Rreth 60 mijë biznese dhe OJF në vend do të duhet që brenda datës 31 mars të bëjnë regjistrimin e pronarin/ët përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP).
Regjistrimi bëhet me aplikim nga personi i autorizuar (përfaqësuesi ligjor) për të përfaqësuar subjektin përkatës, nëpërmjet shërbimit “regjistrim i pronarit përfitues”, në portalin e-albania.
Subjekte raportuese janë personat juridikë të regjistruar në Regjistrin Tregtar dhe identifikuar me NUIS dhe organizatat jofitimprurëse, të regjistruar në Gjykatë dhe organet tatimore dhe identifikuar me NIPT, ndërsa janë të përjashtuar personat fizikë, personat juridikë ku aksionerë është shteti shqiptar, komunitetet fetare dhe partitë politike.
Ligji për “Regjistrimin e pronarëve përfitues”, i cili ishte një kërkesë e mekanizimit europian Moneyval me qëllim luftën kundër pastrimit të parave, është miratuar në gusht 2020, ndërsa udhëzimi që rregullon funksionimin e tij në dhjetor 2020. Ligji, që synon të bëjë transparencë mbi aksionerët e subjekteve të ashtuquajtura offshore (me pronar të panjohur) parashikonte një muaj kohë për krijimin e Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP), deri në 31 janar, proces që u realizua nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Pas krijimit të regjistrit, subjektet raportuese kanë 60 ditë afat për të regjistruar pronarin/ët përfitues.
Pronar përfitues, sipas ligjit, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25 % ose më tepër, të: aksioneve/kuotave; pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit; të drejtave të votimit; ose përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti në emër të tij.
Problematika, nga sistemi i ngarkuar te burokracitë
Por, subjektet që po tentojnë të kryejnë regjistrimin e kërkuar me ligj po hasin me problematika të shumta. Së pari, subjektet nuk arrijnë të përfundojnë aplikimin, ndonëse e provojnë vazhdimisht dhe nuk e ruan aplikimin, por duhet vazhdimisht që të mbushësh fushat nga e para. Platforma shpesh herë është jashtë funksionit, dhe kur hapet, nuk funksionon tërësisht dhe bizneset tremben se me këtë ritëm ka shumë gjasa që platforma të mos jetë gati, ose do bëhet gati, por do bllokohet nga dyndja e përdoruesve në ato pak ditë të mbetura.
Subjektet ankohen se edhe pse kanë arritur deri afër fundit të procedurës së ngarkimit të dokumenteve, për një arsye të caktuar procedura nuk përfundohet me sukses, dhe asgjë nuk është ruajtur nga hera e parë. Për këtë arsye ata kërkojnë, që të krijohet mundësi që të ruhen fushat e plotësuara dhe dokumentet e ngarkuara, dhe të mos fillojmë nga e para
Burokracitë dhe mosnjohja e mandatit elektronik të bankës janë një tjetër shqetësim.
“Në parim jemi dakord, për krijimin e regjistrit pasi ndihmon në luftën kundër informalitetit dhe pastrimit te parave, por ka disa pika ku mund të ishte thjeshtëzuar shumë”, thotë Armand Mala, kontabilist. E para, për subjektet me pronar individ shqiptar, nuk është fare e nevojshme, automatikisht mund të transferohej nga QKB pasi të gjithë të dhënat (ekstrakt, Akt-themelim, Statut) janë në QKB për secilën shoqëri. Për raste të veçanta mund të zgjidhej me njoftim elektronik subjektit. E dyta, fushë e detyrueshme është një deklaratë çfarë hapash u ndërmorën për te provuar se cili është pronari i fundit përfitues. “Imagjinoni një shpk me një pronar, ku vetë pronari është dhe administrator, duhet të deklarojë si e provoi që është ai pronari?!”, thotë Mala.
E treta, pasi plotësohet informacioni (në 90% të rasteve informacion i marrë nga QKB, shkarkohet një formular, ky formular pranohet të nënshkruhet vetëm elektronikisht. “Jemi dakord që firma elektronike na ka lehtësuar shumë, por përse duhet qe ky formulari të pranohet vetëm elektronikisht, dhe refuzohet firma me stilolaps”.
Për të marrë këtë nënshkrimin elektronik, duhet aplikuar tek AKSHI, dhe duhet paguar një tarifë prej 4800 lekë për çdo nënshkrim të marre, aplikim ky i vlefshëm për një vit. Por, sërish, thotë Mala, aplikimi refuzohet, sepse mandati i pagesës duhet firmosur e vulosur nga banka, dhe jo një mandat elektronik.
“Pra aplikojmë për firmë elektronike pasi firma fizike nuk na pranohet, por ndërkohë që dërgojmë një dokument elektronik (mandat elektronik i veprimit bankar), dhe kjo nuk pranohet”.
Biznesi duhet të shpënzojë kohë duke shkuar në bankë për të marrë mandatin e vulosur.
Burime nga AKSHI pohuan se problemi është se rakordimet me thesarin nuk bëhen në kohë reale, por ditën e nesërme minimumi, gjë qe do të sillte vonesë për subjektin aplikues në lëshimin e nënshkrimit nga ana e AKSHI.
