Nga Ilir Kalemaj
Shembuj të ndryshëm të politikanëve në botë na tregojnë për një lloj hendeku mes asaj që perceptohet dhe asaj që është realisht efektive në drejtim të politikave publike konsekuente, politikave të jashtme racionale apo lidershipit të treguar në përgjithësi dhe në kohë krize në vecanti. Kështu për shembull, politika amerikane ka preferuar në përgjithësi liderët e fortë karizmatikë me një traditë që niset nga Ëashingtoni, A. Jackson dhe Linkolni deri në presidentët e shekullit të 20-të si Th. Roosvelt dhe FDR, Kenedi apo Reagan deri te Klinton, Xh. W. Bush, Obama dhe Trump. Ndërkohë në Gjermani tre liderët më popullorë të 100 viteve të fundit kanë qenë Adenauer, Kohl dhe Merkel ku deri diku vetëm Kohl mund të konsiderohej tipiku i liderit karizmatik sipas parametrave amerikanë.
Ndërsa në rastin e Francës ka një përzierje më interesante ku tradita e një presidenti jupiterian, të fortë dhe karizmatik si De Goll ka gjetur vazhdimësi edhe te liderë si Shirak, Sarkozy apo së fundmi Macron, ndërsa ka pasur dhe jo pak presidentë të tjerë që kanë preferuar një stil të qetë lidershipi si Valery Giscard d’Estaing apo Francois Hollande me Miterranin që ka pasur një stil më neutral. Ndërsa britanikët në përgjithësi janë më afër linjës amerikane sesa asaj gjermane në preferencat për stilin e lidershipit, duke nisur nga Churchilli dhe Margaret Thatcher, deri së fundmi te liderë si Tony Blair, Cameron apo Boris Johnson. Natyrisht duke pasur dhe disa liderë të ndërmjetëm me stil të qetë qeverisje dhe profil më të ulët publik si Clement Atlee, J. Callaghan apo John Major.
Por jo domosdoshmërisht karizma e një lideri apo popullariteti i tij/saj në fushatë tregon detyrimisht efektivitetin e politikave që ndjek, qoftë në lëmin e politikave publike ashtu dhe në atë të politikës së jashtme. Për shembull, ndërsa Lyndon Johnson është ndër presidentët më efektivë të paktën në fushën e politikave ekonomike dhe sociale në SHBA dhe një master i vërtetë në shtyrjen përpara të legjislacionit në Kongres, Kenedi brenda tre muajve të parë të qeverisjes autorizoi një ndërhyrje të dështuar në Kubë (rasti i Gjirit të Derrave) që ishte një nga fiaskot e para por jo të vetme të këtij politikani të adhuruar nga turmat për karizmën dhe elokuencën e tij të jashtëzakonshme. Gjithashtu, përkundër mitit për kundërshtimin e segregacionit në jug të Amerikës, ishte Johnsoni dhe presidenca e tij që luajti një rol shumë më progresist se administrata e Kenedit.
Më afër në kohë, presidenti Obama ishte shumë më i kujdesshëm në ruajtjen e frymës bipartizane në legjislacionin fiskal, mbështetjen e Wall Street-it duke vijuar besnikërisht politikat e ish-presidentit republikan XH. W. Bush si dhe çështjen e emigracionit se sa duket të jetë Joe Biden të paktën në këto javë të para qeverisje. Legjislacioni i Biden për emigracionin dhe klimës, por edhe cështje të tjera të aspektit ekonomik dhe social janë ku e ku më progresive se sa të Obamës të paktën nga sinjalet e para që janë dhënë deri tani. Por nga ana tjetër gjithashtu Biden është munduar t’i rezistojë krahut të majtë ultra-liberal dhe progresist të partisë me figura të tilla si Sanders, E. Warren apo AOC të cilëve jo vetëm nuk u janë dhënë portofole qeveritare por ju është limituar dhe aksesi në politikë-bërje të paktën sipas pritshmërive fillestare.
Përsa i përket Europës mund të bëhen të njëjtat deduksione, ku rasti i kancelares Merkel me profilin e vazhdueshëm të ulët publik që ka mbajtur në mënyrë të qëllimtë ose jo e ka bërë jo më pak efektive qoftë në lunndrimin e qetë të ujërave të turbullta ekonomike, qoftë në menaxhimin e efejteve sociale (ku kriza e emigrantëve qe vetëm njëra prej tyre) ashtu dhe në politikën e jashtme ku mund të thuhet pa frikë se ka qenë figura dominuese në Europë përgjatë dekadës së fundit. Nga ana tjetër, një lider karizmatik si Macron ka qenë duke u ballafaquar me kriza të shumta të brendshme (ku kulmi qe me levizjen e jelek-verdhëve) si dhe të jashtme me disa iniciativa të dështuara ose që ngelën në kalendat greke pa arritur të vendosë atë epërsi që ka pasur Franca tradicionalisht në aspektin politik dhe diplomatik në Europën kontinentale.
Duke qenë se Shqipëria ka hyrë në fushatën elektorale ku përballë ka përplasje jo vetëm programesh por edhe individësh krejtësisht të ndryshëm, ku nga njëra anë është Rama me karizmën si kartën më të fortë politike, elokuencën e të folurit publik, batutat me kripë dhe pa kripë që nuk përton t’u hedhë gjithë arrogancë kundërshtarëve të vërtetë apo të imagjinuar kemi të pozicionuar Bashën me një stof më europian, të një lideri normal, post-tranzicional me artikulim të saktë dhe bindës por pa pasur atë efekt mbi turmat që kanë liderë tipikë të tranzicionit si Berisha dhe Rama.
Përtej fasadës gjithsesi në fund të ditës rëndësi kanë rezultatet, ekipi, fryma dhe vullneti politik për të realizuar reforma të guximshme që do të shënojnë ose jo ndarjen përfundimtare nga tranzicioni dhe hyrjen në fazën e demokracisë së konsoliduar, shtetit funksional të së drejtës, ekonomisë dinamike të tregut bazuar në konkurrencën e lirë dhe të drejtë, zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës, respektimit të të drejtave dhe lirive të individit e të tjerë elementë thelbësorë të demokracisë liberale.
*Shkruar enkas për BoldNews.al