Vllaznia-Tirana është gjithnjë një ndeshje e rëndësishme në Shqipëri, edhe në kohë pandemie pa tifozë, edhe kur shkodranët luajnë për titull dhe Tirana ka dalë jashtë garës… Madje, edhe kur luhet 4 herë në vit. Ka persona si Hamdi Salihi që e përjetojnë ndryshe atë, sepse jo vetëm që kanë veshur fanellën e të dyja skuadrave, por janë sportistë të cilët kanë lënë gjurmë në të dyja ekipet e mandej edhe në Kombëtaren shqiptare. Kjo e sotmja është delikate për të dyja skuadrat, por Salihi është i drejtpërdrejtë kur thotë: “Dua të fitojë Vllaznia. Tiranën e dua shumë, por është ora e Vllaznisë”.
Në intervistën për “Panorama Sport” ish-sulmuesi i shquar skanon “klasiken” e Shqipërisë dhe argumenton me detaje se pse Vllaznia mund t’ia dalë për titull. Si pjesëtar i stafit të Kombëtares, ka edhe një mesazh për Sadikun dhe Muçin, që së fundmi kanë ndryshuar ekip.
Hamdi, si po ju shkojnë gjërat në Amerikë?
Si kohë pandemie që është, po themi mirë. Nuk kam pasur mundësi të angazhohem në futboll, pra si trajner, por jam marrë me disa gjëra personale. Po përpiqem të investoj në një biznes dhe pres t’i rikthehemi normalitetit edhe në sport.
Ju jetoni në Kaliforni. Si janë masat anti- COVID atje?
Të rrepta, por jo edhe aq sa në shtete të tjera. Kur del dielli dhe bën ngrohtë, njerëzit dalin pa hezitim. Natyrisht, me maska dhe me distancë, por dalin. Megjithatë, jam i lumtur që edhe vaksinimi po ecën me ritme shumë të shpejta. Kjo ka sjellë shpresë të madhe këtu.
A e ndiqni kampionatin shqiptar?
Po, rregullisht. Sot (dje) më shpëtoi pa parë Teuta-Kukësi, por me sa lexova në portalin “panoramasport.al”, kishte qenë ndeshje e bukur. Për fat të keq, nuk i organizova dot oraret.
Po sot e dini cilat luajnë?
Patjetër, i di të gjitha ndeshjet, por ju besoj se më keni telefonuar për Vllaznia-Tirana… (qesh).
Pikërisht…
Eh, është ndeshje e komplikuar, por unë mendoj se Vllaznia mund t’ia dalë. Ka skuadër të mirë dhe e ka treguar se di të marrë veten edhe pas ndonjë hapi fals që ka bërë.
Cila fiton?
Nuk di ta them me saktësi, por do të doja të fitonte Vllaznia. U bë shumë kohë që titulli nuk shkon në Shkodër dhe mendoj se janë në rrugën e duhur.
A e mund dot Vllaznia këtë Tiranë?
Mendoj se po. Jo sepse kanë shumë diferenca, por sepse Vllaznia ka një grup më të konsoliduar dhe natyrisht një arsye dhe motivim madhor siç është titulli.
Si mund ta thyejë Vllaznia Tiranën?
Ka një avantazh: është madhështia e Tiranës. Në kuptimin që shumica e skuadrave që luajnë kundër Vllaznisë sot mbyllen dhe përpiqen ta godasin me ndonjë kundërsulm. Tirana nuk luan kështu. Tirana gjithnjë ka luajtur për të fituar, në çdo rrethanë ose ndaj çdo kundërshtari. Rrjedhimisht, lë edhe hapësira mbrapa. Kështu që, nëse Vllaznia luan me kujdes dhe pa shumë eufori, besoj se mund t’ia dalë.
Kjo që sapo thatë do t’i trishtojë disi jo vetëm tifozët e Tiranës, por edhe Shehin e Osmanin, miqtë tuaj te Skënderbeu, që sot janë te Tirana…
Oh, pa problem. Ata e dinë prej kohësh se nga anoj unë këtë vit… (qesh). Flas shpesh me ta, madje kam folur edhe sot (dje) dhe u kam thënë hapur se bëj tifo për Vllazninë. E rëndësishme është që të fitojë Vllaznia, sepse nëse pastaj kanë nevojë për ngushëllim, unë jam gati t’u telefonoj edhe t’i ngushëlloj… (qesh).
Hamdi, a mund ta fitojë kjo Vllazni vërtet titullin?
Unë besoj se po. Më ka bindur me atë që ka bërë deri tani.
Po, por kanë pësuar një rënie, ndërkohë që Partizani u është afruar shumë…
Dakord, por me gjithë këto luhatjet e fundit, ata janë sërish +4 në renditje. Nuk është pak, por nuk i referohem vetëm renditjes, pasi e kam fjalën edhe për mënyrën se si luajnë, cilësitë që kanë dhe harmoninë që kanë. Mua më kanë bindur se me pak kujdes mund ta çojnë deri në fund misionin.
Çfarë ka Vllaznia më shumë se Partizani?
Ka një grup më të konsoliduar. Patën fatin që para se të fillonte sezoni, punuan për një kohë të gjatë bashkë dhe kjo i ndihmoi të ishin një skuadër kompakte. Morën pikët dhe krijuan një distancë që i vuri në vështirësi të mëdha të tjerët. Ndërkohë, Partizani hasi në disa probleme në fillim me një grup jo edhe aq të kompletuar, por edhe skuadrës iu desh më shumë kohë se Vllaznia që të funksiononte si duhet. Për këtë arsye la pikë të rëndësishme. Megjithatë, ata mbeten një skuadër shumë e mirë dhe kanë një trajner të shkëlqyer si Ilir Daja. Unë ruaj respekt të madh për Dajën, sepse kam punuar me të dhe e di se çfarë është në gjendje të bëjë.
A ju shqetësojnë këto luhatjet e fundit të Vllaznisë
Jo edhe aq. Është normale që do të kalonin një moment të vështirë. Madje edhe ata vetë e prisnin që do të vinte dita kur edhe gjërat nuk do të shkonin si duhet. Tani e rëndësishme është që të mos vihen nën presion dhe të kërkojnë t’i zgjidhin gjërat si në ndeshjet e fundit. Besoj se me pak fat mund ta kalojnë shpejt këtë moment jo edhe aq të mirë.
Pse, çfarë ju ka rënë në sy gjatë ndeshjeve të fundit?
Kam parë se skuadra ka dashur t’i shënojë golat që në fillim dhe më shumë është përpjekur të shënojë me forcë, ose me grintë se sa me qetësi dhe me mençuri. Ata duhet të kuptojnë se janë po e njëjta skuadër si në fillim të sezonit. Kanë cilësi dhe rivalët nuk janë më të frikshëm se më parë. Por duhet të kuptojnë se tani primar është rezultati. Nuk u kërkon më njeri të jenë spektakolarë. Luaj si të duash, bëj çfarë të duash, por në fund merr rezultatin. Këtë duhet ta kenë të qartë.