Gazeta e njohur, Financial Times, shkruan sot se presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka bërë presion ndaj Tiranës për të dorëzuar ata që njihen si Gylenistët.
“Pak më shumë se një vit më parë, shtetasi turk Harun Çelik u lirua nga një burg shqiptar dhe u dërgua me shpejtësi drejt aeroportit. Disa orë më vonë ai ishte sërish në Turqi, ku media shtetërore mburrej se ai ishte kthyer falë një operacioni të shërbimeve të inteligjencës turke. Zoti Çelik, një mësues, ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në korrik 2019 për përpjekje për të hyrë në një vend të huaj me vizë të falsifikuar. Por në Turqi ai kërkohej për rolin e tij të pretenduan në lëvizjen Gylen, që akuzohet për orkestrimin e një grushti të dhunshëm shteti në korrik të vitit 2016. Udhëtimi i tij misterioz- që të kujton rrëmbimet e kryera nga CIA pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit- është i fundit në një varg rrëmbimesh të tilla të qytetarëve turq në të gjithë Ballkanin, por edhe në vende të tjera që varen nga Ankaraja për financa, mbështetje politike ose humanitare,” shkruan gazeta.
Më tej, ajo thekson se sipas burimeve të saj, Tiranës i është bërë presion konstant nga Turqia, edhe pse qeveria shqiptare e mohon publikisht rolin e saj në rrëmbimin e zotit Çelik.
“Në rastin e zotit Çelik, incidenti pasoi vite me presion diplomatik mbi Tiranën për të dorëzuar Gylenistët e pretenduar dhe për të mbyllur ose ndryshuar pronësinë e shkollave dhe universiteteve të drejtuara nga Gylenistët. Një ish-zyrtar i lartë shqiptar i tha FT se Ankaraja kishte dërguar një listë me qindra emra të mbështetësve të pretenduar të zotit Gylen, të cilët shpresonte se do të ktheheshin në Turqi. Një zyrtar i qeverisë shqiptare tha se ndërsa Tirana kishte kërkuar t’i rezistonte kërkesave të Turqisë, koha e largimit të zotit Çelik përkon me një premtim turk për miliona ndihmë pasi një tërmet shkatërrimtar goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019”.
Në fund, gazeta thekson se Çelik është dënuar me 8 vite burg në Turqi.
Kurse një familjar i tij tha: “Ai nuk është një dhuratë që jepet nga një vend, një vendi tjetër”.