Nga Klodian Tomorri
Imagjinata e kryeministrit arriti maja të tjera këtë të hënë. Duke shpalosur premtimet elektorale të mandatit të tretë, zoti Rama e shpalli veten si armikun më të madh të oligarkëve. Sipas Ramës, në tetë vjet përmes taksës progresive, qeveria e tij u ka marrë mbi një miliard euro taksa oligarkëve dhe u ka falur po një miliard euro qytetarëve të thjeshtë. Pra morali i fabulës është i qartë. Kjo qeveri punon për qytetarët dhe jo për oligarkët.
Por teksa kryeministri, përpiqet të bindë qytetarët për miliardat që kanë paguar oligarkët, dikush duhet t’i bëjë disa pyetje.
Sa është tatimi mbi dividentin që ka paguar dhe do të paguajë për të gjithë jeteëgjatësinë e kontratës koncesionare, inceneratori 400 milionë eurosh i Tiranës?
Sa është tatimi mbi dividentin që kanë paguar ose do të paguajnë me radhë, koncesioni i laboratorëve, ai i dializës dhe të gjithë koncesionarët e regjistruar në Hollandë?
Nëse kryeministri nuk i di përgjigjet, mund të konsultojë stafin. Dhe përgjigja që do i japin është zero. Për shkak të një marrëveshjeje absurde për taksimin e dyfishtë, kompanitë e regjistruara në Hollandë, nuk paguajnë asnjë lek tatim mbi dividentin në Shqipëri, oavarësisht se këtu fitojnë qindra milionë euro në vit. Dhe kjo është arsyeja se pse të gjitha guackat e koncesioneve të qeverisë, mbijnë në Hollandë.
Kjo është një nga gropat më të mëdha të evazionit në Shqipëri, që grabit qindra milionë euro në vit. Tani, meqë kryeministri ka qejf të bëjë llogari se sa shumë taksa u ka marrë oligarkëve dhe se sa shumë u ka falur qytetarëve, ta ilustrojmë me një shembull të thjeshtë.
Unë punoj në një biznes privat. Me pagën që kam, qeveria më merr automatikisht 17 për qind si tatim efektiv mbi të ardhurat. Vetëm tatim mbi të ardhurat, pa përfshirë sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore.
Por janë dhe dy Klodianë të tjerë, që kryeministri i njeh mirë. Ndryshe nga unë, këta nuk punojnë me rrogë, por kanë kompani në Hollandë dhe bëjnë biznes koncesionesh me qeverinë e kryeministrit. Vitin e kaluar, të dy këta fituan miliona euro dhe formalisht paguan vetëm 15 për qind tatim mbi fitimin. Formalisht 15 për qind, ndërsa realisht më pak se 10 për qind. Gati dy herë më pak se unë.
Ky është sistemi tatimor i ndershëm i kryeministrit që bërtet se ka taksuar oligarkët. Por sic ka thënë dhe Orëelli, jo të gjithë Klodianët janë njësoj. Klodianët e qeverisë, fitojnë miliona euro në vit dhe paguajnë zero taksa.
Gropa e evazionit të koncesioneve hollandeze, qëndron e hapur me bekimin e qeverisë. Kjo është një vjedhje e pastër shtetërore. Qeveria shqiptare mund të justifikohet se rinegocimi i marrëveshjes për shmangien e taksimit të dyfishtë me Hollandën është i vështirë. Por qeverinë dhe kryeministrin nuk e pengon asgjë, që të ndalojnë me ligj regjistrimin e kompanive koncesionare në Hollandë apo Zvicër. Aq më tepër, kryeministrin nuk e ndal askush, që të përjashtojë nga tenderat dhe prokurimet publike, të gjitha kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale.
Ndoshta, atëherë përrallat e kryeministrit, që pretendon se ka taksuar oligarkët do të duken më bindëse. Sot realiteti është ky. Qeveria e Shqipërisë takson më shumë rrogëtaret se sa oligarkët e koncesioneve.