Dy pjesëtarë të fisit Çapja në Elbasan akuzohet se janë të implikuar në vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2012 në Elbasan, kur u ekzekutuan dy persona – babë e bir.
Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç u arrestua, ndërsa në kërkim u shpall Florenc Çapja, konfirmoi policia.
Në vitin 2012, ata dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).
Hetimet
Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov. Ndaj tyre, janë ngritur akuzat për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Raportohet se dosja e vrasjes së dyfishtë është rihapur pas pas rrëfimit të një të penduari të drejtësisë, se vrasja në 2012-ën u porosit nga Çapjat. Hetimet për rastin u kryen nga Drejtoria Qendrore e Policisë, ajo e Elbasanit dhe prokuroria e rrethit, që lëshoi urdhër-arreste për Ardian dhe Florenc Çapjan. Ndërkohë, për arrestimin e Ardian Çapjas, në aksion kanë marrë pjesë dhe forcat RENEA.
Vrasja e dyfishtë në vitin 2012
Gentian dhe Nezir Beqiri u ekzekutuan në shtëpinë e tyre në 15 gusht 2012, nga Jorgo Leku në bashkëpunim me Elvis Bardhin. Ata ishin paraqitur në shtëpinë e Nezir Beqirit si miqtë e djalit, Gentianit i cili ndodhej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë pasi ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Elbasan.
Elvis Bardhi bashkë me Lekun, shkuan në shtëpinë e shokut të tyre Gentian Beqiri, duke përshëndetur policët e vendosur në hyrje të pallatit për të mbikëqyrur Nezirin. Ishte babai i shokut të tyre ai që i hapi derën pasi njohu shokët e djalit. Në atë moment Cani qëlloi me armë ndaj Beqirit duke e lënë të vdekur në vend.
Që pas ngjarjes, u raportua se pista e hakmarrjes me Çapjat mund të ishte motiv për ngjarjen, pasi Gentian Beqiri ishte një ndër tre personat që ekzekutuan Sokol Çapjan në një lokal në dhjetor 2005 në Elbasan duke çelur kështu serinë e hakmarrjeve mes familjeve në këtë qytet.
Raportohet se pikërisht Elvis Bardhi është kthyer në bashkëpunëtor drejtësie dhe ka rrëfyer lidhur me krimin.
Vrasjet që pasuan vrasje
Seria e fundit e ngjarjeje kriminale që përfshijnë anëtarë të fisit Ccapja është regjistruar një vit më parë, kur Ardian Çapja u tentua të vritet me snajper në banesë. Rasti i Qershorit të vitit 2020, nuk është përpjekja e parë që tentohet një atentat ndaj tij për ta eleminuar. Në 6 gusht 2017, atë tentuan ta vrisnin me anë të një predhe që nuk shpërtheu.
Seria e vrasjeve nisin në dhjetor 2005, kur pas një konflikti mes ish-shefit të Qarkullimit Rrugor të Elbasanit Fadil Mema dhe Sokol Çapjas mbeti i vrarë ky i fundit. Policia identifikoi si autorë nipat e oficerit të policisë.
Nuk do të vononte reagimi, kur në maj të 2006 vritet kunati i Memës, Ardian Ibrahimi. Pas një periudhe qetësie të rremë, kalvari i vrasjeve rihapet në vitin 2012 me Gentian Beqirin, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjas dhe që ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata.
Dhe pas kësaj ngjarjeje tentohet të vritet edhe Fadil Mema, i cili mbeti i plagosur. Ngjarjet do të zhvendoseshin në Itali, ku në mars të vitit 2015 ekzekutohet ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, Fadil Mema, në qytetin e Torinos.
Ndërsa një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjarë të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi një atentat i rëndë që njihet si “masakra e Elbasnait”, ku dy persona të armatosur hapën zjarr duke lënë të vrarë 3 persona, mes të cilëve edhe Agron Çapjan. Ndërsa në prill të 2016-s ekzekutohet në një hotel në Tiranë shtetasi Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës.
Të gjitha këto ngjarje, asnjëra prej të cilave gjatë dekadës së fundit nuk është zbardhur plotësisht nga drejtësia, i kanë dhënë mundësi grupeve rivale që t’i lajnë vetë hesapet.