Jeta dhe vuajtjet e Kardinalit të saposhpallur shqiptar Dom Ernest Simoni vijnë për publikun në librin me titull “Nga puna e detyruar në Kardinal”, me autor gazetarin italian Mimmo Muolo.
Gjatë prezantimit të librit kushtuar jetës së tij në Romë i ftuar special ishte edhe vetë Kardinal Simoni, i cili përcolli këtë mesazh:
Kardinal Ernest Simoni: Natyrisht ne duhet të jemi më bashkëpunues për të ndihmuar të tjerët. E gjithe merita është e Zotit, mos harroni të luteni!
Libri rrëfen historinë e persekutimit dhe burgimit të priftit shqiptar gjatë regjimit komunist e jetën e tij, deri në përqafimin me Papa Françeskun në Tiranë.
Autori Mimmo Muolo, gazetar i njohur i së përdishmes katolike “L’Avenire”, rrëfeu në një intervistë ekskluzive se lindi ideja për botimin e këtij libri:
Intervista
Mimmo Muolo: Ideja e realizmit të librit mbi jetën e Kardinalit Dom Ernest Simoni lindi pas takimit të Kardinalit Simoni që në atë kohë ishte thjesht Dom Simoni, me Papa Francesku në Katedralen e Tiranës, gjatë vizitës zyrtare të Atit të Sehnjtë në Shqipëri. Pas këtij episodi shumë prekës, ku historia e Kardialit Simoni e historia e persekutimit të priftërinjve në Shqipëri, emocionoi shumë Papa Françeskun deri në përlotje, më lindi ideja e shkrimit e rrëfimit në një libër të historisë së Dom Ernestit. Kam kaluar disa ditë së bashku me Dom Ernestin, i cili më tregoi të gjithë historinë e jetës së tij e që unë e ambientova në sfondin e ngjarjeve shqiptare nga Lufta e Dytë Botërore deri më vazhdim.
Alba Kepi: Ky libër u shkrua para se Papa Françesku të shpallte Dom Ernestin Kardinal. A e kishit paramenduar se do të ndodhte?
Muolo: Kur vendosa të shkruaj këtë libër e kur Dom Ernesti më rrefeu historinë e tij, kurrë nuk e kisha imagjinuar se ai do të bëhej Kardinal një ditë. Qe një surprizë e bukur e Papa Françeskut, ashtu siç ai bën gjithmonë. Krimet e kryera nga diktatura komuniste në Shqipëri janë të njohura shumë pak në Itali e në botë. Unë peresonanlisht kur nisa të studioj dokumentat kur Dom Ernesti më tregonte mbi jetën e tij, mbeta mjaft i habitur nga egërsia e keqësia e kësaj diktature. Jeta e Dom Ernestit na ndihmon të hedhim dritë mbi një faqe të errët të historisë së sotme e të një historie mjaft pranë nesh.
Alba Kepi: Gjatë prezantimit të librit përmendët një frazë mjaft interesante: “Unë jam vetëm një majmun që munda t’i ngjitem gjigandit”.
Muolo: Unë vërtetë nuk kam bërë asgjë, vetëm dëgjoja një histori që munda të shkruaj. Protagonisti i librit është ai, autori i librit mund të them se është vetëm ai, Kardinal Simoni.
Alba Kepi: A ka një pjesë të këtij libri apo episod nga jeta e Kardinalit që ju ka inpresinuar më shumë?
Muolo:Po. Është momenti kur ekzekutuesit e diktaturës u përpoqën jo vetëm me tortura, burgim e punë të detyruar që ai të mohonte Krishtin e Kishën, por dhe duke i propozuar ta martonin me një grua të bukur, ta bënin Profesor në Universitet, t’i jepnin shumë para, me kusht që ai të hiqte dorë nga të qënit prift. Dom Ernesti iu përgjigj; “Unë nusen time e kam, është nusja më e bukur në botë e quhet Kisha”.
Në prezantimin e librit në Kishën e Shqiptarëve në Romë morën pjesë përfaqësues të shumtë të misioneve diplomatike nga vende të ndryshme në Vatikan, si edhe Arqipeshkopi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra, kreu i Kishës së Arbëreshëve, Peshkopi i Eparkisë së Lungros Imzot Donato Oliviero, si dhe i ngarkuari me punë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan, Visar Zhiti, i cili i dhuroi kardinalit Ernest Simoni një pikturë të realizuar nga artisti shqiptar Gjergj Kola.
Në Kishën e Shqiptarëve në Romë, Kardinali Ernest Simoni mbajti dhe meshën e së dielës me pjesëmarrjen e madhe të emigrantëve shqiptarë në Itali./Ora News