Për juristin e njohur, Ledio Braho, vendimi i Strasburgut që rrëzoi ankimin e ish-gjyqtares së shkarkuar nga Vetingu, Altina Xhoxhaj, mund të shërbejë si një lloj “udhëzuesi” për ish-gjyqtarët e prokurorët e tjerë që shpresojnë të fitojnë të drejtën në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Në një intervistë për “Fax News”, Braho shpjegoi me detaje se cilat janë pasojat e vendimit të shpallur nga Gjykata e Strasburgut të Martën e kësaj jave.
Për juristin Braho, trupa gjykuese europiane konfirmoi ligjshmërinë e procesit të Vetingut dhe i konsideroi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit si “gjykata të krijuara me ligj”, të cilat janë “të pavarura dhe të paanshme”.
“Por, megjithatë, ky vendim për Xhoxhajn nuk mund të konsiderohet si “pilot”, nga ata që janë të aplikueshëm apriori për çdo rast të ngjashëm”, theksoi Braho.
Në vlerësimin e tij, gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vetingu dhe që kërkojnë drejtësinë në Strasburg, duhet të mbajnë në konsideratë faktin se duhet të ezaurojnë fillimisht ankesat e tyre në sistemin e brendshëm gjyqësor.
Në këtë pikë, ai iu referua faktit se Gjykata e Strasburgut rrëzoi pretendimet e ish-gjyqtares kushtetuese, Altina Xhoxhaj, mbi cilësinë e disa anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke argumentuar se ankimuesja e kishte paraqitur këtë situatë tej të afatit ligjor 6-mujor, si edhe nuk e kishte pretenduar diçka të tillë para institucioneve vendase.
Po ashtu, i njëjti sugjerim vlen edhe për ankimet e mundshme që lidhen me aspektet proceduriale të procesit.
Gjykata e Strasburgut-thekoi juristi Braho- nuk merr në konsideratë pretendime mbi shkelje të mundshme proceduriale, në rast se ato nuk janë ngritur më herët nga gjyqtarët dhe prokurorët para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Këtë qasje e tregoi trupa e Strasburgut, e cila, me një votim 5-2 rrëzoi pretendimet e ankimueses Altina Xhoxhaj.
Ndaj, referuar këtij vendimi, juristi Ledio Braho shprehet i bindur se gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë mund të shpresojnë për një sukses të mundshëm para Gjykatës së Strasburgut, vetëm nëse më parë i kanë goditur para autoriteteve shqiptare dhe nuk kanë gjetur zgjidhje.
Megjithatë, sipas Brahos, vendimi i Gjykatës 7-anëtarëshe të Strasburgut nuk mund të quhet përfundimtar dhe ankimuesja Altina Xhoxhaj ka mundësinë që t’i drejtohet Dhomës së Madhe, e cila shqyrton çështje, ku marrin pjesë 17 anëtarët e saj.
“Fakti që vendimi për Xhoxhaj ka pasur dy gjyqtarë në pakicë, të cilët, ndryshe nga shumica konkluduan se procesi i Vetingut në Shqipëri është tërësisht në kundërshtim me parimet e procesit ligjor, përbën një element të mjaftueshëm për të krijuar pritshmëritë se Dhoma e Madhe e Strasburgut mund të marrë një vendim tjetër”, u shpreh Braho gjatë intervistës.
Në një shpjegim më të zgjeruar për këtë zhvillim, ai e konsideroi vendimin e Gjykatës së Strasburgut të llojit “sui generis”, pra të veçantë në llojin e tij.
Për Brahon, qëndrimi i Strasburgut në rastin e Altina Xhoxhaj është i ndryshëm nga vendime të mëhershme të Gjykatës së Strasburgut ose të Gjykatës Europiane të Drejtësisë për raste të ngjashme.
Për të konkretizuar idenë e tij, Ledio Braho përmendi një vendim të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, e cila rrëzoi disa kohë më parë një “trupë disiplinore”, të ngritur në Poloni për inspektimin e gjyqtarëve.
Sipas Brahos, diferenca mes vendimeve “për Shqipërinhë” dhe vendimin “për Poloninë”, nuk qëndron thjesht në faktin se janë dhënë nga dy gjykata të ndryshme europiane, por tek momenti i iniciimit ligjor të krijimit të trupave të inspektimit/rivlerësimit.
Në Poloni, trupa disiplinore për gjyqtarët u ngrit pa një konsensus politik, nëpërmjet një procedure të kontestuar.
Ndërsa në rastin e Shqipëri, korpusi ligjor i Reformës në Drejtësi, përfshirë edhe Vetingun, u miratuan me një konsensus të gjerë politik, si edhe kaluan paraprakisht filtrat e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.
Mbi bazën e këtyre premisave ligjore, si edhe për faktin se Reforma në Drejtësi u hartua me qëllimin për të luftuar korrupsionin në drejtësi, Gjykata e Strasburgut konsideroi të rregullta ngritjen e strukturave të rivlerësimit.
Gjithashtu- theksoi juristi Ledio Braho – nisur nga këto premisa, Gjykata e Strasburgut konkludoi se shkarkimi i gjyqtares Altina Xhoxhaj ishte proporcional, megjithëse shkeljet e konstatuara mbi pasurinë nuk mund të quheshin të rënda.