Familje tradicionale të Tiranës i dhanë mbështetjen kandidates për deputete të Partisë Demokratike, Jorida Tabakut, për zgjedhjet e 25 prillit.
“Jorida ka dëshmuar që është një gocë me karakter, gocë e vendosur, që ka krijuar një personalitet ç’është e vërteta, që meriton jo vetëm respektin tonë të tiransve, po besoj edhe të shumë qytetarëve të tjerë. Kam bindjen që do të fitojë Jorida edhe do të fitojë numri 9 në përgjithësi”, tha njëri nga përfaqësuesit e këtyre familjeve.
Si pjesë e këtij komuniteti, pasardhëse e dy familjeve të mëdha, Tabaku e Turdiu, Tabaku tha se do të përpiqet maksimalisht, jo vetëm për të qenë zëri i tij në parlamentin dhe qeverinë e pas 25 prillit, por edhe për të cuar përpara traditën e pacmuar dhe për t’i dhënë vlerësimin që meriton dhe vendin që i takon.
“Për mua do të jetë privilegj i një jete dhe nderi më i madh që t’u përfaqësoj në parlamentin e ardhshëm dhe jam e sigurt, që do të do të bëj maksimumin për të çuar zërin tuaj kudo. Tani kjo ka dalë nga sepetet e vjetra të shtëpisë (një jelek tradicional i Tiranës), kisha vite që nuk e shihja dhe nuk e vishja, po është thjesht një gjest për të treguar që do përpiqem në maksimum të respektoj traditën tonë, ta vlerësoj traditën tonë, të nxjerr më të mirë e traditës tonë dhe sa herë që të kem mundësi, e kudo që të kem mundësi, sa herë të më jepet rasti, të vlerësoj komunitetin tonë, që jo gjithmonë ka pasur atë vend që i takon në qeverisje, në administratë dhe kudo”, u shpreh Tabaku.
Kandidatja për deputete tha se ajo është e vetëdijshme për përgjegjesitë që ka si pjesë e këtij komuniteti, por angazhimi për të qenë në krah të tij është një privilegj jo vetëm për shkak të mbështetjes që ka marrë nga familjet tiranase, por edhe për vlerat që ato mbartin.
“Do jem zëri juaj e mendja juaj sa herë që ju të ma kërkoni, e di që kam një barrë shumë të rëndë se kemi edhe gabime të të shkuarës për të shlyer, që ndoshta nuk e kemi respektuar sa duhet këtë komunitet. Por një gjë ua them nga zemra ashtu siç më keni pritur dhe ju nga zemra sa herë që i kam rënë dyerve tuaja. Do bëj maksimumin që ju të respektoheni e të vlerësoheni. Të përpiqemi që fëmijët tuaj, që janë të talentuar, të studiuar jashtë, që ndoshta nuk kanë pasur mundësi, që të vlerësohen deri më sot, do kenë mbështetjen time maksimale! Ashtu siç do e kenë mbështetjen time maksimale edhe të gjithë nënat që më kanë hapur dyert e baballarët tuaj që më kanë mbështetur”, u shpreh ajo.
Tabaku tha se në rrugëtimin e saj politik, në këto 12 vjet, familjet tiranase kanë qenë mbështetësit e saj më të mëdhenj, por krahas atyre nuk ka munguar as mbështetja e cdo familje tjetër, e cila nuk duron padrejtësitë, shkatërrimin e qytetit dhe të identitetit të tij.