak Departamenti i Shtetit ngriti akuzat kundër meje’, tha Berisha për The Times. ‘Nuk ka arsye tjetër. Nuk mund të ketë arsye tjetër”.
Partia Demokratike e zotit Berisha ka një histori akuzash kundër Sorosit për financim të një klike të korruptuar njerëzish që kanë marrë në dorë kontrollin e institucioneve qeveritare në Shqipëri.
Tirana Echo, një organ lajmesh në gjuhën angleze që mbulon Shqipërinë, tregoi në një artikull më 2017 se si partia dhe disa analistë fajësuan ‘Rrjetin Soros’ për financimin dhe ndikimin në hartimin e reformës në drejtësi, në bashkëpunim me ambasadat e SHBA dhe BE në Tiranë.
Midis atyre që kanë akuzuar miliarderin amerikan është Adriatik Llalla, ish Prokurori i Përgjithshëm, i cili u shpall non grata nga administrata Trump dhe u akuzua për korrupsion sinjifikativ më 2018.
Llalla u dënua me dy vjet burg muajin e kaluar për mosdeklarim të pasurisë. Më 2017 ai deklaronte se Ambasadori i SHBA Donald Lu i kishte bërë ‘presion tipik Sorosian’, duke e etiketuar si armik të reformës.
Deklaratat e zotit Berisha kundër Sorosit janë edhe më komplekse, të lidhura me gjeopolitikën rajonale.
Ai tha në intervistën me The Times se Soros dhe OJQ-të e financuara prej tij në rajon e kanë luftuar që më 2017, kur ai denoncoi publikisht propozimet për ndryshim kufijsh midis Kosovës e Serbisë.
Berisha thotë se iniciativa u promovua nga OJQ të financuara nga Soros dhe se ai e hodhi poshtë pasi ai besonte se do të çonte në dhunë etnike. ‘Ndryshimi i kufijve do të thotë spastrim dhe zhvendosje popullsish. Do të thotë Serbi e Madhe’, thotë ai.
Ai shtoi se përkrahja amerikane për iniciativën, sidomos nga ish Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John R. Bolton, u krijua nga OJQ-të e mbështetura nga Soros që punonin me Ramën.
Fondacioni për Shoqëri të Hapur nuk iu përgjigj kërkesë për koment, po ashtu as një zëdhënës i zotit Soros i listuar në sitin e organizatës në internet.
Siti thotë se Fondacioni ka punuar në Shqipëri që më 1992 me ‘mision të ngjashëm me fondacionet motra kudo në botën ish-komuniste, për t’i ndihmuar ato të bëhen shoqëri të hapura, demokratike’.
Ndërkaq, zoti Bolton hodhi dyshime mbi pretendimet e Berishës. Ai tha për Times përmes një email: ‘Nuk e kam idenë se për çfarë flet ai’.
Disa analistë kanë ngritur pikëpyetje për vendimin e administratës Biden për të vepruar kundër zotit Berisha tetë vjet pas largimit nga posti i lartë.
‘Momenti nuk është i mirë’, thotë Janusz Bugajski i Jamestoën Foundation për Zërin e Amerikës. ‘Nuk e kuptoj se pse është veçuar nga të tjerët një ish lider politik që nuk është më në pushtet. Kjo është diçka që mund të bëhet në vendin e tij. Nëse kanë prova, ata mund ta çojnë në gjyq, të hapin hetime, e kështu me radhë’.
Një raport i fundit i Zërit të Amerikës përmend Mattheë Palmer, zëvendës ndihmës Sekretar i Shtetit në Zyrën për Çështjet Evropian dhe Euraziatike, që përpiqet zvogëlojë rëndësinë e momentit të akuzave të zotit Blinken. Ai thotë se fokusi duhet të jetë te ‘serioziteti me të cilin SHBA e merr çështjen e korrupsionit publik’.
Berisha tha për The Times se ai ishte befasuar nga deklarata e 19 majit e zotit Blinken dhe se fillimisht e mësoi nga media.
* Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal i “Washington Times” është: “Berisha, ish-lideri politik i Shqipërisë, refuzon akuzat e SHBA për Korrupsion”
https://www.washingtontimes.com/news/2021/may/28/sali-berisha-ex-albanian-leader-rejects-us-charges/