Izmir Smajlaj mbron me sukses titullin e kampionit të Ballkanit. Në evenimentin e zhvilluar në Stamboll të Turqisë, kampioni shqiptar i kërcimit së gjati u konfirmua si numri një në Gadishull, duke fituar medaljen e artë.
Smajlaj ishte sportisti më i mirë, me rezultatin 7 metër e 91 centimetër, në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura. Kërcimi i 27-vjeçarit është i njëjtë me atë që i dha medaljen e artë edhe në Ballkanikun e vitit të kaluar, po në Turqi.
Kjo është medalja e dytë e artë për Izmir Smajlaj-n për vitin 2021, pas asaj të fituar në Mitingun Ndërkombëtar në Austri, event i zhvilluar në muajin janar.