Policia ka shpallur në kërkim dhe ka pezulluar nga puna një specialist të anti-drogës në Drejtorinë e Policisë në Durrës, pasi ky i fundit rezulton pas një hetimi të SHÇBA, se organizonte shpërndarësit e nartkotikëve në këtë qytet.
Specialisti i antidrogës është identifikuar si Edvin Sinani. Ai u pezullua nga detyra pasi akuzohet se shpërndante drogë përmes një grupi të ngritur prej tij.
Efektivi i vishte trafikantët me uniforma policie.
“Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.
Gjithashtu, specialisti i Antidrogës në bashkëpunim me këta shtetas, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre.”, thuhet në njoftimin e SHÇBA.
Mbi bazën e rregjistrimit të procedimit penal dhe në perfundim të hetimeve paraprake, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi caktimin në mungesë të masës së sigurimit personal ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj shtetasit E.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.