Fushë Mbreti është nga lagjet e mëdha, por më të varfëra të Elbasanit. E braktisur totalisht, ka mungesa bazike nga kanalizimet, tek rrugët dhe ujësjellësat. Drejtuesi Politik, Gazment Bardhi, dhe kandidatët Zheni Gjergji e Eugen Isaj, u takuan me banorët dhe dhanë mesazhin se ndryshimi që vjen pas 25 prillit, është për ta, për familjet, për fëmijët e të rinjtë e zonës.
“Unë do t’i drejtohem sot zonjave, ajo është pjesa ime kryesore, pjesa ime e ndjeshme si grua dhe si nënë, dhe natyrisht është forca kryesore levizëse e çdo familje. Zonja, motra, nëna, kanë ngelur shumë pak ditë, në emër të fëmijëve, që fëmijët tanë të jetojnë këtu, te vatra jonë, te shtëpia jonë, te prona jonë, bashkë me gjyshin dhe gjyshen, ne duhet të jemi bashkë. Asnjë ditë nga këto 9 ditë që kanë ngelur të mos bëjmë indiferentin, të trokasim derë më derë e të kërkojmë votën. Ne jemi njerëz të ndershëm, njerëz me dinjitet, ne e duam familjen shqiptare, ne e duam familjen tonë. Mos u mashtroni, mos kini frikë. Ditët e fundit, ndoshta, presioni do të vijë duke u shtuar, por ne duhet të tregojmë që jemi të gjithë bashkë, duke qënë bashkë askush nuk na përçan. Unë do t’u ftoja që të gjitha bashkë, të gjithë në 25 prill të ndryshojmë Shqipërinë, të ndryshojmë Elbasanin dhe të rithejmë buzqeshjen të fëmijët tanë”, tha Zheni Gjergji.
“Këta e kanë lidhur fatin e tyre vetëm me blerjen e votës, me asgjë tjetër, ata nuk kanë çfarë t’i thonë shqiptarëve. Nuk kanë se çfarë t’i thonë Fushë Mbretit, është turp që në këto 30 vite demokraci lagjet e Fushë Mbretit janë në këtë gjendje dhe sigurisht për këtë dhe ne kemi gabimet tona që duhet t’i pranojmë, por nuk mund të tolerohet më kjo gjendje. Fushë Mbreti do të jetë të jetë lagjia kryesore në qytetin e Elbasanit që do të ketë prioritetin absolut të qeverisë Basha dhe për këtë unë ju garantoj edhe në emër të kryetarit të grupit të punës, zotit Bardhi. Nuk mund të shkojmë më në këtë mënyrë që në Fushë Mbret të mos ketë kanalizime, ujë, drita”, tha Eugen Isaj.
Gazment Bardhi u shpreh se lënia në varfëri ka qënë një strategji e qeverisë, për ta pasur më lehtë t’i nënshtrojë qytetarët dhe t’u blejë atyre dinjitetin me 50 mijë lek para zgjedhjeve. Bardhi i siguroi banorët, se bandat dhe krimi do të kenë frikë nga qytetarët, pas 25 prillit. Elbasani do t’i kthehet normalitetit, rendit, qetësisë, kulturës, dijes dhe harmonisë, siç i ka hije.
“Elbasani ka 14 vite që qeveriset në njësitë lokale nga PS dhe se çfarë dinë të bëjnë ata sa herë që qeverisin, mjafton të vish këtu te ju e të shohësh. Zero punë, asnjë investim, asnjë bilanc. Nuk është vetëm këtu te ju gjendja e degraduar kështu siç ju e shihni çdo ditë, më besoni, çdo lagjie e Elbasanit është në të njëjtën gjendje. Unë kam arritur në konkuluzionin që e kanë pasur strategji. Edhe këtu te ju e kanë pasur strategji për 8 vite që t’iu varfërojnë sa më shumë, sepse mendojnë që duke ju varfëruar sa më shumë e kanë më të lehtë që t’iu nënshtruar. E kanë më të lehtë për të bërë këtë që kanë bërë në këto 8 vite. E kanë më të lehtë që me lekët që kanë vjedhur për katë vite, të vijnë një ditë apo dy ditë përpara zgjedhjeve e të përpiqen të na blejen dinjitetin, të na gënjejnë me një thes mjell, të na gënjejnë me një 50 mijë leksh që pa kaluar muaji na e marrin mbrapsht nga fatura e energjisë elektrike, që e kanë rritur dyfish. Unë e kam ndjerë kudo që gjithësecili nga ju e ka marrë vendimin, kam pasur dëshminë edhe të njerëzve që me kanë thënë se në 2017-ën e kanë shitur votën, por nuk ndodh më kurrë që ta shesin sërish votën. Të jeni të sigurtë që nuk e kanë shumë të gjatë, i kanë ndrruar këtë javë, pasi ne i kemi denoncuar, edhe pjesa tjetër janë identifikuar dhe do shkojnë aty ku e ka vendin cilido që shkel ligjin.
Ju, nga i pari te i fundit do të duhet të qendroni vetëm me kokën lart. Nuk ka bandit që do ju vërë juve në rresht, jeni ju që do t’i vendosni ata në rresht, bashkë me ne. Cilido që ju ka dhunuar apo shantazhuar gjatë kësaj kohe, duhet të dijë që pas 6 ditësh pushtetin nuk e kanë më ata, por e keni ju nga i pari te i fundit. Ata duhet të kenë frikë nga ju, jo ju nga ata dhe do të shikoni që ata realisht do të kënë frikë nga secili prej jush. Prandaj në këto ditë do të duhet së pari të ndërgjegjësojmë cilindo në lagjie, mik a shok që ky është një moment historik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për familjet tona sepse në 25 prill nuk votohet thjesht për PD dhe për ndryshimin, por votohet për familjet tona dhe për fëmijet tuaj, për mirëqënien tuaj dhe për mundësinë për më shumë punësim. Ajo që ka munguar në këtë 8 vite është një qeveri që të jetë krah njerëzve. Në 25 prill ka dy alternative, që çdo shqipëtar, çdo qytetar i Elbasanit do të duhet të mendojë. Alternativa e parë është: jemi mirë kështu siç jemi, rrimë kështu dhe katër vite të tjera, këtë alternativë e ofron Edi Rama. Alternativa jonë është që nuk jemi mirë kështu siç jemi, prandaj shqiparët duhet të votojnë për ta ndryshuar gjendjen. Me 25 prill votohet vetëm për një mumër, që është numri që na jep të gjithëve shpresë që mund të jetojmë dhe mund të vazhdojmë të jetojmë në Shqipëri, që kemi më shumë mundësi për punësim, që familjet tonë të kthehen në normalitet, të kemi më shumë mirëqenie, të mos kemi frikë nga banditët, por banditët të kenë frikë nga ju dhe nga ligji, dhe ta kthejmë Elbasanin aty ku ka qënë gjithmonë në historinë e Shqipërisë, si qytetin e dijes, kulturës, paqes dhe harmonisë. Të jeni të sigurtë që kështu siç jemi sot këtu, do jemi këtu edhe pas 25 prillit dhe të jeni të sigurtë që ne, ato angazhime që kemi marrë përsipër gjatë fushatës zgjedhore do t’i vëmë në jetë, për faktin e thjeshtë, që ju vetë na keni thënë se atë qe vjen pas 25 prillit e shikoni si shpresën e fundit për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, deklaroi Gazment Bardhi.