Ziqiri Mero, njëri ndër 16 ishgjeneralët e Brigadës së Parë, tashmë në moshën 97 vjeçare, e quan pa vend debatin e ditëve të fundit për pushkatimin e 65 ballistëve në Lushnjë, në tetor të vitit ’43.
Sakaq, dekreti i Presidentit të Republikës për dekorimin e tyre në optikën e tij është një dekoratë për debat të panevojshëm. Ne Foto: Ziqiri Mero I rezervuar për ta ndarë me median vlerësimin për historinë e pazakontë, ishshtatmadhori i ushtrisë pranon të flasë për gazetën “Panorama”, me kushtin e vetëm për ta parë ngjarjen si një detaj të shkëputur nga biografia e lavdishme e Brigadës së Parë. Se nuk mund të mohohet gjaku i 471 dëshmorëve dhe sakrifica e 2000 luftëtarëve të saj, shprehet veterani njëshekullor, që ruan konsideratat më të larta për ishkomandantin e tij, Mehmet Shehu. Sa për tragjedinë e ballistëve në tetor të ’43, ishgjenerali ka memorizuar në kujtesë çastet para ndodhisë, kur ka qenë në një aksion në krah të Mehmet Shehut në afërsi të Peqinit dhe në mbledhjen e shtabit të Brigadës ku për herë të parë është shqyrtuar me tone kritike ngjarja e Lushnjës. “Ishte një mbledhje e papritur, e thirrur me urdhër të komandantit të Brigadës, kujton ai. Mehmeti u shfaq aty në orën e caktuar dhe ia nisi rrufeshëm. Me aktin e kryer e kemi tepruar; kumtoi me ton të vrazhdë, kemi bërë një vepër të nxituar e të dënueshme, se bashkë me ballistët që luftuan në krah të okupatorin kundër forcave tona, kemi vrarë dhe të tjerë, të pafajshëm, fshatarë të gënjyer”. Po çfarë dëshmon tjetër ishgjenerali i Brigadës së Parë dhe pse këmbëngul për t’i mbajtur larg debatit ngjarje të tilla…
Zoti Ziqiri, ju jeni një nga gjeneralët e Brigadës së Parë, që i keni ndjekur luftimet e saj nga dita e themelimit deri në çlirimin e vendit. Si e vlerësoni debatin për pushkatimin e 65 ballistëve në 21 tetor të vitit ’43, që u dekoruan nga Presidenti Nishani?
Një debat pa vend dhe një dekoratë për debat. Besoj se jam i qartë. S’di si të shprehem ndryshe. Zemra ma thotë se kështu e gjykon çdo mendje e kthjelltë.
Përtej kësaj, flitet për 65 të vrarë, për një ngjarje që ka mbetur njollë e zezë në biografinë e Brigadës së Parë…
Biografinë e saj Brigada e Parë e ka shkruar me gjak dhe sakrifica. Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë e po bëhen për motive nga më të ndryshmet që ta baltosin, përsëri ajo mbetet e lavdishme. Se nuk mund të bëhet ujë gjaku i derdhur për liri, se nuk mund të shkelet me këmbë kontributi dhe sakrificat e atyre qindra djemve dhe vajzave, që nën komandën e Mehmet Shehut i kushtuan jetën luftës për çlirimin e vendit…
S’është fjala këtu për të mohuar kontributet, por për t’i qëndruar përballë një ngjarjeje të tillë, që në thelb është krim…
Ajo vërtet që ka qenë një ngjarje e rëndë, por zhurma e madhe që bëhet për të, sidomos tani pas dekorimit të presidentit, ka vetëm një qëllim, të rrënojë vlerat e luftës antifashiste, në rastin në fjalë emrin dhe figurën e luftëtarëve të Brigadës së Parë dhe komandantit të saj, Mehmet Shehu. Të hedhë baltë mbi të rënët, dëshmorët. Kjo është e dhimbshme, shumë e dhimbshme për ne, ishbashkëluftëtarët e tyre…
Për jetët e humbura dhimbja është e natyrshme. E njëjta vlen edhe për rastin e ballistëve të vrarë pa shkak…
Patjetër edhe për rastin e tyre. Ka pasur një lloj nxitimi në pushkatimin e tyre. Është pranuar kjo nga vetë Mehmeti. Ka bërë autokritikë. Ka pasur për ngjarjen edhe ndëshkime nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ajo që ndodhi atë ditë tetori me ballistët e Lushnjës nuk i është fshehur publikut, pavarësisht realiteteve politike në vend. Po e kisha fjalën që zmadhimi i kësaj tragjedie nuk ka pse të cenojë historinë e lavdishme të Brigadës…
Në çfarë rrethanash ndodhi tragjedia e 21 tetorit, ku u pushkatuan 65 ballistët?
