Të paktën 25 vende dhe territore në të gjithë botën – kryesisht në Azi dhe Lindjen e Mesme – po përdorin vaksinat kineze.
Liro vendin, Sputnik! Vaksinat e ardhshme të koronavirusit që po shkaktojnë me të vërtetë një trazim në Evropë janë nga Kina.
Presidenti polak Andrzej Duda ngriti telefonin për të kërkuar doza vaksinash homologut të tij kinez Xi Jinping; Republika Çeke sapo e bëri porosinë; dhe Kryeministri hungarez Viktor Orbán u dha vaksinave të Kinës mbështetjen më të madhe ndër shtetet e BE-së, duke bërë një të tillë edhe vetë.
Kryeqytetet evropiane, të bllokuara në fushatat e ngadalta të vaksinimit, po kërkojnë gjithnjë e më shumë doza jashtë BE – dhe Pekini është i lumtur të plotësojë boshllëkun.
Vaksinat kineze tashmë përbëjnë 32 përqind të furnizimit të përgjithshëm të vaksinave të Hungarisë – shumë më tepër se Sputnik V i Rusisë, i cili përbën më pak se 3 përqind. Dhe Hungaria është vetëm një nga të paktën 25 vendet në botë – kryesisht në Azi dhe Lindjen e Mesme – që po përdorin vaksinat kineze. Pekini ka premtuar një gjysmë miliardë doza për 45 vende, sipas një konstatimi nga Associated Press.
Për vendet me një histori tensioni, apo edhe konflikti, me Moskën, vaksinat kineze kanë thjesht një përfitim shtesë: Ato nuk janë prodhuar në Rusi.
Kina ka qenë një nga udhëheqësit në zhvillimin e vaksinave të koronavirusit gjatë të gjithë pandemisë, pasi ka miratuar për përdorim katër vaksina të prodhuara në vend. Tre prej tyre përdorin një metodë më klasike, të testuar dhe të vërtetë – dhe mburren me projeksione mbresëlënëse të asaj që mund të ofrojnë.
Por vaksinat kineze nuk janë plumb magjik. Të dhënat e efikasitetit që mbështesin vaksinat nuk janë as publike dhe as të rishikuara nga kolegët, dhe shumë shqetësohen se disa prej tyre mund të mos jenë aq efektive sa të singjashmet e tyre perëndimore. Vendet e BE-së që kanë ose do të përdorin vaksinat po e bëjnë këtë pa regjistrimin e Agjencisë Evropiane të Barnave – që do të thotë se ata duhet të marrin përsipër përgjegjësi nëse një problem lind më vonë.
Ndërkohë, përqendrimi i Kinës në dërgimin e vaksinave jashtë vendit ka nxitur akuza se Pekini po përdor vaksinat si një mjet diplomatik – diçka që ai e mohon – dhe se po injoron vaksinimet brenda vendit.
Nga të dhënat e efikasitetit te kapaciteti prodhues e deri te diplomacia e vaksinave, POLITICO ka sjellë gjithçka që duhet të dini për vaksinat kryesore kineze.
Cilat vaksina ka prodhuar Kina?
Kina ka udhëhequr në prodhimin e vaksinave gjatë gjithë pandemisë. Së bashku me katër të miratuarat, të paktën tetë të tjera janë aktualisht në fazën e testeve njerëzore dhe shumë më tepër janë në zhvillim para-klinik, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Katër më të përparuarat përfshijnë tre vaksina të paaktivizuara të koronavirusit: Njëra është CoronaVac, e prodhuar nga kompania bioteknologjike Sinovac; dy të tjera janë nga Sinopharm, pronë e shtetit, me njërën të zhvilluar në Institutin e Produkteve Biologjike të Pekinit, dhe tjetrën në Institutin e Produkteve Biologjike Vuhanit.
Ndërkohë, CanSino ka zhvilluar një vaksinë me vektori viral me një dozë të vetme – teknologji e ngjashme me vaksinat e zhvilluara nga Johnson & Johnson, Oxford / AstraZeneca dhe Sputnik – me ushtrinë kineze.
Cilat janë pro-të dhe kundra-t e vaksinave me virus të paaktivizuar?
Vaksinat me virus të inaktivizuar, të zhvilluara fillimisht nga Louis Pasteur në vitin 1904 për antraksin, ekzistojnë prej një shekulli. Ato funksionojnë duke marrë të gjithë virusin dhe pastaj duke e vrarë atë – ose duke e ngrohur deri në temperatura të larta apo duke përdorur rrezatim ose kimikate – në mënyrë që ai të mos ketë më asnjë funksion. Ky virus “i vdekur” injektohet për të shkaktuar një përgjigje të imunitetit.
Sot, procesi përdoret për shumë vaksina që mbrojnë kundër poliomelitit dhe gripit. Ka një pasuri të dhënash që mbështesin sigurinë e kësaj qasjeje, dhe zakonisht tregohet të jetë shumë efektive, megjithëse secila vaksinë e koronavirusit që përdor këtë qasje, mburret me një normë të ndryshme të efikasitetit kundër COVID-19.
