Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka marrë disa kthesa të forta në vendimin që përfundimisht sanksionoi shkarkimin e ish-prokurorit Eugen Beçi. Brenda trupës së KPA, kryesuar nga Natasha Mulaj, Albana Shtylla relatore, si dhe Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo anëtarë, për çështjen ndaj Beçit janë krijuar dy shumica me qëndrime të ndryshme.
E para ka vendosur të rrëzojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit sa i përket pasurisë së Beçit. E dyta ka vendosur të shkarkojë Beçin vetëm bazuar në mosdeklarimin në kriterin e figurës të tërheqjes së vizës nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Të mbetura në pakicë në pjesën e pasurisë Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz arsyetuan në qëndrim paralel se deklarimet e Beçit mbi pasuritë mbeteshin të pasinqerta dhe se ai duhej të ishte shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm edhe në këtë kriter, ndërsa e cilësuar arsyetimin e shumicës “alogjizëm”.
Ndërkohë në mendimin e saj si pakicë, Albana Shtylla arsyetoi se vendimi ndaj Beçit duhej t’i ishte kthyer KPK-së për rivlerësim të kriterit të profesionalizmit dhe vendimi të merrej vetëm pas vlerësimit në të tre kriteret. Shtylla arsyeton se vetëm mosdeklarimi i refuzimit të vizës nga SHBA, pikë që është konsideruar shkarkuese në disa vendime të Kolegjit, nuk ishte i mjaftueshëm.
Beçi u shkarkua fillimisht nga KPK në qershor të vitit 2019 nga një trupë e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Roland Ilian. Ai u ankua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cili siç del nga vendimi çliroi Beçin nga problemet e gjetura në kriterin e pasuroisë, por vendosi 4 me 1 në favor të shkarkimit bazuar vetëm në mosdeklarimin e refuzimit të vizës nga SHBA.
Një gabim që ka penalizuar edhe disa gjyqtarë e prokurorë të tjerë që u përfshin nga ambasada e SHBA-ve në një listë personash që u revokoheshin vizat në 26 janar dhe që dështuan ta deklaronin këtë, kur dorëzuan dokumentet për figurën pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Qëndrimi mbi vizën
Siç del nga vendimi i zbardhur i KPA, Beçi iu nënshtrua një procesi rutinë deri në momentin që Kolegji vendosi që ta thirrë atë në një seancë publike. KPA nuk ka bërë më herët të tilla lëshime pa pasur shkelje proceduriale nga ana e KPK-së që kanë detyruar atë të ndërhyjë duke bërë nga e para rivlerësimin dhe ndonjëherë edhe hetim të ri.
Në vendimin për Beçin KPA shprehet se vendosi që kishte nevojë të dëgjonte në seancë publike çështjen. Debati në seancë u fokusua plotësisht mbi çështjen e mosdeklarimit të vizës nga SHBA. Beçi dha aty argumente të ngjashme nga ato të paraqitura me shkrim dhe pretendoi se nuk kishte pasur arsye për mos deklarimin dhe se kishte paraqitur pasaportën që tregonte se viza ishte revokuar.
Në vendim shumica e krijuar në këtë rast nga Mulaj, Çomo, Schuetz dhe Hajdari vendosi se arsyetimi i Beçit se refuzim do të konsiderohej vetëm nëse kthehej nga kufiri në SHBA nuk ishte bindës. Ata argumentuan se me revokimin e vizës ai nuk kishte mundësi të udhëtonte për në SHBA.
“Ky pretendim nuk qëndron, pasi si analizuar më sipër, revokimi i vizës do të thotë refuzim i hyrjes në një shtet të caktuar”, thuhet në vendim.
Kolegji shprehet se Beçi kishte pasur mundësinë të shprehej mbi këtë revokim pasi ai ishte njoftuar “nga Ambasada e ShBA-së në Tiranë për revokimin e vizës trevjeçare që kishte marrë pranë saj, përpara datës së dorëzimit të formularit për kontrollin e figurës”.
Shumica arsyeton se pavarësisht kësaj dijenie, “subjekti ka dorëzuar formularin të plotësuar në mënyrë të pasaktë”. Kjo pasaktësi sipas shumicës është e mjaftueshme për ta cilësuar Beçin të papërshtatshëm në kriterin e figurës, duke e cilësuar atë shkarkuese.
Përkundër kësaj në pakicë, Shtylla që ka mbajtur qëndrim më të zbutur ndaj Beçit arsyeton se vetëm mosdeklarimi i revokimit të vizës ishte i pamjaftueshëm për të vendosur shkarkimin. Shtylla megjithatë nuk shprehet në favor apo kundër shkarkimit, ajo kërkon që ish-prokurori t;i nënshtrohej rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për kriterin e profesionalizmit dhe vetëm më pas të merrej vendim për të.
“Bazuar në sa më sipër, vlerësoj se për sa kohë që fakti i mosdeklarimit të revokimit të vizës në deklaratën e rivlerësimit për kriterin e figurës, si i vetëm, nuk mund të kualifikohet si shkak shkarkimi”, shprehet Shtylla.
