Partia Demokratike ka reaguar përmes ish deputetes Grida Duma lidhur me përgjimet e antimafias italiane sipas së cilës përgjimet konfirmojnë se në Tiranë me lejet e ndërtimit, me koncesionet dhe me tenderat publikë pastrohen para për mafian italiane.
“SPAK duhet të bëjë detyrën! Shqiptarët kanë sakrifikuar jo pak dhe është investuar shumë edhe nga ndërkombëtarët që SPAK dhe drejtësia të veprojë. SPAK është larg asaj që presin shqiptarët për të goditur korrupsionin e politikanëve dhe për të dërguar peshqit e mëdhenj para drejtësisë.” u shpreh Duma, ndërsa theksoi se pas 25 Prillit, opozita do të çrrënjosë korrupsionin qeveritar.
DEKLARATA E PLOTE
Të dashur qytetarë!
Këto 8 vjet, të gjithë kemi provuar në një mënyrë apo në një tjetër se pushtetarët që kemi në krye, e shndërruan Shqipërinë në vendin e shkretuar e të varfëruar për shkak të qeverisjes më të keqe ndonjëherë të këtyre 30 vjetëve.
Qeveria më e keqe në historinë e Shqipërisë është edhe më e korruptuara!
Korrupsioni, babëzia për pasuri, pangopësia e ka shndërruar qeverinë e Edi Ramës dhe njeriun e tij Erion Veliaj, në një vegël absolute të mafias.
Historia është përsëritur. Pas Saimir Tahirit, në rrjetën e Antimafias Italiane ka rënë Erion Veliaj.
Përgjimet tronditëse të publikuara nga Ora Neës, konfirmojnë dhe dëshmojnë se Erion Veliaj dhe Edi Rama po e përdorin Tiranën si lavatriçe për paratë e pista, të mafias dhe krimit të organizuar, duke marrë 20 % të fitimit.
Përgjimet konfirmojnë se në Tiranë me lejet e ndërtimit, me koncesionet dhe me tenderat publikë pastrohen para për mafian italiane.
Këto ditë antimafia italiane shkatërroi një rrjet me 50 italianë dhe shqiptarë; mafiozë, biznesmenë, politikanë, që përbëjnë atë që njihet sot, edhe në Tiranë, si borgjezia mafioze.
Në përgjimet e njeriut kyç të Ndraghetës, biznesmenit Gallo, i cili bën lidhjen mes biznesit, mafias dhe politikës, konfirmohet se pjesa që merr Erion Veliaj nga lejet e ndërtimit apo pushteti i Edi Ramës nga koncesionet dhe tenderat është 20%.
Ajo që u zbulua nga Ora News është vetëm një episod më shumë në vargun e aferave të pambarim të korrupsionit të qeverisë Rama dhe kukullës kryesore të tij, Eion Veliaj.
Të dashur qytetarë!
Sa herë të shikoni kullat në Tiranë, sa herë shikoni mbytjen me ndërtime, Tiranën e pabanueshme të uzurpuar, kujtoni Erion Veliajn dhe Edi Ramën. Si ortakë me mafian, kanë 20% të tyre. Ata marrin 20% të milionave, ndërsa qindra dhe mijëra qytetarë mezi ia dalin të shtyjnë muajin, qindra mijëra të tjerë janë të papunë dhe mijëra të rinj mendojnë vetëm se si të largohen nga Shqipëria.
Të gjitha këto janë të dëshmuara në pergjimet e antimafias italiane.
Në këto përgjime dalin takimet e kryera të biznesmenëve ndërmjetës shqiptarë, mes Erion Veliajt dhe biznesmenit të Ndraghetës Gallo.
Janë bizneset e përbashkëta që miqtë e Veliajt dhe të Ramës kanë me bizneset e mafias italiane.
Janë bisedat mes tyre që tregojnë 20%-shin e Erion Veliajt për lejet e ndërtimit dhe 20 %-shin e qeverisë së Edi Ramës për tenderat dhe koncesionet.
SPAK duhet të bëjë detyrën! Shqiptarët kanë sakrifikuar jo pak dhe është investuar shumë edhe nga ndërkombëtarët që SPAK dhe drejtësia të veprojë.
Deri tani asgjë!
Megjithëse provat i kanë të gatshme nga kolegët italianë, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion nuk ka bërë asnjë veprim për të nisur hetimet për Erion Veliajn dhe implikimet e tij me biznesin e mafias italiane.
Arben Kraja, të lërë intervistat në media e të kryejë detyrën. Të zbatohet së paku standardi i vendosur për Tahirin.
SPAK është larg asaj që presin shqiptarët për të goditur korrupsionin e politikanëve dhe për të dërguar peshqit e mëdhenj para drejtësisë.
Shqiptarët meritojnë shumë më shumë.
Shqiptarët meritojnë një qeveri të pastër, që do të punojë e angazhuar e dedikuar për shqiptarët dhe për Shqipërinë.
Pas 25 Prillit, pas fitores së zgjedhjeve, ne do të çrrënjosim korrupsionin qeveritar. Ata që janë mësuar të vjedhin prej jush dhe të marrin për vete,m do të paguajnë një çmim të rëndë për atë që kanë bërë.
Në 25 prill ne do të sjellim ndryshimin që Shqipëria ka kaq shumë nevojë.