Presidenti Meta shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që në muajin Mars rrëzoi padinë e kryetarit të KLSH, i cili kërkonte shpalljen si antikushtetues të nenit 50, pika 1 dhe 2 të ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, i miratuar në vitin 2017 vetëm me votat e maxhorancës socialiste në Parlament.
Nëpërmjet këtij vendimi, krijohen premisat që maxhoranca politike të kufizojë ndjeshëm aktivitetin auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në një letër drejtuar anëtarëve të Gjykatës Kishtetuese dhe për dijeni të KLSH-së, Presidenti Ilir Meta shprehet se, mbajtja në jetë e nenit 50, të ligjit, që sipas tij, me të drejtë është kundërshtuar nga KLSH:
- Cenon drejtpërdrejtë kompetencat kushtetuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke pamundësuar ushtrimin e tyre;
- Krijon terren që kjo dispozitë të keqpërdoret në praktikë për të mbuluar shpërdorimin e fondeve publike në njësitë e vetëqeverisjes vendore;
- Cenon hapësirën e veprimit për auditim të KLSH-së;
- Rrit kostot për buxhetin e shtetit, në nivel vendor, pasi për çdo auditim të jashtëm, pushteti vendor përveçse mund të fshehë shpërdorimet e fondeve publike, do të kryejë edhe pagesën përkundrejt audituesve të jashtëm sipas honorareve të vendosura për përfitimin e këtyre shërbimeve.
Presidenti i Republikës, shpreh “shqetësimin e thellë për këtë çështje, e cila edhe pse kishte 3-vite që priste të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit nuk i dha një zgjidhje të drejtë dhe kushtetuese, mbrojtjes së interesit publik, dhe as nevojës ekstreme që ka vendi sot për ruajtjen e pacenuar të financave publike”.
Kreu i shtetit i kërkon Gjykatës Kushtetutese që t`i bindet vetëm Kushtetutës, dhe askujt tjetër.
LETRA E PLOTË E METËS
***
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
Nr. Prot. 1209 Tiranë, më 05.04.2021
Lënda: Mbi antikushtetutshmërinë e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për shfuqizimin e këtij neni.
Drejtuar: ZONJËS VITORE TUSHA
KRYETARE NË DETYRË E GJYKATËS KUSHTETUESE
ZONJËS ELSA TOSKA
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE
ZONJËS MARSIDA XHAFERLLARI
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE
ZONJËS FIONA PAPAJORGJI
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE
ZONJËS SONILA BEJTJA
ANËTARE E GJYKATËS KUSHTETUESE
ZOTIT ALTIN BINAJ
ANËTAR I GJYKATËS KUSHTETUESE
ZOTIT PËRPARIM KALO
ANËTAR I GJYKATËS KUSHTETUESE
Tiranë
Për dijeni: KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT
Zonja Kryetare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese,
Zonja dhe zotërinj anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Nisur nga interesi i lartë publik që ka funksionimi në mënyrë të pavarur e të pandikuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që Kushtetuta e ka njohur si institucionin më të lartë që kontrollon përdorimin e financave publike, ndihem i detyruar t’ju shpreh e të bëj publik shqetësimin për Vendimin nr. 9/2021, të Gjykatës Kushtetuese, e cila me shumicë votash (5-2), ka rrëzuar kërkesën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 50 (pikat 1 dhe 2) të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
Neni 162 dhe 163/b i Kushtetutës, përcaktojnë se, Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ka për detyrë të kontrollojë përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor.
Kontrolli i Lartë i Shtetit prej 3-vitesh (15.02.2018) kishte paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se neni 50 (pikat 1 dhe 2) i ligjit nr. 68/2017, që parashikon se, veprimtaria financiare dhe zbatimi i buxhetit vjetor të njësive të vetëqeverisjes vendore i nënshtrohet çdo vit auditimit të jashtëm si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose auditues të tjerë ligjorë, cenon veprimtarinë e KLSH-së dhe kompetencat e këtij organi të parashikuara nga neni 162-163 të Kushtetutës, duke e barazuar këtë institucion (KLSH-në) me veprimtarinë e audituesve të jashtëm privatë.
Pavarësisht se audituesi i jashtëm ligjor është një profesion që liçensohet sipas ligjit, sërish është antikushtetuese që me ligj të barazohet roli, niveli dhe kompetencat e këtij profesioni me ato që Kushtetuta ia atribuon vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni më i lartë i kontrollit financiar në Republikën e Shqipërisë.
Në thelb, dispozitat ligjore të kundërshtuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, cenojnë pavarësinë funksionale dhe organizative të këtij organi, pasi nga zbatimi i tyre, lind detyrimi i KLSH-së për auditimin financiar çdo vit të të gjitha njësive të qeverisjes vendore, ç’ka është relatuar se bëhet praktikisht i pamundur për t`u përmbushur, duke i hapur kështu rrugë vetëkontrollit të pushtetit vendor nga auditues të jashtëm privatë.
