Zemërata brenda Partisë Republikane arriti kulmin javën e kaluar midis anëtarëve që i qëndrojnë besnikë ish-Presidentit Donald Trump dhe atyre që duan që partia të heqë dorë prej tij dhe pretendimeve të tij të vazhdueshme false për manipulime elektorale.
Së pari, ishte dëbimi dramatik i ligjvënëses Liz Cheney nga posti i saj drejtues në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi ajo votoi në favor të ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump dhe denoncoi pretendimet e tij se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “vjedhur” nga demokratët.
Në vazhdim erdhi njoftimi se më shumë se 100 konservatorë të pakënaqur po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një partie të re politike që do t’i përkushtohet sërish idealeve themeltare të partisë.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës Rob Garver thotë se për vëzhguesit jo-amerikanë, krijimi i një partie të re politike nga fragmentet e krijuara nga një mosmarrëveshje e brendshme mund të duket krejt e natyrshme. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, shumë demokraci në të gjithë botën veprojnë me një mori partish – dhe partitë e reja mund të kenë sukses të menjëhershëm. Në Francë, Emmanuel Macron themeloi Partinë En Marche në prill 2016 dhe në majin e vitit 2017, ai u zgjodh president i vendit.
Por në Shtetet e Bashkuara, historiku i partive “të treta” si një alternativë ndaj partive republikane dhe demokrate, që dominojnë politikën kombëtare, ka qenë më pak mbresëlënës.
“Plangprishës”, jo fitues
Në epokën moderne, palët e treta kurrë nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë më shumë sesa të veprojnë si “plangprishës” në zgjedhjet presidenciale, duke hequr votat nga një prej dy partive kryesore dhe kanë dërguar vetëm një numër të vogël ligjvënësish në Dhomën e Përfaqësuesve, ose në Senat gjatë 70 viteve të kaluara – duke mos arritur kurrë në nivele të konsiderueshme të pushtetit.
“Historiku i lëvizjeve të palëve të treta në Shtetet e Bashkuara është se zakonisht, ato përfundojnë thjesht duke u përthithur nga njëra prej dy partive kryesore”, tha Kyle Kondik, redaktor në Qendrën për Politikën në Universitetin e Virxhinias. “Ose kështu, ose ato në thelb kanë rezultuar të vjetëruara për shkak të ndryshimeve nga partia e madhe”.
Beteja e tanishme
Njoftimi i javës së kaluar për një palë të tretë të mundshme erdhi ndërsa ligjvënësit republikanë e hoqën zonjën Cheney, vajzën e ish-nënpresidentit republikan prej dy-mandatesh Dick Cheney, nga pozicioni i saj si kryetare e konferencës republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, numri tre në hierarkinë drejtuese të republikanëve në Kongres, për shkak të denoncimit të saj të vazhdueshëm të ish-Presidentit Trump.
Po atë ditë, një koalicion republikanësh të pakënaqur, ndër ta ish-guvernatorë, anëtarë të Kongresit, ambasadorë dhe zyrtarë të kabinetit, nënshkruan një letër ku i kërkuan udhëheqjes republikane, që të reformonte partinë, ose të përballej me krijimin e një force politike “alternative”.
Mesazhi që ata duan t’u dërgojnë udhëheqësve të Partisë Republikane është “mjaft më”, thotë Miles Taylor, ish-shef i stafit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare gjatë epokës Trump, i cili shkruajti një libër anonim për periudhën e tij në administratë.
“Ne duhet të ofrojmë një koalicion të logjikshëm për këtë vend dhe një vizion alternativ më unifikues sesa atë që po shohim nga GOP-ja (Partia Republikane) e tanishme, e cila është kalbur në thelbin e saj nga sulmet e vazhdueshme ndaj demokracisë sonë”, i tha zoti Taylor kanalit CNN javën e kaluar. “Pra, mesazhi ynë është se, ka ardhur koha për të reformuar ose shfuqizuar Partinë Republikane”.
