Në pamundësi për t’i thirrur në ndihmë ndonjë fabule më të mirë, kryeministri Rama i është kthyer në Berlin një miti të rremë që e përdorin shpesh herë liderët shqiptarë që nuk kanë plotësuar detyrat e shtëpisë. Ajo që ai tha përpara kancelares Merkel, që e përsëriti më pas në Tiranë dhe në një intervistë për Deutche Welle, ishte se “integrimi europian është një proces që na e imponojnë etrit themelues që krijuan shtetin shqiptar, 104 vite më parë”.
Por, sado i bukur të jetë ky pohim, sado këndshëm mund të kumbojë ai në veshët e udhëheqësve kristianë të Europës së sotme, për fat të keq, ai nuk është i vërtetë.
Etrit themelues, që më 28 nëntor 1912, vendosën pavarësinë e vendit dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar, nuk kishin as si ëndërr, as si aspiratë dhe as si qëllim, atë që ne konsiderojmë sot si Europën e perëndimit.
Endrra, aspirata dhe qëllimi i tyre, sado vizionare qoftë, nuk i kapërcente fatkeqësisht, caqet e perandorisë osmane e cila i kishte rritur, i kishte formuar dhe u kish dhënë ofiqe të larta.
Të gjithë historianët seriozë që janë marrë me Shqipërinë dhe Ballkanin, kanë vënë re një gjë unikale në lëvizjen kombëtare shqiptare, që e dallon atë nga ajo e vendeve përreth. Deri vonë ajo nuk ka qenë për shkëputjen nga sovraniteti i sulltanit. Deri në ditët e fundit, para 28 nëntorit 2012, ajo ka synuar një autonomi të zgjeruar nën Turqinë.
Po të qëmtosh që në fillimet e saj, në Lidhjen e Prizërenit (1878), kërkesat e artikuluara nuk shkojnë më shumë sesa bashkimi i katër vilajeteve, Janinës, Manastirit, Shkupit dhe Shkodrës nën perandorinë. Ata, as nuk e shpinin nëpërmend krijimin e një shteti të pavarur, ndryshe nga ç‘ndodhte me fqinjët tanë.
Edhe më pas, mbështetja që i bënë disa krerë nacionalistë shqiptarë, mes tyre edhe themeluesi i shtetit Ismail Qemali, revolucionit të turqve të rij, ishte pikërisht për faktin se ai kërkonte një rikthim në kushtetutën osmane të vitit 1876, pra tek më shumë decentralizimi, më shumë të drejta për popullsitë jo turke dhe hapjen e shkollave shqip.
Deri në fund, pra deri pak muaj më parë se vendi të ngrinte flamurin, ideja që mbizotëronte në elitën shqiptare nuk qe ajo e pamvarësisë, por ajo e forcimit të pozitave në kuadrin e perandorisë.
Edhe kur u nis nga Stambolli, për udhëtimin e tij të famshëm që e kemi parë të glorifikuar në filmin “Nëntori i dytë”, Ismail Qemali nuk imagjinonte më shumë sesa autonomi në kuadër të perandorisë. Dhe kjo gjë kishte një arsye. Shqiptarët i druheshin më shumë synimeve ekspansioniste të fqinjëve që kërkonin të rrëmbenin teritiore, sesa vetë rregjimit ku ishin rritur dhe formuar.
Eshtë e njohur ajo historia e plakut të Vlorës, të cilit, ministri i jashtëm i Austro- Hungarisë, konti Bertold, i tha përpara se të shkelte në Shqipëri: “nëse nuk ke një shtizë ku ta varësh flamurin e pavarsisë, merr një bajonetë austriake dhe bëje”.
Pra më shumë sesa një ideal i elitës shqiptare, më shumë sesa një aspiratë apo qëllim i saj, pavarsia jonë ishte një realitet që u imponua nga jashtë.
Aty një rol të madh, madje të jashtëzakonëshëm, luajti perandoria Austro Hungareze, që për interesat e saj gjeopolitike, nuk e donte daljen e sllavëve dhe posaçërisht të Serbisë, në detin Adriatik.
Aty një rol jo të vogël luajti edhe Italia që e donte shtetin shqiptar si një protektorat, për ta kthyer Adriatikun në një liqen të kontrolluar prej saj.
Pra gjithë ky realitet historik është shumë larg fabulës së etërve themelues që projektuan dhe mishëruan një Shqipëri të pavarur.
Mjeshtëria e tyre e pa diskutueshme ishte se ditën të manovrojnë mirë politikisht, gjetën momentin e duhur (megjithëse shumë të vonuar) për të shpallur shtetin e ri.
Por nga këtu, ti vizatosh ata njerëz që besuan deri në fund tek perandoria otomane, si etrit themelues që na lanë trashëgim ëndrrën europiane, është një kapërcim i madh.
Në rastin më të mirë është një injorancë e tejskajshme, ndërsa në rastin më të keq, është një sharlatanizëm i pafalshëm që tenton të përdorë mitet e rreme historike, për interesa të ditës.
Fatkeqësisht me këto mite kanë luajtur jo pak për synimet e tyre meskine që nga Zogu dhe Enveri e deri tek Saliu. Në këtë linjë u fut së fundi edhe Edi Rama. i cili nuk donte të shkonte këtë herë në Berlin si një kryeministër me brekë nëpër këmbë, prandaj zgjodhi të sillej si trashigimtari i një porosie më shumë se një shekullore.