Ngjarja ka ndodhur më 23 tetor, jo në 21. Ishte periudha kur Brigada e Parë ishte përfshirë në luftime në zonën e Lushnjës. Përveç forcave gjermane, përballë shpeshherë na dilnin dhe ato të ballit. Pavarësisht çfarë flitet tani. E vërteta është që një pjesë jo e vogël e këtyre të fundit bashkëpunuan hapur me pushtuesin…
E keni fjalën për ballistët e pushkatuar…
ër një pjesë të tyre, që njiheshin jo vetëm prej nesh, por nga tërë banorët e zonës. Të tjerët nuk kishin ndonjë aktivitet, ishin fshatarë të thjeshtë, që ishin regjistruar me forcat e Ballit ato ditë.
Brigada juaj kalonte tranzit ato ditë në Lushnjë, kush ju orientonte me emrat e ballistëve që ishin bashkuar me gjermanët?
Ne vërtet kalonim ato ditë në Lushnjë, por aty vepronin forcat lokale, se lëvizja ishte e organizuar në çdo zonë. Ato e njihnin mirë situatën në terren. Bashkëpunimi me to i bënte më të efektshme përpjekjet tona në luftën kundër pushtuesit…
Kush e drejtonte lëvizjen nacionalçlirimtare në atë kohë në Lushnjë?
Drejtuesi kryesor në atë periudhë ishte Xhoxhi Robo. Ai ishte një kuadër i aftë dhe i zoti. Kishte besimin absolut të organeve të Partisë në zonë dhe në qendër. Në shtabin e tij kishte një grup kompakt që kishte pasur sukses gjatë luftimeve me forcat italiane që tashmë ishin tërhequr. Kishin pasur përballje edhe me forcat balliste…
Po Brigada juaj pati përballje me forcat e Ballit, kur u fut në zonën e Lushnjës?
Brigada e Parë operoi për disa ditë në zonën e Lushnjës. Në këtë periudhë vendin e okupatorëve italianë e kishin zënë ushtarët nazistë. Në historikun e Brigadës janë pasqyruar me saktësi të gjitha betejat. Aty janë regjistruar edhe emrat e ballistëve që iu ishin bashkuar forcave gjermane…
Në cilën zonë të Lushnjës luftoi reparti që drejtonit ju? Kur u pushkatuan ballistët?
Besoj se e keni fjalën për atë periudhë.
Pikërisht për atë periudhë…
Dy ditë para asaj ngjarjeje, batalioni ku bëja pjesë unë ishte vendosur në afërsi të Peqinit. Me urdhër të Mehmet Shehut ishin shpërndarë në formacion luftimi përgjatë një kanali mbi rrugën automobilistike dhe prisnim kolonën gjermane që, sipas informacioneve, vinte nga Struga dhe pritej të kalonte aty. Mehmet Shehu u vendos vetë në krye dhe na porositi që të hapnim zjarr vetëm kur të qëllonte ai. Nuk kaloi asnjë orë dhe kolona u shfaq në krye të rrugës. Pas breshërisë së Mehmetit, ia shkrepëm të gjithë. Në pak çaste pastaj 18 makina u gozhduan në vend dhe u përfshinë nga flakët. Për habinë tonë, në to nuk pati ushtarë. Me sa konstatuam më vonë, kur i kontrolluam nga afër, rezultoi që autokolona nuk transportonte trupa, por bomba aviacioni. Në fund, Mehmeti na përgëzoi dhe u largua duke na thënë se do të shkonte në Lushnjë për t’u takuar me drejtuesit e zonës…
A kishte lidhje pushkatimi i ballistëve me takimin e Mehmetit me krerët e lëvizjes në Lushnjë?
