Nga Boldnews.al
Operacioni propagandistik i Policisë së Tiranës, e cila njoftoi nisjen e procedimit penal për dy motra, të cilat ngritën zërin kundër shërbimit spitalor pas vdekjes së babait të tyre me Covid, mund të shndërrohet në një bumerang penal për oficerët e Policisë Gjyqësore dhe shefin e Komisariatit 4, Agim Hoxha.
Referuar të dhënave të publikuara nga vetë Policia e Shtetit, krijohen dyshime të arsyeshme se efektivët e uniformave blu kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, nëpërmjet “nisjes së paligjshme të hetimit penal”.
Një analizë të thjeshtuar prezantohet në vijim;
Në datën 18 Shkurt 2021, Policia e Tiranës, nëpërmjet një njoftimi për media, i cili është publikuar edhe në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, informoi se “Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.
Pra, për Policinë, motrat E.L dhe I.L “kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen….”.
Pikëpyetja e parë që ngrihet është-cilat janë veprimet e kryera nga Policia e Shtetit, për të arritur në konkluzionin se “informacioni është i rremë”.
Pretendimet e dy motrave, të cilët humbën babain në Spitalin Infektiv, tejkalojnë nivelin intelektual të punonjësve të Policisë dhe kërkojnë njohuri të specializuara për të vlerësuar nëse të ndjerit i është dhënë shërbimi i nevojshëm shëndetësor ose jo.
Pikëpyetja më sipër, lidhet me veprimet e Policisë. Më poshtë, është një shpjegim juridik, në përfundim të të cilit konkludohet lehtësisht se policët e përdorur për progandë, kanë shpërdoruar detyrën.
Në Kodin Penal të Republikës së Shqipëri, kjo shprehje gjendet në nenin 120, e titulluar “Shpifja”.
“Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë”, thuhet në atë nen.
Legjislacioni penal shqiptar parashikon se “Shpifja” ndiqet drejtëpërdrejtë me ankim në gjykatë nga ankimuesi. Pra, në situatën konkrete, në rast se mjekja M.Q. pretendon se ndaj saj janë shpërndarë informacione të rreme (shpifje), atëherë oficerët e Policisë Gjyqësore të Komisariatit 4 duhet ta orientonin që ajo të depozitonte një ankim në gjykatë.
Por, siç konstatohet lehtësisht, policët jo vetëm që nuk e kanë orientuar drejt, por e kanë kanalizuar kallëzimin e saj në rrugë proceduriale, duke i dhënë më tej edhe ngjyrime propagandistike.
Policia Gjyqësore, me referimin e rastit në prokurori, ka kryer veprime aktive të nisjes së procedimit penal ndaj dy shtetaseve, duke u krijuar dy zonjave shqetësim të padrejtë.
Pra, qartësisht, Policia e Shtetit ka kryer veprime që tejkalojnë detyrën e saj, duke krijuar dyshimet se ka kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Rasti, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës për vijimin e procedurave të mëtejshme ndaj dy motrave.
Në një situatë normale dhe ligjore, prokurori që do të marrë materialin në dorëzim, duhet të vlerësojë nisjen e procedimit penal ndaj oficerëve të Policisë Gjyqësore që kanë hartuar atë referim, përfshirë edhe Shefin e Komisariatit, i cili jo vetëm që e ka toleruar, por edhe ka miratuar atë dokument, duke e përcjellë në Prokurorinë e Tiranës.