Nga Boldnews.al
Mbrëmjen e së shtunës u shpërnda me shpejtësi një video ku shfaqeshin dy ministrat Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, në shoqërinë e Endri Fugës dhe Arbjon Maznikut, duke darkuar në restorantin Nusr-et në Dubai.
Qershia mbi tortë e tavolinës nuk ishte asnjë prej 4 zyrtarëve, por një biznesmen, i konsideruar si njeriu më i pasur në Shqipëri, ndoshta edhe në Ballkan, Samir Mane.
Mane ishte ulur përballë me Maznikun dhe është vështirë të thuhet se kush ishte në qendër të tavolinës mes të dyve, ndërsa 3 të tjerët, Fuga, Ahmetaj dhe Balluku, ngjanin me ato kontornot apo zbukurimet që i vihen pjatave, disa pikante dhe disa jo.
Video u publikua fillimisht nga vetë restoranti, u bë virale në rrjetet sociale, u publikua nga një pjesë e mediave, u shoqërua me reagime qytetarësh, dhe më pas pamjet e hedhura në faqet e restorantit luksoz në rrjetet sociale u fshinë.
Nuk dihet pse u fshinë, as kush e kërkoi fshirjen e tyre, përderisa u dhanë justifikime, qoftë edhe nga Kryeministri, se ministrat e tij ishin për punë në Dubai dhe jo për qejf.
Nuk dihet as me çfarë statusi biznesmeni Mane shoqëronte “delegacionin punëmbaruar” të Rilindjes, pavarësisht se me aq sa është raportuar dukej se ai ishte si një pikë lidhjeje mes zyrtarëve dhe miliarderit nga Dubai, Mohamend Alabbar.
Ky i fundit do të investojë në Shqipëri, të paktën sipas deklaratave të Kryeministrit Rama, i cili vizitoi Emiratet e Bashkuara pak javë më parë, në kuadrin e procesit të rindërtimit.
Atëherë pyetja që lind është me çfarë statusi Samir Mane ishte pjesë e darkës me zyrtarët e Qeverisë?
Përtej asaj se ai mund të ketë lidhjet e tij, se mund të ketë paguar darkën, gjë që sipas sqarimit të dhënë nga Kryeministri është bërë nga mikpritësit, përtej njohjeve apo famës që mund të ketë në Dubai si biznesmen, Mane dukej se ishte garancia e vetme në atë tryezë që nuk do të kishte zhurmë politike në Tiranë.
Dhe kjo si hipotezë qëndron, përsa kohë zyrtarisht asnjë prej partive opozitare, përfshi këtu edhe PD, nuk pati një qëndrim të fortë politik mbi atë shfaqjen e shëmtuar të ministrave dhe dy zyrtarëve të tjerë, njëri si mëkëmbës i Edi Ramës dhe tjetri si krahu i djathtë i Erion Veliajt.
Nëse në ato pamjet e djeshme nuk do të ishte Samir Mane, me shumë siguri, foltorja e PD-së, sot do të kishte një rradhë të gjatë ish-deputetesh dhe zyrtarësh të tjerë të kësaj partie, që do të denonconin luksin e njerëzve të Ramës e Veliajt, ndërkohë që shqiptarët përballen me varfërinë për shkak të keqqverisjes, pandemisë, tërmetit dhe përmbytjeve.
Të gjithë personazhet politike të asaj darke janë sulmuar dhe akuzuar nga PD, janë kallëzuar në SPAK, janë etiketuar me lloj lloj epitetesh, njerëzore ose jo, gjë që do të thotë se heshtja apo kalimi sikur s´ka ndodhur gjë, nuk është se janë kursyer Ben Ahmetaj, Belinda Balluku, Arbi Mazniku apo Endri Fuga.
Pikërisht personazhi i ri, jo nga mosha, as nga lidhjet me politikën, por që duket se ka frenuar reagimet ishte pikërisht Samir Mane.
I njohur për lidhjet e tij me qeverinë Berisha dhe Rama, nuk është çudi që Mane të ketë të njëjtin status me cilëndo qeveri që do të jetë pas 25 prillit në këtë vend. Në një aspekt kjo nuk ka asgjë të keqe, për të si biznesmen, përkundrazi, do të vazhdojë të ketë kushtet për të mbajtur “dritat jeshile të semaforit”, duke ecur përpara.
Problemi është se çfarë shprese ngjall opozita, që pretendon të vijë në pushtet, kur nga togfjalëshi “oligarkët do t´i nënshtrohen ligjit anti-mafia”, kompleksohet për të përmendur emrat e oligarkëve. Dhe jo vetëm kaq, por hesht edhe kur në krah të ndonjërit që mund të klasifikohen si oligark, po prej saj, shfaqen ministra në darka luksi.
Të vetmet reagime në rrjetet sociale që u bënë lidhur me darkën ishin një nga ish-Kryeministri Sali Berisha, një tjetër nga nënkryetari i PD-së Edi Paloka, një nga Genc Pollo dhe një nga Brisejda Shehaj, e LSI. Këtu filmi mbyllet, seria përfundon, ndërsa ministrat në detyrë, dhe shoqëruesit e tyre në Dubai, vazhdojnë agjendën.
Dhe nëse sot shqiptarët, ata që nuk presin urdhërin e kryetarit, reagojnë në rrjetet sociale, nëse shfryjnë mllefin se pse Prokuroria Speciale apo Jo, nuk vepron, rrethi vicioz krijohet pikërisht nga opozita, veçanërisht PD, e cila stopohet.
Kjo ka ndodhur me Salillarin, i cili fitoi një tender 14 mln euro për një rrugë, e cila u shemb nga përmbytjet e ditëve të fundit. Kjo ka ndodhur me Fushën, që s´dihet nëse ka mbetur pa marrë ndonjë tender, projekt apo leje. Kjo ka ndodhur me Samirin, për të cilin edhe kur humbet jetën ndonjë minator në galeritë që kontrollohen prej njërës nga kompanitë e tij, sërisht heshtet.
Të kompleksohesh nga një grup biznesmenësh, oligarkë ose jo, që dje ishin në krah të Berishës, sot janë në krah të Ramës dhe nesër do të jenë në krah të qeverisë pasardhëse, është njëlloj si të ndryshosh garniturën në atë darkën e djeshme, duke zëvendësuar Ahmetajn, Ballukun, Fugën apo Maznikun me cilindo emër nga rradhët e opozitës, ndërsa ligjin ta bëjnë të njëjtët, ata që as emrat sot nuk ua përmendin.
A e rikthen kjo shpresën apo besimin? Nëse vijohet me këtë kurs duhet pritur 25 prilli, por një gjë mund të thuhet: fajin po nuk u rikthye shpresa nuk e kanë shqiptarët që nuk kuptojnë…