Në kapitullin 2 të dokumentarit të ri mbi Sergio Ramos, kapiteni i Real Madridit paralajmëron që nga fillimi se do të zbulojë se çfarë ndodhi me të vërtetë gjatë largimit të tij nga Sevilla, më 2005. “Unë kurrë nuk kam dashur ta prek atë temë, sepse dukesha si fëmija që i mungonte përvoja për ta shpjeguar mirë, por sot është rasti ideal për të folur se si ndodhi”.
Sergio Ramos dhe largimi nga Sevilla
“Kam bërë shumë gabime në jetën time dhe ndoshta më i madhi në atë kohë ishte mosdalja për të shpjeguar dhe për të folur. Pra, i lashë të tjerët të tregonin historinë për mua. Nënshkrimi im për Real Madridin ishte një marrëveshje e plotë transferimi midis klubeve, midis Florentino dhe Del Nido. Asnjëherë nuk u bë e qartë kjo gjë, çka i acaroi tifozët. Ata nuk më trajtuan me të njëjtën dashuri që kam pasur dhe do të kem gjithmonë”.
Dhimbja e Ramosit
“Unë e di se çfarë është Sevilla dhe si ndihet, askush nuk mund të ma tregojë, sepse e kam jetuar atë realitet që kur isha i vogël. Të gjitha informacionet u manipuluan, u gënjye krejt Sevilla. Një mënyrë shumë e dhimbshme, jo vetëm për mua, por gjithashtu për familjen time. Unë kurrë nuk do ta fal dhimbjen që kaluan gjyshërit e mi, prindërit e mi, të cilët nuk mundën të shkelnin më në stadiumin e Sevilla.
Jam shumë i prekur (thotë ai, në prag të lotëve), sepse unë e kam shkelur atë fushë qindra herë, njerëzit mund të kenë një mendim tjetër, por gjyshërit e mi nuk jetojnë më, as të kthehen. Kjo është dhimbja më e madhe që kam mbartur brenda vetes. Kjo është arsyeja pse kam vepruar me zemërim në atë stadium sa herë kam luajtur ose shënuar gol, për shkak të gjithçkaje që kam vuajtur. Unë do të merrja të njëjtin vendim një mijë herë, por kurrë nuk do të lejoja askënd të tregonte historinë, siç është bërë në atë kohë. Deri më sot mund të them se kam qenë gjithmonë bir i Sevilla, do të jem i tillë deri në vdekje, por gjithashtu duhet ta them me plot gojën se jam kapiteni i Real Madridit dhe i kombëtares spanjolle”.
Babai i tij dhe Valdano
Babai i Ramos zbuloi: “Ne patëm mundësinë të firmosnim për Manchester United, Arsenal dhe Valencia, gjithashtu”. Valdano, nga ana e tij, komentoi: “Unë mbeta shumë i befasuar që Real Madridi ishte i interesuar për të, sepse ky klub nuk është i përshtatshëm për të miturit. Me përjashtim të rasteve të veçanta, të tillë si Raul, Casillas ose Sergio Ramos”./Telesport