Pikërisht për të mos vonuar me 1-2 dite punë aplikuesin, AKSHI kërkon një mandat pagese të skanuar/firmosur/vulosur nga ana e bankës, e cila sapo merret elektronikisht nga AKSHI, kryhet miratimi i lëshimit të nënshkrimit elektronik. Edhe bankat rakordojnë pagesat vetëm një herë në fund të ditës, duke bërë të pamundur rakordimin në kohë reale. AKSHI po shqyrton dhe marrjen përsipër të riskut për mandat pagese të cilat nuk janë të rregullta.
Sistemi është në përmirësim e përditësim të vazhdueshëm
Burime nga institucionet përgjegjëse pohuan për Monitor, se AKSHI e ngriti regjistrin brenda një muaji (deri në 31 janar) pa kosto shtesë dhe fillimisht ka bërë testimet që u gjykuan të nevojshme. Gjatë ditëve të fillimit ka pasur problematika sporadike, nga disa biznese, OJF, etj, të cilat u sistemuan, ndërsa u identifikuan dhe kërkesat e reja të Qendrës Kombëtare të Bizneseve (e cila do të menaxhojë regjistrin e pronarëve përfitues).
Gjatë kësaj javë është hedhur versioni i ri, i përmirësuar i sistemit. Dritarja e hapur që u jep mundësi operatorëve të bëjnë deklarimet është 60 ditë dhe kanë pasur kohën e nevojshme për t’i siguruar ato.
Ndërkohë që po punohet vazhdimisht për të rritur kapacitetet, duke rialokuar personelin si të AKSHi (do të katërfishohet personeli për nënshkrimin elektronik) ashtu dhe të QKB-së, për të përballuar fluksin e pritshëm të aplikimeve në ditët në vijim.
Për momentin nuk mund të flitet për një shtyrje të afateve, për shkak se procedura është e përcaktuar me ligj dhe kjo ka qenë një kërkesë e Moneyval (mekanizimit të Komisionit Europian kundër parandalimit të pastrimit të parave).
Kur gjobitet subjekti?
Gjoba e parashikuar në rast të mos aplikimit është 500 mijë lekë dhe bizneset janë të shqetësuar se ata do të detyrohen të paguajnë atë, nëse nuk arrijnë të përfundojnë aplikimin, ndonëse kjo nuk ka qenë për faj të tyre.
Por, ashtu siç është vepruar në rastet kur ka pasur ngarkesa për dorëzimin e bilanceve në QKB, subjektet nuk pritet të gjobiten nëse e kanë bërë aplikimin (ndonëse ai nuk është finalizuar), por vetëm kur nuk kanë tentuar fare që të bëjnë aplikimin.
Bizneset mendojnë që gjithsesi kjo gjobë është jo proporcionale, pasi vendoset një gjobë 500,000 për një Statut (apo Ekstrakt) dhe dy karta identiteti që aktualisht janë në sistemet e Qeverisë dhe kur pjesa më e madhe e të dhënave janë aktualisht në QKB, dhe kërkohet rifreskim vetëm për një pjesë të vogël subjektesh raportuese.
Për më tepër, periudha e përcaktuar në këtë ligj përkon me një periudhë të ngarkuar për drejtuesit e bizneseve, sepse është sezoni i mbylljes dhe deklarimit të pasqyrave financiare dhe auditimit.
Telashet e të huajve
Më problematik procesi po rezulton për sipërmarrësit e huaj, të cilët duhet të dorëzojnë dokumente që kanë vlefshmëri vetëm 30 ditë. Periudha e lënë në ligj konsiderohet e pa mjaftueshme për të siguruar dokumentacionin e duhur ligjor nga shtetet e tjera, përfshi këtu dhe apostilimin dhe përkthimin e noterizimin, për më tepër që atyre rrezikon tu skadojë afati, ndërkohë që platforma nuk po funksionon
Confindustria Albania ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e afatit të regjistrit të pronarëve përfitues deri më 30 qershor, pasi kompanitë po hasin vështirësi teknike në regjistrin elektronik dhe se ai nuk funksionon siç duhet. Ajo ka kërkuar dhe që të zgjatet vlefshmëria e dokumentave me origjinë të huaj deri në 90 ditë. Teknikisht është e vështirë që një kompani ndërkombëtare të pajiset me dokumentacionin voluminoz në vendin e origjinës, ta apostilojë, ta përkthejë zyrtarisht në gjuhën shqipe dhe ta noterizojë në afatin kohor prej 30 ditësh.
Në njoftimin e Confindustria Albania thuhet se janë hasur vështirësi teknike në lidhje me pajisjen me nënshkrim ekektronik të shoqërive me administrator shtetas të huaj – si p.sh administratori merr link-un e regjistrimit me email, por nuk arrin të marrë kodin përkatës për aktivizimin e link-ut, i cili dërgohet në numrin e telefonit.
Përveç sa më sipër, shumë nga kompanitë anëtare na konfirmojnë që regjistri nuk funksionon siç duhet. Regjistri elektronik nuk krijon as mundësinë e ruajtjes së aplikimit. Nëse procesi i regjistrimit nuk përfundon me sukses për arsye nga më të ndryshmet, aplikimi rifillon nga pika zero, duke i bërë subjektet të humbin kohë të vlefshme në pritje të ngarkimit të dokumenteve, ankohet institucioni që përfaqëson interesat e sipërmarrjeve italiane në vend./Monitor