Nga Nebil Çika
Shikoj sot që shumë demokratë po sulmojnë ish zëvendës kryeministrin e PD, Ilir Rusmali për qëndrimin kunder PD që po mban në KAS, pas ankimeve të opozitës për dhunimin e zgjedhjeve . Kjo me kujton një histori te vjetër kur isha zv. kryeredaktor i RD. Po bisedoja me të ndjerin Ali Kazazi , ish ministër i brendshëm në oborrin e PD , kur vjen nje mik i përbashkët , i ndjeri Hajri Mezini, ish zv ministër i PD , një mik i familjes sime. Ishte i sëmurë , nuk para dilte dhe ne u gëzuam kur e pamë dhe e ftuam për kafe. Ishte dhjetor disa dite para festës se themelimit të PD. Sa të marr një ftesë për festën e PD dhe erdha -na tha. U fut në seli të PD por doli shumë shpejt dhe i mërzitur.
Shkuam tek kafja dhe sa u ulëm i kërkoi Aliut një cigare. Të dy reaguam dhe i kërkuam të mos e ndizte pasi vuante nga nje tumor në mushkëri, po nuk dëgjoi. Nuk e mora fare ftesën dhe nuk do te vij ne pervjetorin e PD – na tha. Pse? -e pyetem në një gojë të habitur të dy . Me thanë që duhet ta merrja tek Ilir Rusmali, i biri Çajup Rusmalit, persekutorit direkt të familjes sime. Nuk munda ta marr nga ai ftesën për përvjetorin e partisë që duhet të na çlironte nga ata që na masakruan për 45 vjet. Nuk shkon kjo punë keshtu.
U befasova dhe u dëshpërova nga përgjigja e tij ,por ishte një e vërtetë e hidhur. Aliut iu mbushën sytë me lotë, po nuk foli . Ra heshtja . Na shkoi mbrapa kurrizit ajo kafe. E përcollën Hajriun dhe fatkeqësisht pas kësaj bisede nuk e takova dot me, iku nga kjo botë.
Por mua më ngeli në mendje ky moment,sa herë e shikoj këtë Rusmalin ,edhe sot, më kujtohet ajo pamje e pikëlluar e Hajri Mezinit 23 vite më parë. Më vonë ky Rusmali u bë një drejtues i rëndësishem i PD dhe qeverise së sajë. Nr 2 pas Berishës zëvendëskryeministri. Kurrë nuk jam pajtuar me katapultimin dhe karrierën e tij në PD . Manifestohet një urrejtje të hapur për të përndjekurit politikë dhe antikomunistët, gjë që e manifestoi në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë ku u përjashtuan shumë prej tyre ,sidomos të pushkatuarit nga komunistët.
Kam reaguar publikisht në gazetë për këtë fakt.
I kam thënë Berishës se nuk mund ta bëjë ligjin për të përndjekurit politikë me djemtë e sekretarëve të parë të PPSH. Hajri Mezinit komunistët i kanë vrarë babanë dhe vëllanë, të dy u përjashtuan nga demshpërblimi për shkak te ligjit që bëri Rusmali.
Si Rusmali ka me dhjetëra raste të tjera në PD edhe sot. Prandaj kembëngul që problemi i madh i PD është kriza e perfaqësimit . Nuk bëhet e djathta me ish komunistë, bashkpuntorë të sigurimit dhe djemtë e seketarëve të parë të PPSH apo xhelatve të diktaturës. Këta janë atje për interesa personale, po nuk i plotësuan rikthehen në llogoren e baballarëve e të dalin kundër. Ky është problemi i madh të cilës PD i shmanget në çdo analizë pas humbjeve të perseritura të sajë.
Në se nuk zgjidh dot ketë problem, jo fitorja, por edhe ekzistenca e sajë është në pikëpyetje!
Kam një këshillë për miqtë e mi demokratë: duhet të reagoni në kohë dhe me guxim ndaj fenomeneve të tilla,në se vërtet doni që ato të kenë efekt politik e elektoral dhe veçanërisht të shpëtoni PD-në.