Kryeministri Edi Rama ka telefonuar Kryeministrin e Greqisë Alexis Tsipras, me të cilin ka patur një bisedë për disa çështje të rëndësishme mes Athinës dhe Tiranës.
Gjatë bisedës, dy kryeministrat folën për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe ranë dakord që duhet forcuar bashkëpunimi, në interes të dy popujve dhe rajonit.
Kryeministri Tsipras shprehu gatishmërinë për këtë gjë, por theksoi se tensionet e kohëve të fundit dhe retorika nacionaliste e palës shqiptare minon klimën e besimit në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Njëkohësisht, Kryeministri grek theksoi se duhet ndërmarrë hapa konkretë për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke ripërsëritur kërkesën se respektimi i të drejtave të minoritetit mbetet një pikë kyçe dhe kusht themelor për rrugën evropiane të vendit tonë.
Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në Athinë ku do të japë një intervistë për emisionin ‘Histori’ në televizionin grek ‘Skai’.