Por krijimi i një partie të tretë të qëndrueshme në Shtetet e Bashkuara është më e lehtë të thuhet sesa të realizohet.
‘Demokraci shumë e pazakontë’
Sipas korrespondentit të VOA Rob Garver, ngritja e një pale të tretë të suksesshme në Shtetet e Bashkuara, nëse suksesi përcaktohet si një rol kuptimplotë në funksionimin e qeverisjes federale, është jashtëzakonisht e vështirë për shkak të mënyrës së shpërndarjes së pushtetit politik.
“Unë mendoj se gjëja e parë që njerëzit duhet të dinë është se ne jemi një demokraci shumë e pazakontë në disa drejtime”, tha Marjorie Hershey, profesore e shkencave politike në Universitetin e Indiana Bloomington dhe autore e një libri shkollor të përdorur gjerësisht për lëndën e qeverisjes amerikane .
Shtetet e Bashkuara, tha ajo, kanë një nga të paktat sisteme dy-partiake në vendet demokratike. Kjo ndodh pjesërisht sepse ligjet zgjedhore shkruhen nga legjislaturat e shteteve, të cilat vetë dominohen nga dy partitë e mëdha. Ato tentojnë ta bëjnë shumë të vështirë për partitë e reja politike që të radhiten në fletët e votimit.
Një rrugëtim i vështirë
Për më tepër, për shkak se çdo anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit zgjidhet në një garë individuale ku fituesi merr gjithçka, një palë e tretë, qoftë edhe me mbështetje të konsiderueshme, mund të lihet jashtë pushtetit.
Në shumicën e demokracive të tjera, një parti që do të merrte 10% të votave për legjislaturën, do të fitonte një pjesë proporcionale të vendeve të disponueshme. Në Shtetet e Bashkuara, megjithatë, është e mundur që një palë e tretë të grumbullojë një përqindje të konsiderueshme të votës së përgjithshme kombëtare, pa siguruar as edhe një vend të vetëm në secilën dhomë të Kongresit. Kjo do të ndryshonte vetëm nëse mbështetja e palës së tretë do të përqendrohej në një shtet ose distrikt, deri në pikën që t’i jepte asaj shumicën e votave në atë zonë.
Po kështu, mënyra e tabulimit të votave për presidentin bazuar në një sistem shtet-pas-shteti, e bën të vështirë për një palë të tretë të konkurrojë. Për shembull, kur biznesmeni nga Teksasi, Ross Perot kandidoi për president në vitin 1992, ai ishte jashtëzakonisht i suksesshëm për sa i përket fitimit të votave – duke marrë 19% në total. Por për shkak se ato vota u përhapën në mënyrë të barabartë në të gjithë vendin, ai nuk fitoi asnjë shtet, dhe për këtë arsye nuk mori vota në Kolegjin Zgjedhor.
Një kërcënim i dobët
Pra, kur zoti Taylor dhe kolegët e tij të tjerë ish-republikanë kërcënojnë Partinë Republikane me krijimin e një partie të re, kërcënimi nuk shihet si një përpjekje për të krijuar një qendër të re pushteti në politikën amerikane që mund të funksionojë mbi baza të barabarta me republikanët dhe demokratët. Në vend të kësaj, duket më shumë si një premtim për të larguar vota të mjaftueshme nga kandidatët republikanë dhe për të siguruar fitoret demokrate.
Fakti se nuk ekziston një mundësi e vlefshme që një palë alternative të marrë pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen e Shteteve të Bashkuara është pranuar nga shumica e amerikanëve. Por, disa ngrenë pyetjen nëse duhet të jetë kështu.
“Në kaq shumë sisteme të tjera demokratike, një parti e ‘tretë’ mund të jetë një parti kryesore”, tha profesorja Hershey. “Është një nga gjërat që flasin shumë – ajo që ne e konsiderojmë normale për demokracinë në Shtetet e Bashkuara, nuk është aspak normale në botën më të gjerë demokratike”./VOA