Problemet e pasurisë
Mosdeklarimi i refuzimit të vizës nga SHBA edhe pse është konsideruar shkarkues më herët, nuk ka qenë asnjëherë element i vetëm në vendimmarrjet për shkarkim as në KPA dhe as në KPK. Por në rastin e Beçit ai mbeti arsye e vetme e shkarkimit, pasi një shumicë e krijuar në trupë nga relatorja Shtylla, Çomo dhe Hajdari rrëzoi vendimin e KPK në kriterin e pasurisë.
Shumica rrëzoi fillimisht dyshimet e ngritura nga KPK mbi dy kontrata për një apartament të blerë në vitin 2006. Komisioni ishte shprehur se një prej kontratave ishte fiktive dhe ishte përdorur për të përfituar kreditë të butë, ndërsa destinacioni i kësaj të fundit nuk dokumentohej. Por shumica në KPA nuk e gjeti këtë si problem.
Në arsyetim shumica shprehet se dy kontratat njëra me pronarin e truallit dhe tjetra me kompaninë ishin për të njëjtin objekt dhe se nuk shihte arsye të fiktivitetit. Shumica po ashtu rrëzoi edhe pretendimin e KPK-së se kredia e butë ishte përfituar përmes kontratës fiktive apo pretendimet mbi mungesën e provave për pagesat.
Shumica shprehet se deklarimet në deklaratat periodike ishin mjaftueshme për të provuar se si u përdor kredia, ndërsa argumenton se ish-prokurori nuk kishte blerë pasuri tjetër.
Por në pakicë Mulaj dhe Schuetz thonë se argumentimi nuk qëndronte. Ato fokusohen kryesisht te deklarimet kontradiktore të Beçit në lidhje me një kredi mobilimi. Sipas pakicës ish prokurori e kishte blerë shtëpinë dhe jetonte në të, para se të nënshkruante kontratën e dytë dhe se kredia e mobilimit është marrë para se të merrej kredia e butë.
Ngjashëm pakica i referohet si të drejta gjetjeve të KPK-së se ish-prokurori nuk e kishte transferuar të gjithë kredinë për shtëpinë e blerë, por e kishte tërhequr atë pjesë-pjesë që sipas pakicën nuk tregonin që ishte përdorur për shtëpinë, duke vënë në dyshim burimin e blerjes.
Njësoj shumica rrëzon pretendimet e KPK-së sa i përket shkëmbimit të apartamentit 82 metra me një apartament 169.6 metra. Shumica nuk e përmend ndryshimet në vlerë të apartamentit, njëri i vlerësuar 8 milion dhe tjetri 22 milion.
Ajo arsyeton se merreshin të mirëqena huatë nga dy vëllezërit, 4 milion lekë, që ishin rrëzuar në KPK si të pa dokumentuara dhe pranoi si provë kontratat për to duke iu referuar marrëdhënieve familjare. Shumica po ashtu mori të mirëqenë formën e pagesës dhe kontratat e nënshkruar mes dy palëve që futeshin në marrëdhënie shkëmbimi, në të cilën thuhej se një pjesë e çmimit do të paguhej për 8 vjet me 400 mijë lekë në vit.
Sipas shumicës deklarimet e subjektit në deklaratat periodike në këtë periudhë dhe kontratat e nënshkruara e shpjegimet e dhëna ishin të mjaftueshme si prova. Shumica vlerësoi si problem vetëm bilance të vogla negative qe mbeteshin pas rrëzimit të një pjese të vendimit të KPK, që sipas saj nuk pas sillnin shkarkim nga detyre.
Por pakica thotë se ky arsyetim nuk ishte logjik. “Kjo premisë do të ishte një gabim deduksioni logjik, në të cilin vërtetësia e thënieve do të konstatohej e provuar, meqenëse subjekti ka treguar kujdes të deklarojë një burim të caktuar, pavarësisht nga mungesa e dokumentacionit shoqërues-provues që përmbush kriteret e kërkuara nga ligji lidhur me ligjshmërinë në formë dhe përmbajtje”, shprehet pakica.
Mulaj dhe Schuetz shprehen se KPA duhej të kishte tejkaluar në këtë pikë edhe vendimin e Komisionit, i cili nuk i ishte referuar çmimit të transaksionit. Sipas pakicës Beçi kishte përfituar një apartament 22 milion lekë duke paguar vetëm 15.2 milion lekë, një pjesë të të cilave me këste deri në vitin 2022, dhe pala tjetër kishte humbur në transaksion 7.6 milion lekë. Pakica tha se marrëdhëniet miqësore nuk ishin bindëse për të provuar këtë lloj shkëmbimi.
“Subjekti i rivlerësimit nuk ishte bindës për të sqaruar arsyet përse ky këmbim është pranuar nga z. R. në një disfavor të qartë dhe në mospërputhje me çdo logjikë ekonomike”, shprehet pakica. Sipas të cilës vendimi i komisionit duhej të kishte qëndruar në tërësinë e tij dhe se deklarimi i Beçit mbi pasurinë ishte i pamjaftueshëm. /BIRN/