Avionët izraelitë rifilluan sulmet ajrore në Gaza të shtunën herët dhe militantët e Hamasit u kundërpërgjigjën duke qëlluar me raketa në Izrael ndërsa përplasjet e tyre hynë në natën e pestë dhe diplomatët amerikanë dhe arabë kërkuan t’i jepej fund dhunës.
Mjekët palestinezë thanë se të paktën katër persona u vranë në njërin nga disa sulme ajrore në Gazën veriore. Banorët thanë se anijet e marinës izraelite qëlluan me predha nga Mesdheu megjithëse asnjëra prej tyre nuk duket të ketë goditur Rripin e Gazës.
Ministria palestineze e çështjeve fetare tha se avionët izraelitë shkatërruan një xhami. Një zëdhënës i ushtrisë tha se po punohej për të konfirmuar njoftimin.
Sirenat ranë në dy qytete kryesore të Izraelit në jug, duke paralajmëruar goditje të reja nga Gaza. Hamas mori përgjegjësinë për hedhjen e raketave.
Ndërsa nuk ka asnjë shenjë për t’u dhënë fund luftimeve, viktimat u u shtuan. Palestinezët njoftuan për 11 të vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar mes përleshjeve midis protestuesve dhe forcave izraelite të sigurisë.
Të paktën 132 vetë janë vrarë në Gaza që nga e hëna, përfshirë 32 fëmijë dhe 21 gra dhe 950 të tjerë të plagosur, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.
Hamasi tha se një grua dhe një djalë ishin mes katër personave të vrarë në një sulm ajror izraelit që goditi një shtëpi që i përkiste familjes Abu Hattab në kampin e refugjatëve në plazhin e Gazas. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi sulmin.
Mes tetë të vdekurve në Izrael ishin një ushtar që patrullonte në kufirin e Gazës dhe gjashtë civilë, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet izraelite.
Përpara një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të dielën për të diskutuar situatën, u nis për në rajon i dërguari i administratës së Presidentit amerikan Joe Biden, Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet e Izraelit dhe Palestineze, Hady Amr.
Ambasada amerikane në Izrael tha se qëllimi ishte “për të ritheksuar nevojën për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme.”
Izraeli ndërmori sulmet të premten për të shkatërruar ato që tha se ishin tunele të gjata disa kilometra, zona nga hidheshin raketa dhe depo të prodhimit të armëve të përdorura nga militantët në një përpjekje për të ndalur sulmet me raketa.
Armiqësitë ndërkufitare midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza janë shoqëruar me dhunë në komunitete të përziera hebrenjsh dhe arabësh në Izrael. Sinagogat janë sulmuar dhe luftimet në rrugë kanë shpërthyer, duke bërë që presidenti i Izraelit të paralajmërojë për luftë civile.
/Reuters/