Nga BoldNews.al
Prej kohësh, efektivët e Policisë kanë lënë mënjanë luftën kundër krimit dhe janë shndërruar në gjobvënës për personat që shkelin rregullat e pandemisë, përfshirë mos-mbajtjen e maskës në rrugë dhe thyerjen e orarit të “karantinës”.
Çdo ditë, Policia e Shtetit raporton për një numër të lartë gjobash, ndërkohë që qytetarët informojnë në rrjetet sociale për abuzimin e kryer nga punonjës të ndryshëm të policisë për mundësinë që u ka dhënë qeveria për t’u treguar “të fortë” në luftën kundër Covid-19.
Një rast absurd, kur Policia tejkalon çdo logjikë në zbatimin e masave anti-Covid është zbuluar nga një vendim i Gjykatës Administrative të Vlorës.
Në datën 12 Dhjetor 2020, rreth mesnatës, një patrullë policie e vendosur në aksin rrugor ‘Levan-Fier” ndalon një automjet funerali, me drejtues shoferin E.Gj. Shkak për ndalimin ishte fakti që mjeti po udhëtonte përtej orarit zyrtar të qarkullimit (në atë kohë ishte ora 22.00).
Drejtuesi i mjetit u shpjegon punonjësve të Policisë se qëllimi i udhëtimit ishte ofrimi i shërbimit të funeralit për një familje, të cilës i kishte vdekur një person pak orë më parë, duke u treguar edhe të dhënat konkrete për rastin.
Pavarësisht shpjegimeve, Policia ka vendosur të gjobisë shoferin me 4 mijë lekë të reja, si edhe t’i heqë patentën për të një periudhë 3-vjeçare, penalitete në bazë të Akteve Normative të nxjerra nga Qeveria për përballimin e pandemisë.
Drejtuesi i mjetit, natyrisht nuk është pajtuar me këtë situatë, dhe e ka ankimuar masën e rëndë penalizuese pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Vlorë.
Trupa gjykuese, pasi ka shqyrtuar rastin, i ka dhënë të drejtë qytetarit, ndërkohë që ka evidentuar edhe shkelje nga ana e efektivëve të Policisë, të cilat mund të përbëjnë shkak edhe për nisjen e ndjekjes penale ndaj tyre për “shpërdorim detyre”.
Në vendimin e datës 28 Janar 2021, të siguruar nga “Boldnews.al”, gjykata konstaton se “subjekti paditës (drejtuesi i mjetit) ka qenë duke kryer një punë, e cili për nga vetë natyra e saj ka një karakter urgjent (kryerja e veprimeve të para të shërbimit mbi trupin e vdekur të njeriut)”.
Më tej, gjykata deklaron se “…pavarësisht se drejtuesi i mjetit, faktikisht, ishte jashtë orarit të autorizimit, organi publik duhet të tregohej më mirëkuptues me situatën e krijuar në rang vendi për shkak të pandemisë globale, e cila kishte kufizuar në maksimumim lëvizjet e njerëzve me qëllim parandalimin e pandemisë globale”.
Siç konstaton trupa gjykuese, “…arsyeja e lëvizjes e subjektit paditës duhet të merrej parasysh prej organit publik përpara se të ndalonte e të gjobiste administrativisht subjektin paditës…”.
Mbi bazën e këtyre argumentave, gjykata administrative e Vlorës vendosi shfuqizimin e gjobës dhe rikthimin e patentës për drejtuesin e mjetit funeral.
Ndërkohë, vendimi ka edhe disa pasazhe, në të cilat i tërhiqet vëmendja edhe Policisë së Fierit, për shkelje të përsëritura në kryerjen e detyrës, e cila as nuk u paraqit dhe as nuk depozitoi asnjë provë në këtë proces gjyqësor.
“Gjykata i tërheq vëmendjen organit publik DVP Fier se, ky nuk është i vetmi rast kur ky organ publik nuk depoziton asnjë lloj dokumentacioni apo prapësimi me shkrim për të provuar paligjshmërinë e veprimeve të individëve të konstatuar në përgjegjësi administrative nga organi public”, thuhet në vendimin e datës 28 janar 2021.
Sipas trupës gjykuese, “kjo përbën një shkelje të dispozita ligjore të sipërcituara për barrën e provës dhe në rast se përsëritet mund të përbëjë shkak jo vetëm për përgjegjësi disiplinore ndaj punonjësve të DVP Fier, por edhe më tej, me përgjegjësi penale në formën e shpërdorimit të detyrës”, përfundon gjykata.