Unë nuk kam qenë i pranishëm në atë ngjarje. Me Mehmetin, siç e thashë, u ndamë dy ditë më parë në afërsi të Peqinit, ose më saktë ku ndahet zona e Lushnjës me Peqinin. Pas këtij momenti, batalioni ynë u zhvendos në zonën e Dumresë. Unë aty e mora vesh çfarë kishte ndodhur me ballistët…
Kush jua tregoi?
Ngjarjen ma tregoi një kushëriri im që kishte qenë aty dhe atë ditë erdhi në Dumre bashkë me efektivin e Batalionit të tij. I tronditur nga ajo që kishte parë me sy, më foli gjerë e gjatë për ngjarjen rrëqethëse. Më tregoi dhe për numrin e madh të ballistëve të pushkatuar. Nga mënyra si shprehej, të linte të kuptoje se nuk kishte dashur të ishte i pranishëm në atë mynxyrë…
Flitet se masakra u bë me urdhër të Mehmet Shehut nën diktimin e misionarit jugosllav, Dushan Mugosha…
Në çdo rast të tillë veprohej me vendimin e gjyqit partizan. Trupa gjyqësore patjetër që ngrihej me urdhër të komandantit të Brigadës. Sa për atë që thonë se aty ka qenë i pranishëm dhe Dushan Mugosha, nuk është e vërtetë. Ai kishte disa kohë që nuk ishte shfaqur më në Brigadën tonë. Nuk e di pse këmbëngulin ta lidhin këtë ngjarje patjetër me emrin e Mugoshës. Punë e tyre. Do t’u rekomandoja të shfletojnë dokumentet e luftës dhe kanë për ta gjetur ku ndodhej ai në atë periudhë. Mugosha ka bërë prapësi të tjera sa të duash në Shqipëri, por me rastin në fjalë, nuk ka asnjë lidhje…
A është e vërtetë që ata i qëlloi me breshëri vetë Mehmet Shehu?
Nuk kishte arsye të qëllonte vetë Mehmet Shehu. Në raste të tilla caktohej një skuadër partizanësh dhe aty për aty zbatonin urdhrin e gjyqit. Në rastin e ballistëve të Lushnjës, siç më tha kushëriri që kishte qenë aty, ishin caktuar dy grupe pushkatarësh…
Çfarë mbani mend nga takimi i parë me Mehmet Shehun, pas kësaj ngjarjeje? Si e argumentonte ai veprimin ekstrem të padëgjuar më parë?
Me Mehmet Shehun jemi takuar pesë ditë pas ngjarjes së Lushnjës. Me urdhër të tij u mblodhën në zonën e Dumresë të gjithë kuadrot e Brigadës. Në orën e caktuar ai u shfaq aty dhe si rrallë tjetër herë, nisi të komunikonte, pa pritur t’i paraqitej forca, siç ndodhte gjithmonë në të tilla raste. “Besoj e keni marrë vesh atë çfarë ndodhi në Lushnjë, shqiptoi Mehmeti me një ton të vrazhdë, duke kujtuar ngjarjen e para disa ditëve. Shtabi i Përgjithshëm na ka qortuar rëndë me të drejtë. Me aktin e kryer e kemi tepruar; kemi bërë një vepër të nxituar dhe të dënueshme. Njëherazi me bashkëpunëtorët e okupatorit me aktivitet kundër forcave tona, kemi vrarë dhe të tjerë, të pafajshëm, fshatarë të gënjyer nga krerët e Ballit”. Kaq tha dhe e mbylli me porosinë e Shtabit të Përgjithshëm për një analizë të thellë rreth çështjes që ishte bërë problem edhe përtej Brigadës së Parë dhe qarkut të Lushnjës…
U bënë më vonë këto analiza? U penalizuan përgjegjësit e ngjarjes tragjike?
Pati disa të tilla, jo vetëm në ditët e luftës, por edhe më vonë. Ka dokumente në arkiva për to. Mehmet Shehu bëri një autokritikë të thellë para organeve të larta të Partisë. Madje edhe u gjykua prej tyre. U ndëshkua në mos gaboj me masë të rëndë. Shkurt, ngjarja nuk u nënvleftësua për asnjë moment, pavarësisht rrethanave specifike në të cilën kishte ndodhur. Se ishte luftë e në luftë e sipër shumë herë vendimmarrja ndikohet nga ndjenjat dhe emocionet e çastit…
Ju thatë se ballistët u pushkatuan me vendimin e gjyqit partizan. Çfarë tagri kishin këto gjykata dhe a ka pasur raste të tjera kur është proceduar me vendime ekstreme?