Vendosja e KLSH-së në një vështirësi të tillë për të përmbushur me cilësi detyrat e tij kushtetuese, krijon një situatë ku përmes një neni të ligjit, kufizohet veprimtaria kushtetuese e KLSH-së, për ta penguar atë që të kontrollojë mënyrën e përdorimit të fondeve publike nga njësitë e qeverisjes vendore.
Ekziston rreziku që pushteti vendor duke përdorur dispozitën e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, me argumentin fiktiv se “i duhet të auditohet çdo vit” dhe brenda një periudhe të caktuar, mund të aktivizojë menjëherë vetëkontrollin e veprimtarisë financiare me auditues të jashtëm (privatë), të cilët liçensohen e monitorohen nga qeveria, e cila realisht ka fuqi kontrolli e mbikëqyrjeje ndaj tyre.
Ky rrezik shtohet akoma edhe më shumë në kushtet kur siç dhe ju jeni në dijeni, pushteti qendror dhe ai vendor, zotërohet 100 % nga e njëjta forcë politike (Partia Socialiste), e cila përmes votimeve një partiake të realizuara në qershor 2019, de facto, ka emëruar të deleguarit e saj politikë si Kryetarë të Bashkive dhe të gjithë Këshillave Bashkiakë në vend, përmes një procesi antikushtetues votimesh, të realizuara pa garë, pa datë zgjedhjesh të caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës.
Kjo situatë ku ndodhet vendi, e që për më tepër rëndohet përmes zbatimit të nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, përmban në thelb rrezik të lartë për dëmtimin e interesave të shtetit, pasi mund të përdoret bashkarisht nga Qeveria dhe Kryetarët e Bashkive, që të sigurojnë prej audituesve të jashtëm privatë, Raporte Auditimi me rezultate fiktive për të mbuluar shkeljet e rënda që ata kanë kryer, apo edhe më keq, për të mbuluar veprimet kriminale të shpërdorimit të fondeve dhe pasurisë publike, që pushteti vendor në bashkëpunim me atë qendror, mund të ketë konsumuar në këto vite të fundit, duke shmangur kështu kontrollin nga KLSH dhe dhënien e llogarisë përballë organeve të drejtësisë.
Mbajtja në jetë e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, që me të drejtë është kundërshtuar nga KLSH:
- Cenon drejtpërdrejtë kompetencat kushtetuese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke pamundësuar ushtrimin e tyre;
- Krijon terren që kjo dispozitë të keqpërdoret në praktikë për të mbuluar shpërdorimin e fondeve publike në njësitë e vetëqeverisjes vendore;
- Cenon hapësirën e veprimit për auditim të KLSH-së;
- Rrit kostot për buxhetin e shtetit, në nivel vendor, pasi për çdo auditim të jashtëm, pushteti vendor përveçse mund të fshehë shpërdorimet e fondeve publike, do të kryejë edhe pagesën përkundrejt audituesve të jashtëm sipas honorareve të vendosura për përfitimin e këtyre shërbimeve.
Presidenti i Republikës, përmes këtij qëndrimi, shpreh shqetësimin e thellë për këtë çështje, e cila edhe pse kishte 3-vite që priste të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit nuk i dha një zgjidhje të drejtë dhe kushtetuese, mbrojtjes së interesit publik, dhe as nevojës ekstreme që ka vendi sot për ruajtjen e pacenuar të financave publike.
Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar as kërkesën e KLSH-së që të thërriste në këtë gjykim Institucionin e Presidentit të Republikës si palë e interesuar.
Në përmbushje të funksionit dhe rolit të tij kushtetues, Presidenti ka interes për çdo çështje që lidhet me kushtetutshmërinë e kuadrit rregullator, dhe jo vetëm, dhe kur prezenca e tij në gjykim kërkohet prej palëve në proces. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës kishte shprehur zyrtarisht vullnetin për të marrë pjesë në këtë gjykim, përmes shkresës me nr. prot. 754/1, datë 23.02.2021, për të cilën ju keni qenë në dijeni, pasi është administruar si provë në gjykim, sjellë nga ana e KLSH-së.
Gjykata Kushtetuese, duke mos pranuar kërkesën e KLSH-së për thirrjen e Institucionit të Presidentit të Republikës në gjykim, nuk ka marrë parasysh rolin që ka Presidenti i Republikës në procesin legjislativ, ashtu dhe në gjykimet kushtetuese.
Në mbështetje të nenit 134 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, përfaqëson një subjekt me legjitimitet të pakushtëzuar në kërkimet kushtetuese.
