Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është takuar sot me banorë të Lezhës, ndërsa tema kryesore kanë qënë përmbytjet, problemi i përhershëm i tyre sa herë ka reshje të dendura.
Ndërsa banorët u ankuan për situatën, Kryemadhi dha se ajo është keqmenaxhuar nga qeveria dhe se vendi po kalon nga kriza në krizë.
Biseda
Monika Kryemadhi: Mirëse ju gjetëm sot në këtë takim. Fatmirësisht, ka dashur Zoti, sot është tërhequr dhe uji dhe kjo është një gjë e mirë të paktën për qytetin, bizneset dhe njerëzit për të lëvizur. Por kur po vinim rrugës pamë që tokat bujqësore prapë kishin ujë, kishin probleme. Edhe Drini prapë ka probleme. Por shpresojmë që të mos ketë më probleme.
Petrit Gjoni: Problemet janë të shumta. Në zonën e Zadrimës kemi shumë probleme, edhe pse sot shiu ka pushuar dhe uji ka filluar të tërhiqet, sërish kemi shumë toka të përmbytura. Edhe në Zejmen ka gjithashtu shumë probleme.
Monika Kryemadhi: Po shteti prandaj është për ta menaxhuar fatkeqësinë natyrore.
Banori i Zejmenit: Janë shumë gjëra që pushteti vendor duhet ti shikojë më nga afër.
Monika Kryemadhi: Problemi është se ti prandaj e do shtetin aty, kur ti e ke të nevojshme dhe një nga problemet më të mëdha që ne kemi pasur ka qenë përgjegjshmëria e strukturës shtetërore. Pas tërmetit, më pas u bashkëngjit edhe pandemia, tani edhe përmbytjet. Kalojmë nga kriza në krizë. Ca për shkak të fatkeqësive natyrore, ca për shkak të keq-menaxhimit, ca për shkak edhe të paaftësisë për të menaxhuar, një nga problemet me të cilat hasemi është në radhë të parë arroganca e shtetit dhe mungesa e dëshirës apo edhe vullnetit politik për ti ndihmuar njerëzit. Është shumë e vështirë, por ajo që ndihet çdo ditë e më shumë tek njerëzit është mungesa e shpresës. Lushi tha pak më përpara jam kthyer në 2015-n por më kanë ikur fëmijët në Gjermani.
Banori: Është shumë problem. Të jetosh sot me gruan, ti rrisësh e ti bësh burra e të të ikin.
Monika Kryemadhi: Është e vërtetë sepse është shumë e dhimbshme të mos i kesh fëmijët në shtëpi.
Banor i Lezhës: Lezhën ashtu sikurse e duan të gjithë, sikurse duan ta frekuentojnë të gjithë fatkeqësisht e kanë kapur edhe këto problemet që ju thatë më sipër tërmeti, pandemia, përmbytjet. Përmbytjet dihet tashmë në gjithë zonën e veriut, por sidomos në Lezhë për vetë pozicionin gjeografik që ka Lezha. Pas çdo përmbytje apo fatkeqësie ne lusim Zotin, por Zoti sot për njerëzit është qeveria dhe me këto kushte ne duhet të drejtohemi nga qeveria. Ne nuk e ndalim dot fatkeqësinë, por mënyra e menaxhimit të fatkeqësisë, dhe po të ketë qeveria vullnetin e përballimit të këtyre situatave të fatkeqësive, sidomos me përmbytjet, edhe kostot në këtë drejtim do të jenë shumë më të vogla. Dëmet në Lezhë kanë qenë të jashtëzakonshme, pavarësisht se vjen kryeministri në Lezhë dhe të thotë dhe bën krahasim si dikur Enveri me kohën e Zogut. Në këtë drejtim unë them se problemet janë të mëdha. Sot në Bashkinë e madhe të Lezhës mund të jenë mbi 2500 hektarë të përmbytura dhe pjesa më e madhe e tyre është mbjellë me grurë. Pra, investimi i fermerëve për këtë vit ka shkuar dëm dhe është një e keqe shumë e madhe që fillon viti me dështim. Dhe kjo situata përballohet vetëm me strategji. Duhet të rriten kapacitetet e hidroforëve për vetë kushtet që ka Lezhë. Por duhet të merren shumë edhe me dy lumenjtë, Drinin dhe Matin, që janë shumë të rrezikshëm. Dhe asnjë qeveri nuk ka pasur një strategji për menaxhimin e tyre. Duke shtuar pastaj edhe problemin e hidrocentraleve.