Ato kanë qenë trupa modeste të ngritura me urdhër të Komandës së Brigadës sipas rastit. Në to merrnin pjesë partizanë të zgjedhur. Zakonisht, në krye të tyre vendosej njëri nga pjesëtarët e shtabit të Brigadës.
Ju kujtohet ndonjë rast tjetër si ky i Lushnjës?
Rastet kanë qenë të rralla. Më kujtohet një gjyq i tillë kur ishim në zonën e Çermenikës. U gjykua një partizan që akuzohej për vjedhje dhe sjellje të pahijshme në komunitet. Pas gjykimit, u pushkatua. Ky ka qenë rasti i fundit i dënimeve ekstreme, me sa mbaj mend unë. Pas këtij, u bë një gjyq tjetër për dy të rinj që ishin kapur duke bërë dashuriçka. U vendos dhe për ta pushkatimi, por Mehmet Shehu e ktheu mbrapsht. Me urdhër të tij dy partizanët fatkeq u transferuan në Brigadën e tretë. Shpëtuan dhe deri vonë kanë qenë gjallë. Kështu ka qenë e vërteta, që shumë herë njerëz të veçantë e zmadhojnë dhe stërzmadhojnë për të nxirë historikun e Brigadës së Parë…
Sidoqoftë, ngjarje të errëta mbeten…
Tani njerëzit mund të shprehen si të duan, por shkëlqimi i veprës së partizanëve të Brigadës së Parë s’mund të zbehet nga asnjë përpjekje keqdashëse. Se nuk mund të mohohet gjaku i 471 dëshmorëve të flijuar nga njësia jonë, e cila, kur u themelua, kishte 446 partizanë dhe në përfundim të luftës arriti në 2000 veta. Pakkush e di sot këtë fakt. Pakkush e di sot që Brigada e Parë prodhoi 16 gjeneralë për Ushtrinë Antifashiste Nacionalçlirimtare, që kuadrot dhe partizanët e saj idealistë u bënë protagonistë të ringritjes së vendit pas çlirimit…
***
Biografia/ Kush është gjeneral Ziqiri Mero
Ziqiri Mero iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare që në moshë të re, në kohën kur ishte duke përfunduar studimet në Shkollën Normale të Elbasanit. Në vitin 1943 u bë pjesë e çetës partizane “Morava” dhe me krijimin e Brigadës së Parë, u rreshtua në radhët e saj, fillimisht me detyrën e komisarit të kompanisë, për të vijuar me atë të komandantit të Batalionit dhe për ta mbyllur me detyrën e zëvendëskomisarit të Brigadës.Pas çlirimit iu besuan funksione të rëndësishme në radhët e ushtrisë. Në vitet 19481950 kreu detyrën e komisarit të Divizionit të Korçës dhe atij të Tiranës. Në periudhën 19551956 ishte komisar i Korpusit të Elbasanit dhe në vitin 1959 ishte komisar i Mbrojtjes Bregdetare. Nga viti 1960 deri në vitin 1967 bëri detyrën e komisarit të Flotës Luftarake me gradën Admiral (gjeneral). Në vitet 19671973 ishte zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike, për t’u transferuar në vijim në funksionin e komisarit të Akademisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Me një karrierë të suksesshme, që nisi me gradën e majorit dhe kulmoi me atë të gjeneralit, Ziqiri Mero është regjistruar në enciklopedinë ushtarake si një nga shtatmadhorët më të zëshëm të ushtrisë. Nga ishkolegët dhe bashkëmoshatarët njihet për integritet të spikatur dhe kontribute të veçanta në artikulimin e traditave dhe historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Megjithëse në moshë të thyer, plot 97 vjeç, është nga frekuentuesit e përditshëm të selisë së veteranëve të luftës, madje ndër më aktivët mes tyre për evokimin e vlerave të ishluftëtarëve që kontribuuan në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesi nazifashist.