Në përgjithësi, teknologjia duket premtuese. Shkencëtarët besojnë se vaksinat, duke përdorur një version të të gjithë koronavirusit mund të gjenerojnë një përgjigje më të gjerë imune, përfshirë prodhimin e antitrupave në membranën mukozale në hundë dhe fyt. Kjo mund të ketë një ndikim më të madh në parandalimin e transmetimit.
“Nëse keni një përgjigje imune që kufizon sasinë e prurjes virale [në hundë dhe fyt], kjo do të kufizojë sasinë e virusit në aerosolin që prodhoni kur flisni ose merrni frymë”, thotë Julian Tang, profesor i asociuar dhe virolog klinik në Universitetin e Leicester. “Kjo do të zvogëlojë rrezikun e transmetimit.”
Vaksinat që sjellin një përgjigje më të gjerë imunitare mund të jenë gjithashtu më efektive kundër shfaqjes së llojeve të reja të virusit.
“Këto lloje të vaksinave mund të gjenerojnë një imunitet më të gjerë ndaj varianteve të ndryshme, sepse ato përmbajnë të gjithë virusin, jo vetëm një pjesë të virusit,” thotë Zoltán Kis, bashkëpunëtor i studimeve në Future Vaccines Hub në Imperial College London.
Kompania Sinopharm ka testuar aftësinë e vaksinës së saj për të neutralizuar llojet e reja të koronavirusit nga burime të ndryshme në të gjithë botën, gjë që tregoi se vaksina ofron “mbrojtje me spektër të gjerë dhe ka efekt të mirë të neutralizimit ndaj shtameve nga rajone të ndryshme të botës”, tha kohët e fundit kryetari Liu Jingzhen.
Ka vetëm një prodhues në Evropë që përdor të njëjtën teknologji tani për tani: Valneva, një prodhues francez i vaksinave që ka marrëveshje me Britaninë e Madhe.
Vaksina e CanSino, ndërkohë, përdor teknologjinë më moderne të vektorit viral, i cili vendos një virus të parrezikshëm si vektor për të shpërndarë ADN në qelizat muskulore dhe prodhon një pjesë të vogël të koronavirusit të quajtur proteinat spike. Ky fragment i virusit është i mjaftueshëm që trupi të gjenerojë një përgjigje imune kundër virusit.
Çfarë tregojnë të dhënat?
Kina rrëmbeu titujt e mediave verën e kaluar kur filloi të përdorte dy vaksinat e saj për punonjësit e shëndetësisë dhe ushtrinë përpara se të kryente provat e efikasitetit të fazës 3. Që nga ajo kohë, dhjetëra miliona njerëz kanë marrë dozat përpara miratimit të tyre nga rregullatorët.
Një shqetësim i gjerë, megjithatë, është se të dhënat që mbështesin efikasitetin e vaksinave kanë qenë shpesh jo të harmonizuara në të gjithë globin, pasi shumë vende që kanë organizuar provat e vaksinave raportojnë rezultatet e veta.
Prodhuesit e vaksinave janë kritikuar gjithashtu për mungesën e transparencës së të dhënave, pasi asnjëri nuk i ka bërë publike të dhënat e Fazës 3, apo t’ia kenë nënshtruar rishikimit të kolegëve. Ky gabim e ka shtyrë Bi Jingquan, ish-shefin e rregullatorit të ilaçeve në Kinë, që t’u bëjë thirrje firmave që “të publikojnë të gjitha të dhënat; është mirë për të forcuar besimin e të gjithëve”, raportoi South China Morning Post.
Për më tepër, Institutit Butantan në Brazil iu bë presion në dhjetor për të mos zbuluar rezultatet e plota të efikasitetit për vaksinën e Sinovac, sipas të njëjtit raport të SCMP.
Sidoqoftë, kompanitë filluan të postonin të dhëna të përgjithshme të efikasitetit duke filluar në fund të vitit 2020.
Në rastin e vaksinës CoronaVac të Sinovac, Kina filloi përdorimin emergjent të vaksinës në gusht 2020 për të mbrojtur grupet me risk të lartë, si personeli mjekësor para se të kryente testet në shkallë të gjerë.
Që atëherë, provat e Fazës 3 në Turqi dhe Brazil treguan se vaksina ishte pothuajse 51 për qind efektive në parandalimin e të gjitha rasteve COVID-19, midis më shumë se 12,000 punonjësve të kujdesit shëndetësor që trajtojnë pacientët me koronavirus. Rezultatet nxitën shqetësimin se është joefektive në krahasim me të tjerat në treg. Kur Filipinet miratuan vaksinën për përdorim emergjent, agjencia e saj e barnave tha se nuk ishte mjaft efektive për t’u përdorur në punonjësit e kujdesit shëndetësor. Sërish, Kina dha miratimin me kusht të përdorimit të CoronaVac në shkurt.
