Një 35-vjeçar ra në pranga ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij për transportimin e 6 emigrantëvë të paligjshëm, kundrejt fitimit.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 35 vjeç, banues në Gjirokastër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. B., 28 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër”, njoftoi policia.
Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në aksin rrugor Sofratikë-Libohovë, po transportonin me automjetin tip “Audi A3”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, shtuan të njëjtat burime.