Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shtyjë marrjen në shqyrtim të çështjes së mosdekretimit të ish-ministrit Cakaj nga Presidenti Meta. Kjo kërkesë iu ishte drejtua gjykatës nga kryeministri Rama. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 25 mars, por është shtyrë pa afat.
Në njoftimin publik të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese thuhet:
Gjykata Kushtetuese njofton se seanca plenare e caktuar në datën 25.03.2021, ora 10:00, për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, është shtyrë në një datë tjetër. Në lidhje me datën dhe orën e seancës plenare, do të ndiqen rregullat përkatëse të njoftimit të palëve dhe të publikimit të saj.