Në fillim të marsit, studiuesit turq raportuan se vaksina është 83.5 për qind efektive, bazuar në analizën përfundimtare të më pak se 7,000 pjesëmarrësve nën moshën 59 vjeç.
Por variantet e reja mund të jenë një shqetësim: Një studim i vogël laboratorik, që ende nuk është rishikuar nga kolegët, sugjeroi javën e kaluar se vaksina Sinovac mund të mos shkaktojë përgjigje të mjaftueshme imune kundër variantit të Brazilit, sipas Reuters.
Më tej është vaksina e Sinopharm, të cilën Kina e miratoi për përdorim në fund të dhjetorit. Kompania shtetërore tha se kishte demonstruar një normë 86 për qind të efikasitetit nga një provë e Fazës 3 në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një normë 79 për qind në një studim kinez. Të dy normat ishin “reale dhe të vlefshme” dhe thjesht pasqyrojnë faktin se testet përdorën standarde të ndryshme për diagnostikimin e infeksionit dhe rishikimin e rasteve, sipas kompanisë.
Vaksina e Sinopharm në Vuhan, nga ana tjetër, raportoi një normë efikasiteti prej 72.5 përqind, duke cituar një analizë të ndërmjetme të të dhënave të provës klinike të fazës së vonë, që ajo përdori për të paraqitur për miratim te rregullatorët kinezë, i cili u dha në fund të shkurtit.
Ndërkohë, vaksina e vektorit viral të CanSino u miratua për përdorim urgjent tek anëtarët e ushtrisë në qershor 2020 pasi të dhënat e hershme klinike “treguan një farë efikasiteti”, sipas Reuters. Pastaj, në shkurt, rezultatet e ndërmjetme nga më shumë se 40,000 pjesëmarrës treguan se efikasiteti i saj i përgjithshëm qëndronte në 68 përqind, sipas kompanisë.
Cilat vende po përdorin vaksinat?
Pekini e ka bërë eksportimin e vaksinave të ndryshme një përparësi.
Duke mos përfshirë Kinën kontinentale, të paktën 25 vende dhe territore po përdorin dozat, sipas Our Ëorld in Data. Katërmbëdhjetë – duke përfshirë Bahrejnin, Kamboxhian, Egjiptin, Hungarinë, Jordaninë, Makaon, Marokun, Pakistanin, Perunë, Senegalin, Serbinë, Sejshell, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zimbabve – po përdorin vaksinën Sinopharm.
Njëmbëdhjetë – Brazili, Kili, Guatemala, Hong Kongu, Indonezia, Malajzia, Qipro Veriore, Filipinet, Tajlanda, Turqia dhe Uruguaji – po përdorin Sinovac.
Deri më tani, vetëm Kina kontinentale dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po përdorin vaksinën Sinopharm të Vuhanit, dhe vetëm Kina kontinentale po përdor CanSino. Por edhe këta numra pritet të rriten. Meksika, për shembull, miratoi si Sinovac ashtu edhe CanSino. Kjo e fundit po prodhohet në vend dhe dozat e para priten në mars.
Sidoqoftë, përqendrimi në zgjerimin ndërkombëtar ka çuar në akuza se Pekini po përdor vaksinat për të fituar pikë politikisht me qeveritë. Eshtë një veprim i ngjashëm me fillimin e pandemisë, kur Kina u përball me kritika për zbatimin e “diplomacisë së maskave”, duke dërguar produktin shumë të nevojshëm në të gjithë botën, përfshirë vendet e BE-së.
Pekini e ka hedhur poshtë këtë pretendim. Guo Veimin, zëdhënësi i takimeve të ardhshme vjetore politike kineze të nivelit të lartë, e quajti “mendje ngushtësi” dyshimin se ” Kina po përdor eksportet e vaksinave si [një çështje] për të zgjeruar ndikimin e saj gjeopolitik”.
Pa përmendur politikanë të tillë si Orban, Guo gjithashtu vuri në dukje se “shumë vende” kanë miratuar vaksinat kineze, me disa udhëheqës që edhe i kanë marrë vetë dozat. “Kjo … tregon sigurinë dhe besueshmërinë e vaksinave të Kinës,” shtoi ai.
Fokusi ndërkombëtar gjithashtu ka ngritur shqetësimin se Pekini nuk është përqendruar sa duhet në vaksinimin e popullatës së vet. Deri më tani, vendi ka vaksinuar rreth 4 përqind të banorëve. Kina planifikon të vaksinojë 40 përqind të popullsisë deri në mes të vitit 2021, më e ulët se standardi i BE prej 70 përqind.
Vaksinat gjithashtu duket të jenë relativisht të kushtueshme në Kinë, gjë që mund të kufizojë marrjen e tyre. Provincat thuhet se po paguajnë 200 juanë (afërsisht 26 €) për dozë, sipas Global Times. / Politico.eu – Bota.al