Të dhënat mbi tregtinë e jashtme gjatë 4-mujorit te parë tregojnë për një rritje jo të zakontë të importeve të materialeve të ndërtimit.
Sipas INSTAT vlera e importeve të materialeve të ndërtimit në janar -prill arriti në vlerën e 32 miliardë lekëve me një rritje 32 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Burimet nga tregu pohojnë se rritja e importeve si në vlerë dhe në sasi erdhi për shkak të volumit të madh të ndërtimeve sidomos në sektorin e banesave.
Ky sektor u nxit për së paku katër arsye kryesore. Intensifikimi i procesit të rindërtimit, një bum ndërtimesh pa leje që u nxiten para fushatës zgjedhore në të gjithë vendin nga mosndëshkimi dhe nga ndërtimet e ligjshme në Tiranë. Importet u nxitën edhe nga rritja e investimeve publike, në prag të fushatës zgjedhore.
Burimet zyrtare nga Porti i Durrësit pohuan se, në të katër Terminalet e portit të Durrësit gjatë periudhës janar-mars të këtij viti janë përpunuar afro 1 milion tonë mallra të ndryshme.
Në portin më të madh të vendit u përpunuan 971,425 mijë tonë mallra gjithsej, ose 12 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2020. Të njëjtat burime njoftuan se në listën e mallrave të importit ka pasur rritje të volumit të hekurit për ndërtim dhe çimentoja.
Si rrjedhojë e kërkesës së lartë, çmimi i materialeve të ndërtimit ka pësuar një rritje të shpejtë në tregun e brendshëm, duke reflektuar dhe tendencën në bursa, ku hekur tregtohet me 700 euro/ton, nga 400 që zbriti në verën e vitit të kaluar. Një ton hekur po shitet 40% më shtrenjtë se vitin e kaluar në të njëjtën periudhe dhe çmimi i tullave është dyfishuar.
Jo vetëm importet, por edhe eksportet e materialeve të ndërtimit janë rritur. Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 19% të totalit) u trefishuan në prill.
Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum thotë se përmirësimi ka ardhur nga rritja e kërkesës si nga tregjet e jashtme të Ballkanit ashtu dhe të brendshme. Kërkesa sipas tij është në nivele rekord dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje të çmendur çdo javë si rrjedhojë e blerjeve të Kinës. Nga ana tjetër, paketat e ndihmës në të gjitha vendet kanë çuar në inflacion. Çmimi i hekur ka arritur aktualisht në 700 euro pa TVSH, nga 460 euro që ishte në prill të një viti më parë dhe 400 euro një vit më parë. “Nuk po arrijmë të përballojmë dot kërkesën”, thotë Shkalla.
Kërkesa është rritur me 50% edhe në tregun e brendshëm, ndërsa edhe importet e metaleve në vend janë zgjeruar ndjeshëm.
Vitet e fundit një valë e re ndërtimit ka nisur në vend, sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë për banesa, shënoi një rritje të shpejtë duke filluar nga viti 2017, duke arritur në 2019-n, në më shumë se 1 milionë metra katror, niveli më i lartë që nga viti 2005, kur në kryeqytet kishte një uri të madhe për banesa.
Në 2020-n, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për banesa shënoi një rënie prej gati 10% në raport me 2019-n, por sërish mbeti pranë niveleve më të larta të dekadës (shih grafikun e lejeve të ndërtimit). /Monitor/