Si i tillë, Presidenti i Republikës jo vetëm që ka të drejtë të kërkojë kontrollin kushtetues të çdo ligji, por nga ana tjetër ky legjitimitet nuk ndryshon, dhe as pakësohet, edhe në rastet kur kërkues është një tjetër organ kushtetues si KLSH, i cili për çështjen konkrete, ka vlerësuar pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës në gjykim si të domosdoshme.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë kushtetues i kontrollit ekonomiko-financiar dhe veprimtaria e këtij institucioni duhet t`i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Presidenti i Republikës gjen rastin t’i shprehë institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbështetjen e tij të plotë, për përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar me qëllim që veprimtaria e këtij organi të mos cenohet, por të realizohet në mënyrë sa më efikase e të pandikuar, edhe pse një normë ligjore si ajo e kundërshtuar, vijon të ngelet në fuqi.
Në situatën ku ndodhet vendi, ku abuzimi me pushtetin dhe financat publike është kthyer në një fenomen masiv, si në pushtetin qendror dhe në atë vendor, bëhet e domosdoshme që të mbyllen të gjitha shtigjet për ata Kryetarë Bashkie të emëruar, që kanë shpërdoruar fondet dhe pasurinë publike, e që mund të përpiqen për të mbuluar paligjshmëritë e kryera deri më tani.
Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese, nuk arriti të vlerësojë objektivisht kërkesën e KLSH-së, në raport me kontekstin aktual të vendit, përputhshmërinë e nenit 50, të ligjit nr. 68/2017, me Kushtetutën dhe parimet e mbrojtura prej saj, duke lënë një shteg hapur për abuzim me interesin publik dhe justifikimin e kapjes së shtetit.
Pesë anëtarëve të Gjykatën Kushtetuese, që me votat e tyre rrëzuan kërkesën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i kujtoj përmbajtjen e nenit 162 pika 1, dhe 163 të Kushtetutës.
“Neni 162
- Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Neni 163
Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon:
- a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;
- b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor;
- c) veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti”.
Këtyre dy dispozitave të Kushtetutës sonë, duhej t`u referohej shumica në Gjykatën Kushtetuese, për të marrë një vendim të drejtë, gjë të cilën nuk ka mundur ta bëjë. Nga ana tjetër, gjej rastin të falenderoj dy anëtaret e tjera të kësaj gjykate, të cilat edhe pse të gjendura në pakicë, edhe në këtë vendimmarrje, si në shumë të tjera, kanë reflektuar përgjegjshmëri, integritet, profesionalizëm dhe pavarësi duke shprehur qëndrimin e tyre kundër vendimit të shumicës.
Për këto arsye, dhe me shqetësimin e thellë për situatën aktuale në vend, i kërkoj Gjykatës Kushtetuese, si instanca e fundit e ngarkuar me kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve apo vendimeve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror, që të përmbushë rolin, misionin dhe përgjegjësitë që Kushtetuta i ka dhënë, në mënyrë të pavarur, të pandikuar, me kurajo e përgjegjshmëri të plotë, duke u distancuar sa më shumë nga ndjesia personale e secilit anëtar përkundrejt qëndrimit për çështje konkrete, objekt gjykimi, të organit që i ka përzgjedhur në këtë detyrë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe procedurës së ndjekur prej tij.
I kërkoj Gjykatës Kushtetutese që t`i bindet vetëm Kushtetutës, dhe askujt tjetër.
Lidhur me këtë ju garantoj se, si President i Republikës, do të ofroj të gjithë mbështetjen time, në dhënien e drejtësisë kushtetuese, për ta mbajtur Gjykatën Kushtetuese larg presioneve politike, edhe pse aktualisht pjesa tjetër e strukturës kryesore të shtetit (si parlamenti dhe qeveria) jo vetëm që nuk angazhohen për mirëfunksionimin dhe mbrojtjen e rendit juridik të shtetit tonë, por kanë bërë dhe po bëjnë çdo gjë, si përmes procesit legjislativ, ashtu dhe keq qeverisjes, duke vënë në rrezik permanent në shumë raste interesat kombëtare, interesin publik, sovranitetin e vendit dhe pluralizmit politik, e duke e kthyer vendin tonë, në një vend ku demokracia të njihet vetëm në letër, ndërsa në praktikë të ekzistojë një regjim autokratik një partiak.
Përmes kësaj letre, i kërkoj gjithashtu Kontrollit të Lartë të Shtetit që të angazhojë të gjitha burimet njerëzore për të realizuar një kontroll të plotë të mënyrës së përdorimit të fondeve publike nga i gjithë pushteti vendor, derisa Kuvendit të Shqipërisë dhe pushtetit vendor t`i kthehet legjitimiteti i plotë pas datës 25 prill 2021, për të rimarrë në shqyrtim këtë çështje kaq delikate të krijuar nga neni 50, i ligjit nr. 68/2017, i miratuar pa vëmendjen e merituar të anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Jam i bindur se atë që nuk mundi ta realizojë Gjykata Kushtetuese, do ta realizojë Kuvendi i Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 25 prillit, i cili përpos shumë detyrave të tjera për rivendosjen e shtetit të së drejtës, garantimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, do të ndërmarrë pa asnjë vonesë edhe nismën legjislative për ndryshimin e nenit 50 të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
Sinqerisht,
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META