Kryeministri Rama ka prezantuar sot kreun e ri të IKMT-së, Ajet Zyberin, që ka zëvëndësuar Dallëndyshe Bicin në krye të strukturës për prishjen e ndërtimeve pa leje. Para shefave të policisë, Rama paralajmëroi një aksion në shkallë të gjerë në bregdet nga Velipoja në Ksamil, për prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa akuzoi policinë për korrupsion.
Por aksioni që paralajmëron Rama, njësoj si fjalimi i tij sot është një “déjà vu” e 8 viteve më parë, kur ai ishte në fillim të mandatit të parë. Edhe atëherë kryeministri angazhohej, për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet duke fajësuar strukturat shtetërore që nuk bënin punën dhe duke përmendur ankesat që vinin nga qytetarët.
Në 2013, ai nuk kishte asnjë ditë në kryeministri, ndërsa tani sapo ka lënë pas 8 vite dhe po nis 4 të tjera në detyrë. Asnjë shenjë përgjegjësie nuk dallohet në fjalën e Ramës. Përkundrazi, fjalimet ngjajnë njësoj si të ishte në ditët e para të detyrës, madje aty gjen edhe shprehje të tipit “në këtë fazë të re që po hyjmë”.
Lapsi.al ka përzgjedhur disa paragrafë të fjalimit të vitit 2013 dhe atij të vitit 2021, ku është vështirë të bëhet diferenca në kohë.
Në gusht të 2013, nëprani të kryebashkiakëve Vangjush Dakos, Shpëtim Gjikës etj dhe disa deputetëve si Paulin Stërkajt, Valentina Leskajt dhe të tjerë, Rama thoshte:
“Ka shumë ankesa, në këndvështrimin tim të drejta, të qytetarëve për uzurpime dhe privatizime de fakto të këtyre territoreve. Ka praktika normale të pushtetit vendor për të dhënë hapësirë për shfrytëzim duke vendosur në dispozicion të pushuesve një infrastrukturë të caktuar me pagesë, por kjo nuk nënkuptim pushtimin dhe mbylljen e atij territori për gjithë të tjerët. Ashtu sikurse ka plot raste që njerëzit ankohen për gardhe dhe mure që bllokojnë territoret e plazheve”
Edi Rama, gusht 2013
Ndërkohë sot, para policëve dhe para Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, Rama kritikoi sërish policinë për mungesë përgjegjësie dhe madje për korrupsion, duke sjellë raste të ngjashme si ato të vitit 2013, që dëshmojnë se problemet mbeten po ato.
“Është e pamundur që një ndërtim pa leje, një ndërhyrje në det në mes të Sarandës, jo në zona të pabanuara, por në mes të qytetit të hidhen gurë e të mbushet me gurë deti e këto të ndodhin pa vajtur këmbë polici për të thënë “ej, ç’janë këto gurë që po hedh në det?” E pastaj të vijë puna deri tek unë dhe pasi ndërhyj unë, për 24 orë të pastrohet, kjo është e papranueshme!
Domethënë u bëka. Atëherë pse nuk është bërë? Kush e mban përgjegjësinë që nuk është bërë?
Policia e Shtetit duhet të jetë shumë rigoroze me vetveten dhe nuk duhet të lejojë që 1, 2, 12, 40, 200, po të doni, individë, të njollosin gjithë reputacionin e saj dhe detyrimisht të gjithë reputacionin e shtetit. Kjo duhet të jetë vijë e kuqe ndarëse dhe këtu, edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme ka një rol të veçantë për të luajtur sepse jemi shumë të qartë; Besoj që kjo nuk është as indiferencë, kjo nuk është as mungesë aftësie, kjo nuk është absolutisht asgjë tjetër, përveçse korrupsion”
Edi Rama, Maj 2021
Në 2013, Rama e quante gjendjen alarmante katastrofike në vijën bregdetare nga veriu në Jug, për shkak të mooskordinimit mes pushtetit vendor dhe atij qëndror, duke folur për një vakuum ligjor.
“Ndërtime pa leje që në këtë periudhë kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm për pasojë të këtij vakumi, po themi, në periudhën e ndërrimit të qeverisë. Ndërtime pa leje që kanë pësuar zhvillime të mëdha edhe për shkak të moskoordinimit mes pushtetit vendor me autoritetet qendrore, por në kushtet në të cilat flasim nuk kemi asnjë justifikim për të bërë sehir’
Edi Rama, gusht 2013
8 vite më pas, ka sërish të njëjtin justifikim, që për Ramën është sërish çështja e ligjeve që sipas tij kanë krijuar një konfuzion.
“E vërteta është që vazhdojmë të jemi në një fazë konfuzioni mes institucioneve dhe mungese ndërveprimi konstant, të orientuar dhe të suksesshëm, gjë që, sigurisht kërkon nga njëra anë, një mbështetje të plotë në aspektin ligjor dhe këtë tashmë e kemi të garantuar me ndërhyrjet e fundit që janë bërë si në Kodin Penal, edhe në ligjin për disiplinimin e ndërtimeve. E nga ana tjetër kërkon një paketë të re aktesh nënligjore, ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojnë, të jenë të qarta për të gjithë”
Edi Rama, Maj 2021
Në 2013, ndërsa priste të merrte mandatin e parë si kryeministër, kërkonte dënimin, dërgimin në prokurori të abuzuesve të ligjit.
“Çdo karabina e ndërtuar deri tani duhet shembur. Ata që kanë cenuar detin, duhet t’i çohen prokurorisë. Ç’do gjë e ndërtuar pa leje që cenon perspektivën e zonës bregdetare, duhet rrafshuar. Në aspektin afatgjatë, duhet një ndërhyrje në ligj qoftë në mënyrën si do menaxhohen hapësirat publike, qoftë si do garantohet që cikli i ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur”.
Edi Rama, gusht 2013
Në vitin 2021, njësoj, kryeministri ka kërkuar dënimin sipas ligjit të shkelësve.
“Në të gjitha rastet, kur ndërtimet me leje, që kanë një grup të tërë njerëzish që janë pjesë e projektit, konstatohen në abuzim, është detyra juaj t’i merrni të gjithë këta, sepse këta janë pjesëmarrës në krim. Aty ku nuk ka leje, ligji është shumë i qartë’
Edi Rama, Maj 2021