Nga Boldnews.al
Nëse mendoni që fatura 110 milionë euro për Francesko Beketin është shumë e shtrenjtë, thjesht nuk keni parë gjë akoma.
Afera “Kalivaçi”, prej nga është pikënisja formale e konfliktit Rama-Beketi, pritet t’u kushtojë shqiptarëve plot 300 milionë euro.
Në lojë, prej vitit 2017, ka hyrë edhe “Fusha” shpk, një kompani e afërt me qeverinë dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Fusha” dhe një kompani turke fituan koncensionin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, të lënë përkohësisht bosh nga Beketi.
Fatura e koncensionit të ri është plot 150 milionë euro, të cilat shteti shqiptar duhet t’i paguajë “Fusha” shpk, para se hidrocentrali që do të ndërtohet, t’i rikthehet institucioneve publike pas 35 vitesh.
Pra, me një mbledhje të thjeshtë aritmetike, shqiptarët, nëpërmjet veprimeve arrogante të qeverisë, do të duhet të paguajnë minimalisht 110 milionë euro për Beketin dhe 150 milionë euro për “Fusha” shpk, plus disa interesa të tjera administrative për sipërmarrësin italian e Gjykatën e Arbitrazhit, të cilat e rrumbullakosin borxhin për “Kalivaçin” në rreth 300 milionë euro.
Luftë me “mullinjtë” e florinjtë
Këto shifra stratosferike do t’u rëndojnë qytetarëve të varfër shqiptarë për të paktën dy breza dhe kjo nisur nga një dëshirë e ethshme e kryeministrit në detyrë për t’u përballur egërsisht me sipërmarrësin italian, i cili kishte dalë i fituar më herët edhe me Bankën Gjermane (Dojçe Bank).
Në vitin 2014, kur “Agon Channel”, një televizion i ri në pronësi të Beketit nisi t’i krijonte shqetësime Edi Ramës dhe pinjollit të tij politik, Erion Veliaj, qeveria ndërmorri një mësymje ndaj kompanive të sipërmarrësit italian në Shqipëri.
Administrata tatimore, me një shpejtësi rrufe, nisi një inspektim mbi faturat e kompanisë “Kalivaçi Green Energy”, e cila kishte fituar disa vite më parë koncensionin për ndërtimin e hidrocentralit në zonën e Memaliajt.
Një pjesë e fondeve të kësaj kompanie u shpërndanë edhe në disa shoqëri të tjera të Beketit në Shqipëri, një prej të cilave edhe “Agon Channel”.
Pas një sulmi frontal, duke intimiduar edhe sistemin gjyqësor, Edi Rama arriti ta nxjerrë përkohësisht Francesko Beketin nga tregu shqiptar, të cilit iu sekuestruan të gjitha kompanitë.
Në vitin 2016, sipërmarrësi italian arriti të sigurojë një lloj imuniteti personal në Gjykatën e Arbitrazhit, ndërkohë që kishte paditur shtetin shqiptar për sulm politik ndaj kompanive të tij.
Në përfundim të këtij procesi, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Uashington vendosi që shteti shqiptar duhet t’i paguajë Francesko Beketit të paktën 110 milionë euro.
Fatura “Fusha”
Vendimi i Arbitrazhit ende nuk është zbardhur publikisht. Megjithatë, përfundimi i tij krijon përshtypjen se gjykatësit ndërkombëtarë kanë rrëzuar qeverinë shqiptare, duke nisur që nga gjeneza e konfliktit me Beketin, pra me koncensionin e hidrocentralit të Kalivaçit.
Në mungesë të vendimit të zbardhur të Arbitrazhit, mbetet e paqartë se çfarë është vendosur për kontratën koncensionare, të cilët Francesko Beketi e kishte nënshkruar me qeverinë shqiptare që në vitin e largët 1997.
Por, sido që të ketë vendosur Arbitrazhi, tashmë ajo kontratë koncensionare është tjetërsuar.
Qeveria “Rama”, me një vendim aspak normal për një shtet ligjor, e rihapi procedurën e koncensionit për hidrocentralin e Kalivaçit, në një kohë që ishte në konflikt gjyqësor me kompanitë e Beketit.
Në fund të vitit 2017, Ministria e Infrastrukturës shpalli fitues të kontratës koncensionare për Kalivaçin kompaninë “Fusha” shpk dhe atë turke “Ayjen Enerji”, për një shifër prej 160 miliardë lekë të vjetra ose rreth 150 milionë euro.